Si arabishtja po bëhet gjuha e dytë në Suedi
Pyetja që e mundonte ditë e natë studiuesin e Universitetit të Stokholmit, Mikael Parkvall, ishte: Cila është gjuha e dytë e Suedisë? Pasi iu fut kokë e këmbë statistikave dhe studimeve të ndryshme, Parkvall-i arriti në një përfundim: gjuha arabe ka shumë të ngjarë që shumë shpejt të kthehet në gjuhën e dytë të vendit skandinav
Zyrtarisht, Suedia nuk mban të dhëna për gjuhët që flasin banorët e vendit. Një fakt i tillë e acaronte mjaft Mikael Parkvall-in, një gjuhëtar në Universitetin e Stokholmit, kështu që ai vendosi se do të ishte më mirë që t’i gjente një zgjidhje këtij problemi. Pyetja që e mundonte ditë e natë ishte: Cila është gjuha e dytë e Suedisë?
Pasi iu fut kokë e këmbë statistikave dhe studimeve të ndryshme, Parkvall-i erdhi në një përfundim: gjuha arabe ka shumë të ngjarë që të kthehet shumë shpejt në gjuhën e dytë të vendit skandinav.
Studimi i tij u përqendrua më shumë në gjuhët e lindura dhe jo se cila ishte gjuha e dytë më e folur në Suedi, pasi ai mendon se gjuhët e lindura janë treguesi më i mirë për të arritur në përfundimin që i kishte vënë qëllim vetes. Anglishtja është jashtëzakonisht e përhapur në vend, por suedezët kanë suedishten gjuhën e nënës. Sipas “Sveriges Radio”, në vitin 2012, gjuhën finlandeze e flisnin 200 mijë persona, kurse atë arabe, 155 mijë.
Ardhja e mijëra emigrantëve nga Lindja e Mesme si pasojë e luftërave dhe problemeve për sigurinë e jetës e ka ndryshuar situatën dhe tani, numri i personave që flasin arabisht është shtuar së tepërmi. Edhe pse ai me saktësi nuk mund ta thotë se kur arabishtja do ta kalojë gjuhën finlandeze për numrin e njerëzve që e falsin, sipas studiuesit kjo ka të ngjarë të ndodhë shumë shpejt. Por nuk është vetëm Suedia që ka një nivel kaq të latë të njerëzve që flasin arabisht. Kjo gjuhë është e dyta edhe në vendin tjetër skandinav, Danimarkë, dhe e teta në Francë dhe Holandë.
Gjithsesi ky mund të jetë një ndryshim historik për Suedinë. “Për aq kohë sa ka ekzistuar Suedia, finlandishtja ka qenë gjuha e dytë”, tha Parkvall-i duke shtuar se kjo dominancë e gjuhës finlandeze i ka rrënjët 1 mijë vite më parë. Por tani, numri i folësve të saj po bie, duke qenë se shumica e emigrantëve të cilët erdhën në Suedi në vitet 1960-1970, po vdesin dhe fëmijët e tyre e përdorin më rrallë këtë gjuhë.
Ardhja e mijëra emigrantëve në vitet e fundit ka bërë që arabishtja të përshpejtojë procesin e marrjes së statusit si gjuha e dytë e vendit. Vetëm për vitin 2015 u bënë rreth 150 mijë aplikime për azil, e pjesa më e madhe e aplikuesve ishin nga Lindja e Mesme. “Nuk ka pse të habitemi që arabishtja po fiton kaq shumë terren. Është një gjuhë që flitet nga shumë persona. Nëse mund ta konsiderojmë një gjuhë të vetme”.
Fakti që në Suedi mungojnë të dhënat zyrtare për gjuhët e përdorura mund të çudisë shumë persona. “Unë mendoj se Suedia ka krijuar te të tjerët imazhin e kryeqytetit të statistikave. Pra Vëllai i Madh di gjithçka përreth nesh. Problemi është ndjeshmëria kulturore. Për autoritetet, krijimi i një harte të gjuhës në vend, është njësoj sikur të krijohet në hartë etnie”, u shpreh Parkvall-i.
Gjithsesi, mungesa e shifrave mund ta fshehë realitetin e kombit. Sipas ligjit suedez, janë pesë gjuhë të mbrojtura ligjërisht për minoritetet: ajo finlandeze, Sami, Romani, Jidish dhe Meankieli.
Parkvall shtoi se duke pasur parasysh kriteret në bazë të të cilave gjuhet minoritare përcaktohen, shto këtu edhe situatën politike në vend, vështirë që gjuha arabe të merret në konsideratë.
Sërish, impakti që ka në vend gjuha arabe nuk mund të mos merret në konsideratë. Radioja publike e sponsorizuar nga shteti, Sveriges Radio, lajmëroi së fundmi se do të paraqesë një show në gjuhën arabe. Ai do të drejtohet nga një komedian, i cili erdhi në vend vetëm vitin e kaluar.