Si e botoi fshehurazi CIA “Doktor Zhivagon” në Rusi
Martin Vennard, BBC
Në fillim të shtatorit të vitit 1958, agjenti i shërbimit sekret holandez, Joop van der Wilden, solli në shtëpi armën më të fundit të CIA-s në luftën mes Perëndimit dhe Bashkimit Sovjetik, një pako të vogël ngjyrë kafe prej letre.
“Kisha eksperiencë në shërbimin e inteligjencës, ndaj e dija se ishte diçka shumë e rëndësishme që ai duhej ta mblidhte dhe ta pasonte”, thotë vejusha e tij, Rachel van der Wilden. Nuk ishte një copë e re teknologjie ushtarake, veçse një libër, një kopje e parë në gjuhën ruse e librit “Doktor Zhivago”. Ajo akoma e ka librin dhe letrën mbështjellëse, me datën e shtunë, 6 shtator 1958, të shkruar nga dora e bashkëshortit të saj.
Libri ishte pjesë e një botimi klandestin, që ai e kishte marrë nga botuesit dhe ia kishte kaluar CIA-s. Plani ishte që qindra libra t’u shpërndaheshin vizitorëve sovjetë në Ekspozitën Universale dhe Ndërkombëtare të Brukselit, që do të mbahej në Belgjikën fqinje. Pasternak kishte qenë shumë gjatë një nga poetët dhe përkthyesit më famëkeq në Rusi dhe ishte afërmendsh që disa nga vizitorët do të ishin të etur të lexonin librin e tij të vetëm. U hamendësua që disa do ta merrnin librin në shtëpi dhe do ta qarkullonin te miqtë, disa edhe mund ta kopjonin dhe ta shpërndanin në një grup më të madh. Dosje të deklasifikuara së fundmi nga CIA u publikuan në librin – Afera Zhivago: Kremlini, CIA dhe beteja mbi një libër të ndaluar – i cili flet për “vlerën e madhe të propagandës” dhe “për mesazhin instinktiv dhe natyrën që provokonte mendime”.
“Ne kemi mundësinë t’i bëjmë qytetarët sovjetë të pyesin veten se çfarë nuk shkon me qeverinë e tyre, pasi të lexojnë një vepër të mirë letrare nga një burrë që pranohet se është shkrimtari më i mirë rus që jeton, libër që nuk është i disponueshëm në vendin e tij”, thotë një nga citimet e deklasifikuara.
Romani tregon një histori pjesërisht autobiografike të një doktori dhe poeti rus, Juri Zhivago, gjatë dekadave të rrëmbyera, përpara, gjatë dhe pas revolucionit të 1917-s. Ai është i martuar kur bie në dashuri me një grua tjetër, Lara – e cila është po ashtu e martuar me një bolshevik të betuar – dhe linja e romanit ndjek progresin e marrëdhënies së tyre fatkeqe, teksa jetët e tyre janë të varura nga ngjarjet e kohës.
“Mesazhi njerëzor i Pasternak – që çdo person ka të drejtën e një jete private dhe meriton respekt si qenie njerëzore, që nuk varet nga besnikëria e tij politike apo kontributi për shtetin – përmban sfidën thelbësore të etikës sovjetike të sakrifikimit të individit për sistemin komunist”, thotë një tjetër komunikatë.
“Mendoj se kundërshtimi më i madh i sovjetëve ishte shpirti i romanit”, thotë Peter Finn, një bashkautor i librit “Afera Zhivago”. “Ata e mendonin se ishte kundër revolucionit, që e portretizonte shtetin sovjetik me një këndvështrim negativ dhe ata thjesht e shihnin të papranueshëm.”
Duke e ditur që romani i tij nuk do të publikohej kurrë në Bashkimin Sovjetik, Pasternak u dha dorëshkrime të shtypura disa të huajve në vitin 1956. Ndër ta përfshihej edhe një komunist italian, Sergio d’Angelo, i cili punonte në Moskë si gazetar dhe agjent letrar me kohë të pjesshme për një botues dhe bashkëkomunist, Giangiacomo Feltrinelli. Ai shkroi në librin e tij “Rasti Pasternak”, rreth takimit me autorin 66-vjeçar në shtëpinë e tij në fshat në Peredelkino, një koloni shkrimtarësh jashtë Moskës, në maj të vitit 1956.
“Pasternak është në kopshtin me gardh, veshur me një xhaketë dhe pantallona të thurura me dorë. Kur na vë re, ai afrohet me një buzëqeshje të madhe, hap portën e vogël të kopshtit dhe zgjat duart. Përqafimi i tij është i këndshëm dhe i vendosur”, shkroi ai.
Teksa Pasternak i dorëzon D’Angelos dorëshkrimin, i thotë: “E bëftë xhiron botës!” Më pas ai shton, ndoshta me ironi: “Je i ftuar të më shohësh kur të përballem me pushkatuesit”. Një javë më pas, D’Angelo fluturoi nga Moska në Berlinin Lindor me dorëshkrimin – valixhja e tij nuk u kontrollua – dhe ia dorëzoi atë personalisht Feltrinellit, i cili firmosi kontratë me Pasternak. Feltrinelli u rezistoi kërkesave nga autoritetet sovjetike dhe Partisë Komuniste Italiane për të mos e botuar “Doktor Zhivagon” dhe libri e pa dritën e botimit në italisht në nëntor të 1957-s.
Dokumentet e CIA-s zbulojnë se MI6 ia kishte dalë po ashtu të kishte një kopje të dorëshkrimit dhe ia dorëzoi atë agjencisë amerikane të inteligjencës. Më pas kjo e fundit e rregulloi që një version në gjuhën ruse të botohej në “The Hague” nga një botues me eksperiencë në botimin e librave në gjuhën ruse.
“Ata nuk deshën që të kishte lidhje të dukshme me Amerikën, ndaj vendosën ta botonin në një vend tjetër”, thotë Van der Wilden, që nënvijëzon se ajo nuk pati gisht në operacion. Ajo beson se bashkëshorti i saj ishte zgjedhur të ishte pjesë, sepse ai kishte lidhje me njerëz në shtëpitë botuese, për shkak të përfshirjes së përbashkët në rezistencën holandeze nga pushtimi gjerman në Luftën e Dytë Botërore.
Romani iu dorëzua vizitorëve sovjetë, të cilët ishin disa dhjetëra. “Së shpejti kopertina blu e librit mbushi parqet. Disa që e siguruan librin, e grisën kopertinën, i ndanë faqet dhe i futën në xhepa që ta bënin librin të fshihej më shpejt”, thotë “Afera Zhivago”.
Fjalët për operacionin arritën në veshët e Pasternak, i cili i shkroi një miku në Paris: “Është e vërtetë që ‘Doktor Zhivago’ u shfaq në origjinal? Mesa duket vizitorët e ekspozitës në Bruksel e kanë parë”.
Disa prej këtyre librave arritën të hyjnë në Moskë. Një prej kopjeve u gjend në bibliotekën shtetërore të Rusisë. Kopja e librit ishte kapur nga autoriteti doganor dhe ishte dërguar në seksionin e koleksioneve të veçanta të bibliotekës, ku viheshin librat e ndaluar.
Jo të gjithë ishin të kënaqur me operacionin. Kompania holandeze që publikoi librin nuk kishte marrë të drejtën e autorit, ndaj u kërcënua me padi. Skandali mund të kishte ekspozuar CIA-n, ndaj një marrëveshje u desh të arrihej me Pasternak. Për të shmangur probleme të tilla në të ardhmen, CIA vendosi të prodhojë versionin e vet në gjuhën ruse dhe një libër xhepi me versionin anglisht, nën emrin e një shtëpie botuese franceze të rreme.
Kopje të librave iu dhanë studentëve sovjetë dhe europiano-lindorë në Festivalin Botëror të Rinisë dhe Studentëve, 1959 në Vjenë, që u sponsorizua nga organizata komuniste. Thuhet se shoqëruesit e të rinjve nga Bashkimi Sovjetik i kishin këshilluar ata ta merrnin librin, ta lexonin, por të mos e dërgonin në shtëpi.
Projekti “Doktor Zhivago” i CIA-s ishte pjesë e një përpjekjeje më të madhe nga agjencia për të futur romanë të ndaluar në vendet e bllokut lindor, përfshirë libra të Xhorxh Oruell, Xhejms Xhojs, Vladimir Nabokov dhe Ernest Heminguej.
Ata menduan se letërsia mund të kishte një lloj ndikimi dhe ata (agjentët e inteligjencës) ishin të gatshëm të investonin miliona dollarë në vit për ta realizuar planin. Është llogaritur se gjatë Luftës së Ftohtë, ata dërguan në vendet e lindjes 10 milionë libra dhe revista që qarkulluan kudo.
Pasternak u vlerësua me çmimin Nobel për Letërsinë në tetor të 1958-s, por u detyrua nga autoritetet sovjetike të mos e pranonte. Edhe pse ai ishte poshtëruar nga shtypi vendas, kur shkrimtari vdiq nga kanceri i mushkërive në moshën 70-vjeçare, dy vite më pas, në funeralin e tij, u mblodhën shumë njerëz.
“Doktor Zhivago” ka shitur miliona kopje në të gjithë botën dhe në vitin 1965 u nxor filmi që fitoi çmimin Oskar. Megjithatë, “Doktor Zhivago” nuk u bë i njohur për publikun rus deri në vitin 1988, gjatë reformave të Mikhail Gorbaçov. Bashkimi Sovjetik ra tri vite më pas.