Si joshen europianet të martohen me pagesë me emigrantët pa dokumente në BE
Emigrantët aziatikë ose afrikanë përdorin banda të krimit të organizuar për të blerë nuse nga shtetet anëtare të BE-së, nga Europa Lindore, me synim marrjen e dokumenteve për shtetas jashtë BE-së
Klara Balogova ishte 18 vjeçe, pa para dhe shtatzënë kur udhëtoi mijëra kilometra nga Sllovakia në Angli për t’u martuar me një burrë që nuk e kishte takuar kurrë. Ajo e dinte se ai nuk e donte atë apo fëmijën e saj. Ai donte kartën e saj europiane të identitetit. Martesa ishte stisur që dhëndri 23-vjeçar nga Pakistani të fitonte të drejtën për të jetuar dhe punuar në Europë.
Balogovës iu premtua një vend komod për të qëndruar në Britani dhe ndoshta disa para. Por ajo thotë se disa ditë nga mbërritja kaloi nga Mançesteri në Glosgou të Skocisë, ku ajo u mbajt në një apartament së bashku me burrin e ardhshëm. Kur ai nuk ishte vërdallë, vëllai i tij e mbikëqyrte dhe ia morën dokumentet e identitetit.
“Ai nuk më la të dilja jashtë në asnjë çast”, tregon Balogova, një vajzë e turpshme cigane që nuk bëri kurrë kontakt me sy gjatë intervistës. “Një herë në javë ne dilnim bashkë. Nuk më lejohej të dilja vetëm.”
Çdo vit, dhjetëra gra si Balogova nga cepat e varfra të Europës Lindore joshen për të shkuar në Perëndim për martesa të rreme. Burrat, që sipas autoriteteve janë shpesh aziatikë ose afrikanë, paguajnë shuma të mëdha parash, sepse duan të jetojnë, punojnë ose të marrin përfitime nga vendi ku kanë zgjedhur të jetojnë në Europë.
Ata që bëjnë ujdinë, shpesh gangsterë të krimit të organizuar, marrin shumicën e përfitimeve. Dhe gratë ndonjëherë përfundojnë të zëna në kurth në një shtet të huaj, pa përfituar asgjë.
Kjo formë relativisht e re e trafikimit vjen në një kohë kur Europa po kërkon të vendosë rregulla sa më strikte për emigracionin. Kështu, martesat për dokumente janë një nga mënyrat për t’iu shmangur ligjit.
Në Britani, këto martesa janë dyfishuar në vitin 2013 dhe Europa i ka quajtur një fenomen në rritje. Shumica e nuseve bëjnë udhëtime të paguara drejt Britanisë, Irlandës, Gjermanisë dhe Holandës dhe disa nuk e kuptojnë plotësisht se në ç’telash e kanë futur veten, derisa arrijnë atje.
Gratë janë mbajtur peng derisa dokumentet e martesave të firmosen, janë abuzuar nga “bashkëshorti” i tyre dhe miqtë e tij, janë përdorur për seks dhe trafikim droge dhe madje janë martuar më shumë se një herë, sipas autoriteteve dhe organizatave europiane.
“Në varësi të rastit, një grua mund të shitet për mijëra euro”, thotë Angelika Molnar, një specialiste e antitrafikimit të qenieve njerëzore në Europol. “Mund t’ju them se është joshëse.”
Në Letoni, trafikimi për martesa të stisura konsiderohet krim aq serioz, saqë qeveria tashmë po drejton një program ndërkombëtar nga Komisioni Europian për ta luftuar atë. Nga 34 viktima trafikimi të joshura nga jashtë shtetit baltik vitin e shkuar, 22 ishin për martesa të sajuara.
Numri është edhe më i madh në Britani, por zyrtarët bien dakord se trafikimi i nuseve është i vështirë të gjurmohet. Për të kuptuar përse femrat e bëjnë këtë gjë, na duhet vetëm të shkojmë në fshatin e Balogovës. Ajo, ashtu si shumica e grave të trafikuara nga Sllovakia, vjen prej një komuniteti rom ose cigan. Ai gjendet në kufirin e Sllovakisë me Ukrainën dhe Hungarinë dhe është shtëpi e rreth 250 ciganëve, grupit minoritar më të varfër në Europë.
Me rrugë të përbaltura, shtëpi të rrënuara, ujë të ndotur, ky vend nuk ka kushte të mira jetese.
Nicholas Ogu, një punonjës social, thotë se ai ka dijeni edhe për disa të tjerë nga fshati i Balogovës që janë martuar në Britani. Tregtia, siç e quan ai, kontrollohet nga një bandë cigane që rekruton personat e papunë dhe pa arsim, me oferta për fitime të mira jashtë shtetit.
Gratë bëhen bashkëshorte false ose kryejnë prostitucion, ndërsa burrat përfundojnë zakonisht në punë të detyruar. “Ata i joshin gratë dhe ndonjëherë u ofrojnë ndonjë biletë avioni, me raste edhe autobus ose makinë”, thotë Ogu. “Ata rregullojnë dasmën, më pas kur burrat marrin atë që kanë nevojë, i heqin qafe.”
Kriminelët janë grupe sllovakësh ose çekësh që jetojnë në Britani, ndërsa partnerët e tyre në krim rekrutojnë njerëz nga atdheu i tyre”, thotë Miroslav Wlachovsky, ambasadori sllovak në Londër.
Shtatzënia konsiderohet një bonus që rrit shanset e dhëndrit për të qëndruar. Në nëntor, policia tha se zbuloi një rrjet trafikimi ku një dhëndër pakistanez 38-vjeçar kishte paguar 22 000 dollarë te një bandë për një grua sllovake shtatzënë 20-vjeçare.
Gruaja besoi se po vizitonte motrën e saj, por u takua nga një burrë në aeroport dhe u çua në një apartament. Ajo u martua me të në korrik, në një ceremoni nga një imam i vetëshpallur pranë Mançesterit.
Gruaja që ishte gjithashtu cigane, pati kushte të mira jetese derisa burri mori dokumentet. Më pas, një grua që shtirej si e motra e çoi në spital për abort. Viktima nuk dinte anglisht dhe nuk e kuptoi se çfarë po ndodhte, derisa mbërriti një përkthyes. Ajo kujtoi se po ndihmohej të lindte, për shkak të dhembjeve të lindjes.
Ndonjëherë gratë joshen jo me premtim parash ose vende pune, por për dashuri. Në një rast, një grua lituane u takua me një pakistanez në Britani, pasi ai i erdhi vërdallë për muaj në “Facebook”. Ai pretendoi se persekutohej në atdhe dhe madje i tha gruas se e donte atë. Më pas, i rrëmbeu pasaportën dhe ajo mendoi se nuk kishte mundësi tjetër veçse të martohej me të. Gruaja nuk kishte para për t’u kthyer mbrapsht dhe u përdhunua dy herë nga “xhaxhai” i dhëndrit.
Disa gra gjejnë një mënyrë për t’iu bashkuar strehëve, të tjera lihen të enden vërdallë kur burrat marrin të drejtën e qëndrimit që kërkojnë. Shumë prej grave janë më të cenueshme, sepse kanë jetë të trazuara ose kapacitet të paktë mendor.
Vetëm pak çështje kanë përfunduar me dënime, sepse gratë janë shpesh të trembura ose nuk janë në gjendje të dëshmojnë. Gjithashtu disa janë aq të varfra, saqë mendojnë se është më mirë të shfrytëzohen jashtë shtetit sesa të rrinë në atdhe.
Balogova, tani 22 vjeçe, do të martohej pas lindjes së fëmijës në Britani. Por autoritetet e spitalit kishin dyshime për identitetin e babait të fëmijës. Ata gjithashtu zbuluan se ajo nuk e kishte idenë si të shkonte në shtëpinë e supozuar në Britani.
Si përfundim, dhëndri u largua përpara dasmës. Balogova, që nuk u pagua kurrë, qëndroi në një strehë dhe u kthye në Sllovaki dy vite më pas. Fëmija i saj u vu në kujdes social, pasi zyrtarët besuan se ajo nuk do të mund të kujdesej dot për të.
Megjithatë Balogova pranoi se do të provonte me vullnetin e saj edhe një herë shansin në Britani. “Nuk doja të kthehesha”, tregon ajo. “Ishte njëqind herë më mirë për mua në Angli.”
*Burimi: Associated Press