Opinion

Si mund të arrestohet avokati për fjalën, kur ai vetëm atë ka

Arben Llangozi

Sulm frontal ndaj avokatisë: Arrestim i padrejtë për shprehje të lirë në sallën e gjyqit, do të depozitoj kallëzim penal ndaj oficeres së policisë dhe prokurorit në SPAK

Dje, më datë 17.10.2025, në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, u zhvillua seanca për caktimin e masës së sigurimit për shtetasin Maksim Suçi, ku akuza përfaqësohej nga prokurori Gjergji Ceka, dhe mbrojtjen e klientit e kishte avokati Ulian Barjami.

Gjatë seancës, avokati Barjami konstatoi prova video që dëshmonin qartë se klienti i tij nuk kishte ushtruar dhunë ndaj punonjësve të policisë, duke shkelur kështu pretendimet e procesverbalit të dorëzuar nga prokurori. Ai deklaroi publikisht se do të bënte kallëzim për falsifikim provash ndaj prokurorit, duke treguar përgjegjësinë e këtij të fundit për shpikjen e një situate të rreme.

Prokurori Ceka, i irrituar nga kjo deklaratë, reagoi në mënyrë të papranueshme duke kërcënuar hapur avokatin Barjami me fjalët: “Ti duhet të arrestohesh, do të arrestohesh”, duke kthyer më tej kokën me nervozizëm nga punonjësit e policisë prezente në sallë. Avokati Barjami i riktheu replika profesionale duke theksuar se do të depozitonin kallëzim penal për shkelje të ligjit nga ana e prokurorit.

Në këtë moment, gjyqtarja Megi Strakosha ndërhyri duke i sqaruar avokatit Barjami se duhet të shmangte këtë diskutim dhe të përqendrohej në interpretimin e provës aktuale, pa u marrë me veprimet që do të kryheshin më vonë. Seanca vijoi e qetë dhe përfundoi pa asnjë debat të mëtejshëm.

Megjithatë, prokurori Ceka nuk e la kaq. Ai, me qëllim të hapur për të penguar veprimtarinë e mbrojtjes ligjore dhe për të justifikuar një ndalim arbitrar, ka paraqitur kallëzim penal ndaj avokatit Barjami. Në përputhje me këtë kallëzim, sot më datë 18.10.2025, avokati Barjami u thirr nga oficere të Policisë Gjyqësore në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan për “disa sqarime”.

Pas shumë orësh pritjeje, në orët e pasdites, punonjësja e policisë Zmeralda Mehilli ndaloi avokatin Barjami si të dyshuar për veprat penale: “Kanosja për shkak të detyrës”, “Kundërshtimi dhe goditja e gjyqtarit” dhe “Kanosja e gjyqtarit”, duke argumentuar se avokati kishte kërcënuar prokurorin dhe oficerët e policisë gjyqësore. Procesverbali është shkruar dhe nënshkruar me orë 17.40, megjithëse ndalimi realisht ka ndodhur rreth orës 15.00.

Ky rast përbën një precedent jashtëzakonisht të rrezikshëm: një avokat ndalohet për deklarata që ka bërë në kuadër të mbrojtjes së klientit të tij në sallën e gjyqit, për të argumentuar falsitetin e provave të dorëzuara nga prokurori.

Kjo është një shkelje flagrante e parimeve të lirisë së shprehjes në procesin gjyqësor dhe e detyrës funksionale të avokatit. Është e papranueshme që prokurori dhe policia të përdorin institucionet e drejtësisë për të intimiduar avokatët dhe për të manipuluar akte proceduralë me qëllim ndëshkimin e tyre.

Në këtë mënyrë, Oficerja e Policisë Gjyqësore Mehilli ka cenuar hapur detyrën e saj funksionale, duke ndaluar arbitrarisht një avokat për një veprim të qartë profesional dhe duke manipuluar orën e procesverbalit. Ky veprim, përveçse dëmton reputacionin e avokatit dhe integritetin e procesit gjyqësor, rrezikon të gjithë profesionin e avokatisë dhe shtetin ligjor në Shqipëri.

Si avokat, unë deklaroj se do të depozitoj kallëzim penal ndaj Oficeres Mehilli për shkelje të ligjit dhe cenim të detyrës funksionale. Ky është një precedent i rrezikshëm që duhet të ngrejë alarmin tek të gjithë kolegët tanë: as prokurorët, as oficerët e policisë nuk mund të mbyllin gojën e një avokati, nuk mund ta ndalojnë atë për shprehje të lirë profesionale dhe nuk mund të përdorin institucionet për hakmarrje personale apo intimidim.

Ftoj të gjithë kolegët e mi të reagojnë ndaj këtij rasti, të mbrojnë të drejtat dhe liritë e tyre profesionale dhe të mos lejojnë që sistemi i drejtësisë të degradojë në instrument kërcënimi dhe shantazhi për avokatët. Profesioni ynë dhe shteti ligjor nuk mund të tolerojnë arbitraritetin dhe bashkëpunimin e paligjshëm mes policisë dhe prokurorisë për të penguar veprimtarinë ligjore të avokatëve.

Më e rëndë se çdo tjetër në këtë ngjarje është fakti se prokurori, i cili duhet të veprojë si garant i ligjit dhe i pavarur, ka marrë rolin e kallëzuesit dhe është i gatshëm të përdorë institucionet e drejtësisë për qëllime personale dhe për të ndëshkuar një avokat që kryen detyrën e tij profesionale.

Ky veprim nuk është thjesht një shkelje procedure, por një pazar i pastër korruptiv dhe ndikim i paligjshem midis oficeres dhe prokurorit , ku influenca dhe pozicioni i prokurorit shfrytëzohen për të intimiduar dhe për të frikësuar mbrojtjen ligjore, duke cenuar lirinë e fjalës, integritetin e avokatit dhe besimin publik te drejtësia.

Një sjellje e tillë krijon precedent të rrezikshëm dhe tregon qartë se pozicioni i prokurorit mund të përdoret si mjet për ndikim dhe korrupsion, duke vënë në rrezik jo vetëm një individ, por gjithë sistemin e drejtësisë.

Pazaret dhe manipulimet brenda sistemit të drejtësisë, ku prokurorë dhe oficerë përdorin pushtetin për përfitime personale dhe për të ndëshkuar avokatët që kryejnë detyrën e tyre, duhet të marrin fund, sepse këto praktika dëmtojnë integritetin e profesionit, cenojnë lirinë profesionale dhe shkatërrojnë besimin publik tek drejtësia.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button