Shumë pajisje ajrore, detare e tokësore debutojnë në ekspozitën e aviacionit të Kinës
Në pavijonin e fluturimeve kozmike u shfaqën edhe “protagonistët” e veprave kryesore kineze të fluturimeve hapësinore, si fluturimi kozmik me astronaut, hulumtimi në Mars, hulumtimi në Hënë, sistemi i pozicionimit satelitor “Beidou” etj. Kabina e kthimit të anijes kozmike eksperimentale të brezit të fundit të Kinës u bë fokusi i vëmendjes së vizitorëve. Përgjegjesi i Institutit Kërkimor të Teknologjisë Hapësinore të Kinës, Li Zhijie, i tha gazetarit të CMG-së:
“Anija kozmike ekzistuese ‘Shenzhou’ ka tre kabina dhe mund të mbajë e shumta tre veta, të cilët kryejnë kryesisht detyrat afër Tokës, duke përfshirë detyrat në stacionin tonë kozmik. Anija jonë e brezit të ri do të përmbushë kërkesat për hulumtimin e astronautëve në Hënë në të ardhmen. Ajo përbëhet nga dy kabina: kabina e kthimit dhe kabina e shërbimit, dhe mund të kryejë detyrat në stacionin kozmik afër Tokës, si dhe hulumtime në Hënë me 6-7 kozmonautë. Anija e brezit të ri është më e sigurt, më e besueshme dhe mund të përdoret në mënyrë të përsëritur, prandaj mund ta ngrejë shumë aftësinë e Kinës për transportin e njerëzve dhe të mallrave në hapësirë me një kosto të ulët.”
Në aerodromin në këtë ekspozitë, debuton edhe droni “Caihong-6” me raportin e mirë cilësi-çmim. Jia Linlang, përgjegjesi i kompanisë së këtij droni, i tha gazetarit:
“Ky dron karakterizohet nga lartësia e shpejtësia e madhe dhe distanca e gjatë e fluturimit. Ai mund të bashkërendohet me aeroplanët luftarakë në luftim.”
Ndër ekspozitat e shumta ndërkombëtare të aviacionit dhe të hapësirës ajrore në botë, ato në Paris të Francës e në Farnborough të Britanisë dhe ajo e Singaporit kanë historinë më të gjatë dhe ndikimet më të mëdha, duke paraqitur përparimet e fundit të qarqeve botërore të aviacionit. Pavarësisht nga historia e shkurtër, ekspozitat në Zhuhai dhe në Moskë, që filluan nga një pikënisje e lartë dhe kanë pasur zhvillim të shpejtë, janë bërë ndër ekspozitat e aviacionit të nivelit të parë botëror.