Shtyhet përsëri gjyqi i Veliajt në GJKKO, shkak bojkoti i avokatëve mbrojtës
Seanca e radhës gjyqësore në GJKKO për kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj është shtyrë në datën tre nëntor. Ashtu si dhe herët e kaluara, shkak është bërë bojkoti i avokatëve të cilët prej datës nëntë shtator janë duke bojkotuar seancat gjyqësore në shenjë kundërshtimi të rregullores së re.
Në sallë nuk ishte asnjë nga avokatët e zgjedhur të të pandehurve dhe as avokatët e listës së ndihmës juridike falas, të caktuar nga GJKKO në seancën e kaluar.
Gjykata kësaj radhe nuk aplikoi gjoba për avokatët, duke e arsyetuar me faktin se është vënë në dijeni të një padie në Apelim Administrativ të një padie të Shoqatës së Avokatëve Anti-korrupsion për shfuqizimin e vendimit të Dhomës Kombëtare të Avokatisë për bojkot.
Bojkoti nisi pas hyrjes në fuqi më 1 shtator të rregullores së firmosur nga Erion Bani. Dhoma Kombëtare e Avokatisë kundërshton ndalimin e celularëve, me argumentin se pengon ushtrimin e profesionit, ndërsa GJKKO këmbëngul në zbatimin e saj. Bojkoti vijon pa afat dhe është shtrirë edhe te masat e sigurisë.
Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj po qëndron në paraburgimin e Durrësit, që prej shkurtit të 2025 dhe po gjykohet nga Gjykata e Posaçme për disa akuza, mes të cilave korrupsioni e pastrimi i parave. Vepra penale të cilat ai mohon t’i ketë kryer.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.