“The Economist”
Për ata që shqetësoheshin mbi shëndetin e demokracisë evropiane, dorëheqjet e fundit ishin ende të mirëpritura, pavarësisht se ishin shumë të papritura. Pas një dekade në të cilën qeveritë populiste e kanë minuar sundimin e ligjit dhe e kanë vënë shtetin në shërbimin e tyre në Evropën Qendrore dhe Lindore, dy udhëheqës të akuzuar për manipulimin e sistemit politik, e humbën në të njëjtën ditë pushtetin e tyre.
Zgjedhjet parlamentare në Republikën Çeke, duket se i kanë dhënë fund mandatit të Andrej Babis, kryeministrit miliarder, që ndodhet aktualisht nën hetim për keqpërdorim të subvencioneve të Bashkimit Evropian, akuzë që ai e hedh poshtë.
Ndërkohë nëAustri, një hetim mbi përdorimin e fondeve qeveritare, me synimin blerjen e mbështetjes mediatike, ka çuar në dorëheqjen e kancelarit Sebastian Kurz, edhe pse ai vetë e mohon se ka shkelur ligjin. Ndërkaq, po afrohet një përballje edhe më e madhe.
Qeveria në Poloni, e udhëhequr nga partia populiste Ligj dhe Drejtësia (PiS), është përpjekur për vite me radhë të vendosën nën kontrollin e saj gjykatat e vendit, gjë që e ka futur atë në një konflikt të ashpër me BE-në. Më 7 tetor,Gjykata Kushtetuese e thelloi hendekun duke deklaruar se disa pjesë të traktatit themeltar të BE-së, shkelin kushtetutën polake, dhe se fjala e fundit në konflikte të tilla i takon gjyqtarëve polakë, dhe jo gjykatës më të lartë të BE-së.
Një mosnjohje dhe mosrespektim i tillë i traktateve të BE-së, mund ta detyrojë komisionin evropian që t’i mohojë Polonisë qasjen tek 36 miliardë euro nga fondet për rimëkëmbjen nga kriza ekonomike e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.
Nëse merret ky vendim, do të ishte përshkallëzimi më i madh i tensioneve në përplasjen e brendshme në BE, mbi standardet minimale demokratike që duhet të mbrojnë të gjithë anëtarët e saj. Nëse KE ecën përpara me këtë çështje, ky do të ishte një sinjal i fortë për të rifutur në binarët e ligjshmërisë vendet anëtare problematike.
Kurz është një politikan i spikatur 35-vjeçar, politikat e ashpra anti-emigracion të të cilit ndihmuan rritjen e tij të shpejtë në karrierë, duke u bërë në fillim kreu i Partisë Popullore Austriake (PVP), Ministër i Jashtëm, dhe më pas kancelar i vendit. Por skandali i fundit, ka hedhur dritë mbi shqetësimet, se si arriti të ngjitej kaq shpejt në krye në një moshë kaq të re.
Më 6 tetor policia bastisi kancelarinë, ministrinë e jashtme dhe selinë e PVP. Njësia e krimit ekonomik në Ministrinë e Drejtësisë,e akuzon partinë në pushtet për përdorimin e fondeve nga Ministria e Jashtme për të korruptuar një gazetë tabloide, me synim botimin e artikujve pozitivë mbi Kurz gjatë viteve 2016-2018.
Shkrimet u bazuan mbi sondazhe fiktive, për ta bërë atë të dukej më popullor, të prodhuara nga një kompani sondazhesh që ishte pranë Kurz. Regjimet jo-liberale i përdorin shpesh reklamat shtetërore për të blerë ndikim në media. Madje disa, siç është qeveria e Hungarisë e drejtuar nga Victor Orban, e bëjnë hapur këtë gjë.
Në Austri, gjërat janë më pak të hapura, por kanë lëvizur në një drejtim shqetësues. Blerjet e reklamave nga qeveria, përbëjnë një pjesë të madhe të buxheteve të shumicës së gazetave, dhe shumë prej tyre kanë kohë që shqetësohen se kjo mund të ketë një ndikim negativ në raportimin e lajmeve prej tyre.
Kurz mohon se ai ka shkelur ndonjë ligj të vendit, apo se ka pasur ndonjë njohuri për këtë skemë. Ai do të qëndrojë si drejtues i partisë në parlament, dhe pasaardhësi i tij si kancelar është një aleat i tij i ngushtë, Alexander Schallenberg.
Madje ai mund ta përpiqej ta shmangte këtë të fundit, në rast se partnerët e tij në koalicion, Partia e Gjelbër, nuk do të kërcënonte se do ta rrëzonte qeverinë nëse ai qëndronte në krye të saj. Austriakët janë shumë të polarizuar në pikëpamjet e tyre mbi zotin Kurz, por ka të ngjarë që ky i fundit të tentojë një rikthim në krye të qeverisë.
Rasti i tij, sugjeron se problemet e Evropës me korrupsionin sistemik, nuk janë të kufizuara vetëm tek vendet ish-komuniste. Në Republikën Çeke, humbja e Babis është ironike për shkak se ai bëri një fushatë të gjatë me një platformë kundër korrupsionit, duke pretenduar se ishte shumë i pasur për të pasur nevojë për të përfituar nga ryshfetet.
Ai e grumbulloi pasurinë e tij duke filluar që në vitet 1990 kur themeloi “Agrofert”, një kompani të madhe bujqësore. Që nga hyrja në politikë në vitin 2013,mbi të kanë rënduar dyshimet se kompania e tij ka abuzuar me subvencionet e BE-së. Hetimet mbi të po kryhen tani nga zyra e Prokurorit Publik Evropian.
Babis i ka kaluar dikujt tjetër aksionet e tij në “Agrofert’. Por një organ tjetër hetimor i BE-së, OLAF, arriti në fillim të këtij viti në përfundimin se lidhjet e tij me kompaninë, përbënin ende një konflikt interesi. Në prag të zgjedhjeve, partia ANO (“Po”) e Babis ishte para me pak përqindje.
Por më 3 tetor një konsorcium ndërkombëtar gazetarësh publikoi “Pandora Papers”, një analizë e madhe dokumentesh të dekonspiruara nga kompanitë financiare off-shore. Anëtarët çekë të konsorciumit, Investigace.eu, thanë se zbulimet treguan se në vitin 2009, Babis kishte dërguar 22 milion dollarë përmes një kompanie guackë në Ishujt e Virgjër Britanikë për të blerë një vilë sekrete në jug të Francës.
Javët e fundit të fushatës, Babis imitoi retorikën e Orban në sulmet e tij ndaj BE-së. Ai ka imituar edhe teknikat e zotit Orban për kontrollin e mediave:”Agrofert” zotëron 25 për qind të mediave të shkruara. Por “Pandora Papers” patën një vëmendje të madhe,dhe mund të kenë prishur ekuilibrin në zgjedhje.
Pjesëmarrja ishte e lartë, sidomos në mesin e të rinjve, dhe në qytete ku opozita është e fortë. Spolu (Bashkë), një aleancë e partive të qendrës së djathtë, mori 27.8 për qind të votave kundrejt 27.1 për qind të ANO. Një aleancë e Partisë Pirate me një grup kryebashkiakësh dhe zyrtarë të tjerë mori 15.6 për qind.
Së bashku ata do të kenë një shumicë të ngushtë në parlament, pasi shumica e partive nuk arritën pragun prej 5 për qind. Por Babis nuk është ende jashtë loje. Presidenti Milos Zeman, një populist euroskeptik, është zotuar ta riemërojë atë si kryeministër, duke pretenduar se ANO fitoi më shumë vota se partitë e tjera individuale.
Por kjo përpjekje nuk ka gjasa të zgjasë shumë. Çështjet komplikohen më tej nga fakti se Zeman u dërgua në spital të dielën i sëmurë rëndë. Fitorja e aleancave të opozitës, po justifikon një taktikë që mund të përdoret në vendet e tjera që përballen me udhëheqësit populistë joliberale.
Edhe në Hungari, partitë opozitare janë bashkuar në të gjithë spektrin politik, për të provuar të mposhtin Orban në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese polake më 8 tetor, ishte sfida më e rëndë ndaj sundimit të ligjit në Evropë.
Komisioni Evropian, që supozohet të garantojë zbatimin e traktateve të bllokut, ka qenë një “polic ngurrues”, duke shtyrë për vite me radhë vendosjen e sanksioneve kuptimplota. Por vendimi i gjykatës polake,mund ta detyrojë KE-në të hidhet në veprim.
Nëse vendet anëtare do të kenë mundësi të injorojnë ligjet evropiane, apo t’i interpretojnë ato sipas gjykimit të tyre, atëherë vihet në diskutim vetë projekti evropian. Deklarata fillestare e komisionit mbi vendimin ishte e kujdesshme, por shumë zyrtarë mendojnë se më në fund ka ardhur koha për një kundërpërgjigje të fortë.
KE mund të refuzojë të autorizojë kërkesën e Polonisë për para nga fondi i madh i BE-së prej 800 miliardë eurosh për rimëkëmbjen nga pasojat e shkaktuara nga koronavirusi, që përfshin një klauzolë që kërkon nga komisioni të vërtetojë se vendet përfituese e respektojnë sundimin e ligjit.