Shullazi, PD: Rama dhe Tahiri në panik; kryeministri: Policia veproi në rrugë ligjore
Çështja e Emiljano Shullazit dhe kërcënimet e prezumuara të tij ndaj profesor Mynyr Konit dhe disa biznesmenëve kanë qenë në qendër të debatit parlamentar të kësaj të enjteje.
Kryetari i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka ka kundërshtuar opozitën e homologut socialist Gramoz Ruçi, që çështja të ngrihej në Parlament.
“Kur Shullazi kërcënon kandidatin për rektor, Ruçit i duket habi përse kjo çështje ngrihet në Parlament. Nuk mund të bëjmë sikur nuk ka ndodhur asgjë, kur shefi juaj i vërtetë është futur pa dijeninë e shefit tuaj të zgjedhur me referendum në burg. Duhet të shqetësoheni edhe ju zoti Ruçi, sikurse janë edhe Rama e Tahiri, që tre ditë më parë nuk dinin ku të shkonin. Krimi me mbështetjen e kësaj qeverie po bën çfarë të dojë”, ka thënë Paloka.
Duke reaguar, kryeministri Rama i ka cilësuar këto si akuza politike, të imponuara sipas tij nga lidershipi i vjetër i Partisë Demokratike.
“Nuk mund të mos flas kur flet i dënuari nga gjykata për shpifje. Në gjyq, një pulë do të thoshte ‘ç’lidhje kam unë, nuk kam asnjë lidhje unë me këtë, kjo është çështje politike, që ma ka dhënë partia, bindja e partisë për mua është provë’. E kam ftuar të provojë qoftë edhe një fjalë të vetme të llumit që ka derdhur për këtë personazh dhe nuk e kuptoj me çfarë kurajoje kërkojnë ta bashkangjisin me ne. Si ka mundësi që nuk latë njeri të botës së krimit pa e kthyer në personazh të politikës?”, ka thënë Rama.
Ai ka nënvizuar se, “ndalimi i Shullazit është bërë nga policia, që ka nisur procedurën pa pasur një denoncim konkret, por duke u nisur vetëm nga një indicje, e paprovuar dhe e ka ndaluar, ka kërkuar nga prokuroria autorizimin për arrestim, të cilin e ka marrë pas mesnate, ndërkohë që personazhi në fjalë ka qenë në qeli”.
“Ju jeni viktimat e para të atij që ju ka drejtuar për 25 vjet, sipas parimeve të Adolf Hitlerit, që thoshte: ‘doni që një gënjeshtër ta besojë turma? Bëjeni sa më të madhe dhe thojeni sa më shpesh’. Në Policinë e Shtetit që drejtojmë ne nuk bëhen përgjime ilegale. Por pak rëndësi ka kjo. Rëndësi ka fakti se ju nuk e fshihni dot kënaqësinë kur flisni për krimin. Po të mos ishte krimi ju do të ishit një çetë memecësh që do flisnit me shenja”, ka shtuar Rama.
Duke iu referuar vizitës së fundit në SHBA, kryeministri ka theksuar se, “në Shtëpinë e Bardhë nuk ftohen persona të inkriminuar”.
Duke marrë fjalën për replikë, Paloka ka deklaruar se, “Rama dhe Tahiri kanë frikë nga institucionet që nuk varen prej tyre”, të cilat sipas tij realizuan arrestimin e Shullazit.
“Byroja e Hetimit nuk varet nga Tahiri i tij dhe prandaj nuk po e votojnë. I trembet byrosë se mund të përfundojë ashtu si Shullazi. Ky kryeministër nuk i fiton dot zgjedhjet pa krimin. Le të shkojë ku të dojë, nga ai vendi ku ishte i erdhi mesazhi si kryeministri i korruptuar”, ka replikuar Paloka, i cili i ka bërë referim edhe deklaratës së ish-zëdhënësit të Pentagonit kundër ndërhyrjes së Ramës ndaj kandidatit për president Donald Trump.
“Unë nuk besoj se ti ke luajtur poker me Shullazin tek “Milosao”. Por unë besoj se ti luan me skedina. Sa për zëdhënësin e Pentagonit, ai është vartës i Trump. Ka punuar në Pentagon, por tani punon për Trump. Por unë mes teje dhe Trump të zgjedh ty. Sa për reformën në drejtësi, ne presim që ju të vini në tavolinë dhe ju thoni që nuk duam ne ta bëjmë reformën. Sa për byronë, FBI-në në Tiranë e kam sjellë unë”, ka reaguar sërish Rama.
Ai ka ftuar opozitën që reformën në drejtësi ta mbyllin edhe brenda kësaj jave, por ajo sipas tij e zvarrit qëllimisht. “Çfarë e pengon reformën në drejtësi të miratohet brenda kësaj jave? Është gjendja e dëshpëruar e disa njerëzve”, ka shtuar Rama.