Kosova

Shtyhet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës për datën 18 shtator

Shtyrja e seancës është bërë me kërkesë të subjektit politik serb “Lista Serpska”. Ata kërkojnë kohë për konsultime edhe me qeverinë në Beograd.

kuvendi_kosoves

Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, do të mbahet me 18 shtator dhe jo me 12.09., siç ishte planifikuar më herët. Kjo shtyrje është bërë me kërkesë të Listës “Serpska”, e cila ka kërkuar kohë që të konsultohet me kryesinë e saj dhe qeverinë në Beograd. Vendimi për shtyrje të seancës është marrë nga kryesuesja Flora Brovina, deputetja me e vjetër e Kuvendit që vjen nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Jabllanoviq do konsultime për shkak të Vetëvendosjes

Albin Kurti
Albin Kurti

 

Kryetari i Listës Serbe, Aleksandar Jabllanoviq, tha të enjten në mbrëmje se kërkesa e tyre për shtyrje të seancës konstituive bazohet në zhvillimet e reja politike që pasuan përfshirjen e Lëvizjes Vetëvendosje në koalicionin LDK, AAK dhe Nisma, ku pjesë e mbështetjes për bllokun LDK AAK Nisma ishte edhe Lista Serbe.

“Duke e ditur që Vetëvendosje është një subjekt politik që ka kërkuar revidimin e marrëveshjes së Brukselit dhe kërkon pjesëmarrje aktive në rrjedhën e mëtutjeshme të marrëveshjes, për ne, në këto rrethana të reja të krijuara, nevojitet kohë shtesë që të konsultohemi brenda listës sonë, të kryejmë konsultime më Qeverinë e Republikës së Serbisë dhe me subjektet tjera relevante në Kosovë, lidhur me veprimet tona të ardhshme”, tha Aleksandër Jabllanoviq.

Shtyrja e panevojshme

Për përfaqësuesit e bllokut të koalicionit, LDK AAK Nisma dhe Vetëvendosja, kjo shtyrje është e panevojshme. Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i nominuari i bllokut për kryeministër, shpreh besimin se raporti i bllokut me listën serbe, nuk do të ndryshojë.

“Ata kanë thënë ‘shtyrje’, për shkak se dëshirojnë ndoshta konsulta shtesë me zhvillimet e reja që kanë ndodhur. Por nuk besoj që do të ndodhë ndonjë ndryshim, në drejtimin që kemi, në partneritetin me ta”, thotë Ramush Haradinaj.

Vakuumi institucional

Haradinaj, Mustafa dhe LImaj
Blloku LAN: Shtyrja e panevojshme.

 

Ngërçi politik në Kosovë po vazhdon dhe për rrjedhojë është krijuar vakum institucional. Në të gjithë këtë situatë prania ndërkombëtare në Kosovë dëshiron të sigurohet që së shpejti të formohet qeveria që do të adresojë çështje të shumta. Në një deklaratë të përbashkët një ditë më parë të lëshuar nga ambasada gjermane në Prishtinë, përfaqësuesi special i BE-së në Kosovë dhe shefat e misioneve të shteteve anëtare të BE-së, thonë se presin proces demokratik të konstituimit të kuvendit.

“Ne jemi duke e përcjellë procesin demokratik të konstituimit të Kuvendit si hap i parë që të pasohet me formimin e një qeverie legjitime. Ne vazhdojmë që me vendosmëri t’i përmbahemi parimit që të mos ndërhyjmë në këto procese, që janë çështje e brendshme e Kosovës dhe që duhet të adresohen e të zgjidhen nga përfaqësuesit e zgjedhur të Kosovës”, thuhet në deklaratë.

BE dhe QUINT, thonë se qeveria e ardhshme duhet të adresojë sfidat e shumta me të cilat përballet Kosova si qeverisja ekonomike, rritja e standardit të jetesës, përmirësimi i sundimit të ligjit, ndjekja e agjendës evropiane dhe vazhdimi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

“Në këtë kontekst, ne e përsërisim rëndësinë e madhe të vazhdimit të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, në nivel politik e teknik, në mënyrë konstruktive dhe të orientuar në rezultate, duke çuar në normalizim të qëndrueshëm të marrëdhënieve me Serbinë. Ky përkushtim, siç është theksuar qartë në Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim të inicuar së fundmi, ka ndikim të drejtpërdrejtë në rrugën evropiane të Kosovë dhe kësisoj është në interesin vital të Kosovës”, thuhet në deklaratën e përbashkët të përfaqësuesit të BE-së në Kosovë dhe ambasadorëve të vendeve më të industrializuara QUINT.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button