Shtrenjtohet energjia
Kosovarët do të paguajnë energjinë elektrike për 4.57 për qind më shtrenjtë, duke filluar nga data 1 korrik i këtij viti. Vendimi është marrë të hënën me 30 qershor nga Bordi i ri i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE). Ngritja prej 4.57 % do t’i prekë të gjitha nivelet e ndryshme të tarifave dhe për të gjithë konsumatorët e rregulluar. Deri tash çmimi mesatar për kilovat ka qenë 5.05 centë. Kurse me rritjen prej 4.45 për qind çmimi mesatar ka shkuar në 5.28 centë për kilovat.
Bordi i ZRRE-së thuhet në një njoftim se ka aprovuar tarifat me pakicë të energjisë elektrike për konsumatorët e rregulluar, të cilat do të aplikohen nga Furnizuesi publik nga data 1.07.2014. “Tarifat me pakicë do të ngritën për 4.57% për të gjitha nivelet e ndryshme të tarifave dhe për të gjithë konsumatorët e rregulluar”, thuhet në njoftim.
Madje, Bordi i ZRRE-së ka konsideruar se një ngritje e tillë paraqet një minimum, i cili është i domosdoshëm për funksionimin normal të sistemit elektro-energjetik të Kosovës. Edhe pse ishte thënë se do të ndryshojë edhe struktura tarifore, një gjë e tillë nuk është realizuar. “Anëtarët e Bordit të ZRRE-së nuk kanë arritur pajtueshmëri për ndryshimin e strukturës tariforë për këtë vit, që do të thotë se struktura tarifore mbetet e njëjtë”, thuhet në njoftim.
ZRRE: Ndryshuam tarifat se na duhen 240 milionë të hyra
Për vendosjen e tarifave me pakicë të energjisë elektrike për konsumatorët e rregulluar, ZRRE-ja ka marrë parasysh dokumentet e nxjerra dhe të publikuara në uebfaqen e saj si dhe takimet sqaruese që ka realizuar me të licencuarit gjatë periudhës shkurt – maj 2014.
“Niveli (çmimi) i tarifave përcaktohet varësisht nga konsumi për kategori të ndryshme të konsumatorëve, duke pasur parasysh së përmes tarifave duhet të mblidhen të hyrat në shumën prej 239,965,097 eurosh, e cila do i mbulonte të gjitha kostot e gjenerimit, transaksionit, shpërndarjes dhe furnizimit të energjisë elektrike”, thuhet në njoftim të ZRRE-së. Gjithashtu ZRRE-ja thekson se është duke analizuar me kujdes trendët e ndryshimit të faktorëve, të cilët përcaktojnë çmimin e energjisë elektrike dhe këto trend janë në rritje.
Konsumatori: Vendim politik
Ky vendim i Zyrës së Rregullatorit për Energji ka ngritur shqetësime të mëdha tek organizatat joqeveritare në Kosovë. Drejtori i organizatës joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, thotë se kjo ngritje e energjisë elektrike do të ketë ndikim negativ si në biznes, ashtu edhe te standardi jetësor i qytetarëve.
“Një masë e tillë në këtë kohë të rënduar me kriza, në këtë kohë të goditur të standardit jetësor dhe biznesor në Kosovë, kjo masë nuk është e popullarizuar dhe nuk është masë që do t’i nevojitet Kosovës, ka forma të tjera për të ndihmuar Korporatën Energjetike të Kosovës, ka pasur forma të tjera për të ndihmuar konsumatorin dhe biznesin. Këto forma është dashur t’i hulumtojë Qeveria dhe t’i ndihmojë Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike, që ajo të jetë komode në marrjen e vendimit”, tha Kaçaniku. Kjo ngritje e çmimit të energjisë elektrike, sipas Kaçanikut, po e rëndon edhe më shumë jetën ekonomike dhe sociale të qytetarëve.
KEDS-i aplikon tetë lloje tarifash për secilin sezon
Në sezonin dimëror tarifa e lartë A1 aplikohet prej orës 07:00 deri 22:00, kurse tarifa e ulët A2 prej orës 22:00 deri 07:00. Po këto tarifa janë të ndara edhe në disa nën tarifa, në bazë të sasisë së shpenzuar brenda një muaji. Konsumatori për 200 kilovatët e parë do të paguajë gjatë tarifës së lartë 07:00 deri 22:00 me çmim prej 5.28 centë, ndërsa gjatë tarifës së ulët çmimi është 3.80 centë, 50 për qind më i lirë. Kurse kilovatët mbi 200 deri në 600, gjatë sezonit të dimrit do të paguhen gjatë tarifës së lartë 7.32 centë, ndërsa gjatë tarifës së ulët 5.24 centë për kilovat në orë. Tarifa mbi 600 kilovatë paguhet gjatë tarifës së lartë me 10.62 centë, ndërsa gjatë kohës së tarifës së ulët kushton 7.60 centë. Përveç kësaj, secilës faturë në fund i shtohen 2.27 euro pagesë fikse mujore si dhe 16 për qind TVSH.