Si kërcënohet ekonomia nga kompanitë offshore…
Ekspertët e ekonomisë bëjnë thirrje që të mos vazhdohet më me kompani që shfrytëzojnë pasuritë e shqiptarëve të regjistruar në vende “offshore”, pasi qëllimi i tyre i vetëm është të vjedhin shtetin dhe qytetarët. Zef Preçi, drejtor i Qendrës për Kërkime Ekonomike, thotë se çështja me rafinerinë ARMO nuk është aspak transparente dhe fsheh interesa të jashtëligjshme.
Z. Preçi, si ju duket lajmi për rivënien në punë të rafinerisë ARMO dhe shfrytëzimit të saj nga një kompani e huaj?
Së pari, duhet të pranojmë që shitja apo kryerja e një transaksioni të tillë quhet e mirëqenë kur konfirmohet nga institucionet relevante. Kam parasysh edhe kontratën e biznesit, edhe kontratën e regjistrimit. Nëse ende nuk kemi asgjë të faktuar, dalja e një ministri në televizor nuk është e mjaftueshme. Së dyti, shpreh keqardhjen dhe shqetësimin që vazhdohet me një retorikë boshe sa u takon investimeve sepse dihet që shtimi i numrit të kompanive të regjistruara si kompani offshore, kudo qofshin në botë, qoftë edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të thotë më pak kontribute në buxhetin e shtetit. Dhe nuk është e mjaftueshme që të kënaqesh se do të paguhen rrogat e prapambetura, pagesa e rrogës ndaj punëtorëve është detyrim kontraktual ligjor që si qeveria dhe gjykata, pra institucionet, duhet të bëjnë të pamundurën për ta realizuar, pavarësisht se cili është investitori, i huaj, vendas, i përbashkët etj. Së treti, duhet të pranojmë se menaxhimi i këtij burimi, shitja e këtij aseti që është ARMO ka kaluar përmes një procesi korruptiv ende të pazbardhur sa i takon privatizimit të kryer herën e parë, për sa i takon përfshirjes së bankave të huaja dhe elementëve të krimit të organizuar deri te veprat kriminale dhe ka nevojë të zbardhet dhe t’i bëhen të njohura publikut.
Mendoni se ka shpresa për rikthimin në jetë të rafinerisë?
Nuk duhet të mjaftohen me ndryshim duarsh oligarkësh. Kjo pasuri duhet të menaxhohet ashtu siç duhet. Do të thotë që procesi i përpunimit të mos përdoret si mjet për të ndotur ambientin, për të shkatërruar makinat, për të bërë evazion fiskal dhe për të bërë korrupsion dhe për të furnizuar oligarkët dhe partitë politike, por të mirëmenaxhohet si çdo vend normal demokratik me institucione dhe shtet ligjor. Dalja e një ministri që nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me kompaninë, nuk duhet parë si sihariq që çdo gjë ka ndryshuar. Duhet parë procedimi ligjor, dokumentar, institucional.
Po taksat dhe detyrimet që ka në buxhetin e shtetit kompania, si mendoni se mund të zgjidhen?
Kushdo qoftë blerësi, vendas apo i huaj, duhet të përmbushë detyrimet karshi bankave, karshi tatimeve dhe taksave dhe shteti duhet të nxjerrë mësime për të mos lejuar krijimin e evazionit fiskal në këto përmasa në një kohë që qeveria prezantohet me dy standarde, represive ndaj qytetarëve në shuma të vogla deri në 30 mijë lekë të vjetra siç është rasti i qytetarit në Lushnjë ku personi humbi jetën, u vetëvra, në një kohë që kompani të tilla krijojnë detyrime në dhjetëra milionë euro që janë para të munguara. Më keq akoma, unë do ta konsideroja si një element të kapjes së shtetit nëse vazhdohet me amnisti fiskale, amnisti tatimore, në favor të bizneseve të tilla. Koncepti i amnistisë ka të bëjë me të mirën më të madhe të shumicës dhe ka të bëjë me ato detyrime që kanë pamundësi të mëdha të vjeljes së tyre dhe kur janë ezauruar të gjitha mundësitë ligjore për marrjen e tyre, që nga sekuestrimi i aseteve dhe deri te marrja e një pjese nga kjo sekuestro qoftë në shuma të vogla. Nëse bëhet ndryshe kemi të bëjmë me favorizime dhe klientelizëm më shumë se me zbatim të ligjit.