Shtrenjtimi i naftës, operatorët e transportit publik paralajmërojnë ulje me 30% të flotës së autobusëve
Shoqata e Transportit Publik në vend ka paralajmëruar reduktimin me 30% të flotës së autobusëve, si në linjat urbane ashtu edhe në ato ndërqytetase, për shkak të rritjes së ndjeshme të çmimit të naftës.
Ky vendim vjen në një kohë kur tensionet dhe përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme kanë ndikuar drejtpërdrejt në tregjet ndërkombëtare të energjisë, duke sjellë rritje të çmimeve të karburanteve edhe në vend.
Kryetari i Shoqatës së Transportit Publik, Dashnor Mema, u shpreh në një prononcim për mediet se rritja e çmimit të naftës e bën situatën ekonomike të papërballueshme për sektorin.
Ai shprehet se u janë drejtuar me disa kërkesa për mbështetje institucioneve për të cilat, thekson se nuk kanë marrë përgjigje.
“Për shkak të rritjes së konsiderueshme të çmimit të naftës dhe mungesës së reagimit nga institucionet, jemi të detyruar të reduktojmë flotën e mjeteve me 30%, nëse nuk ka një ndërhyrje emergjente”, tha Mema.
Shoqatat e transportit kërkojnë nga autoritetet përgjegjëse rishikimin e taksave mbi karburantin, duke propozuar subvencionim të drejtpërdrejtë për litër si në situatën me Ukrainën, si dhe ulje të taksave si ajo e qarkullimit dhe akciza.
Sipas tyre, ulja me 20% e akcizës nuk ka ndikim të ndjeshëm në aktivitetin e transportit publik, pasi përkthehet në vetëm rreth 7 lekë për litër.
Përfaqësuesit e sektorit theksuan se nuk parashikohet rritje e çmimit të biletës, megjithëse kostot e operimit janë rritur ndjeshëm.
Çmimi i naftës në vend është rritur nga rreth 178 lekë për litër në 219 lekë për litër menjëherë pas konfliktit në Lindjen e Mesme.
Nga ana tjetër, qeveria ka vendosur ringritjen e Bordit të Transparencës dhe ka miratuar një mekanizëm që parashikon uljen automatike me 20% të akcizës së naftës, kur çmimi i saj kalon mbi 220 lekë për litër.
Gjithashtu, është premtuar mbështetje për shtresat në nevojë, përfshirë pensionistët, në rast të rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore.
/a.f/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.