Si e transformoi Sevilja veten në kryeqytetin e biçikletave të Europës Jugore
Si një qytet tregoi se vullneti politik i ndërthurur me aktivizmin qytetar mund të bëjnë mrekulli në zhvillimin e një vendi. Sevilja e Spanjës po i përdor gjithnjë e më shumë biçikletat pas ndërtimit të korsive për to
Manuel Calvo e ngre në ajër biçikletën e tij Brompton në metrat e fundit të një rruge me kalldrëm në qytetin e vjetër të Seviljes, më pas kalon një rrugicë të ngushtë dhe hyn në një rrugë të gjerë të unazës së distriktit.
Papritur, disa korsi makinash dhe autobusësh po kalojnë me shpejtësi atypari, por Calvo nuk ka nevojë të kujdeset aq shumë, ne po ecim në një korsi të vijëzuar për biçikleta, e ndarë nga të dyja anët me gardh.
“Ja ku jemi”, – thotë Calvo, duke pedaluar pa u ngutur përgjatë rrjetit, në projektimin e të cilit ai luajti një rol. “Do të bëj disa gjëra ndryshe herën tjetër, do të përpiqem të zgjeroj pak më shumë korsitë. Por ato janë mirë. Njerëzit i përdorin”.
Dhe i përdorin shumë. Ato janë shtuar aq shumë në numër, saqë Sevilja, kryeqendra e Andaluzisë në jugun e Spanjës, është bërë ndryshe nga ç’mund të mendohej, një qytet i transportit të qëndrueshëm.
Sipas disave, kjo është prova që pak a shumë çdo zonë urbane mund të shtyjë gjithnjë e më tepër njerëz ndaj biçikletave duke shtuar masat e ndërtimit të korsive të posaçme dhe duke i bërë ato të sigurta.
Sapo puna ka mbaruar, çiklistët i popullojnë.
Suksesi i Seviljes ka qenë aq i madh, saqë numri i atyre që udhëtojnë me biçikletë është shtuar 11-fish në pak vite, ndaj zyrtarët komunarë kanë filluar ta zgjerojnë modelin në qytete të tjera të rajonit.
Ndryshe nga Holanda dhe Danimarka, ekzemplarët e zakonshëm europianë për çiklizmin në masë, Spanja mbetet larg nga të qenët një parajsë për dyrrotakët.
Sipas statistikave të BE-së, rreth 1.6 për qind e spanjollëve e konsiderojnë biçikletën si mjetin kryesor të transportit. Rreth më shumë se gjysma udhëtojnë me makinë.
Për shumë vite, Sevilja bënte vetëm 0.5 për qind të udhëtimeve me biçikletë, për shkak të trafikut në rrugë.
Një grup i vogël i aktivistëve të çiklizmit kërkuan prej vitesh që të bëhej ndryshimi, një prej tyre edhe Ricardo Marques Sillero, i cili kujton ta ketë nisur fushatën për korsinë e biçikletave në vitin 1992.
“Kam aq shumë vite që e kërkoj këtë, saqë flokët e mi kanë marrë ngjyrë tjetër nga kur e fillova”, – thotë akademiku i një universiteti.
Fushata e tij fitoi mbështetje me kalimin e kohës nga E Majta e Bashkuar (IU), një aleancë politike e drejtuar nga Partia Komuniste. Në zgjedhjet e vitit 2003, IU fitoi mjaftueshëm vende në këshill për të qeverisur së bashku me socialistët dhe ia doli të bëjë plane për çiklistët në marrëveshjen e koalicionit.
Një arsye paradoksale për suksesin e projektit të korsisë së biçikletave është se pak njerëz besuan se do të ndodhte.
I fuqizuar nga administrata e re, kreu i planifikimit urban të Seviljes, Jose Garcia Cebrain, edhe vetë një çiklist prej kohësh, i hyri punës. Ai punësoi Calvon, i cili edhe vetë kishte ambiciet e ndërtimit të një korsie të veçantë për biçikletat për plot 80 km. Korsia është e ndarë nga një lloj gardhi që i ruan përdoruesit e saj nga pjesa tjetër e trafikut.
Plani është një befasi, sepse ishte një premtim që u mbajt nga politikanët, ndryshe nga sa ndodh zakonisht.
Numri mesatar i biçikletave të përdorura në ditë u rrit nga 6000 deri në më shumë se 70,000.
Përpara se të ndërtoheshin korsitë e biçikletave, Sevilja kishte vetëm dhjetë dyqane që i shisnin, tani ka 50 dyqane.
Por Sevilja nuk është e vetmja, suksesi i saj u pasua nga qytete të tjera të cilat filluan ta kopjonin. Megjithatë asnjëra prej tyre nuk është zotuar ndaj biçikletave në shkallë të madhe dhe mbetet ende shumë punë për t’u bërë.
Por mësimi kryesor është i qartë. Në një kontinent ku politikëbërësit janë duke luftuar për të ndrequr shkatërrimin që i vjen shëndetit publik nga mungesa e aktivitetit fizik, një studim zbuloi se vret 700,000 europianë çdo vit, udhëtimi aktiv duket se është pjesë e kësaj.
Çiklistët janë aktivë dhe Sevilja tregon se ata mund të nxiten duke u krijuar kushtet e përshtatshme të infrastrukturës. Nëse i ndërtoni një korsi të veçantë, çiklistët do ta përdorin.
*Burimi: “Guardian”