Kronika

Si po përhapet gënjeshtra e “shqiptarëve që duan luftë në Ballkan”

Mediat e afërta me pushtetin në Serbi akuzojnë kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi si planifikues të strategjisë së “Shqipërisë së Madhe”.

Këto media po merren veçanërisht me të ashtuquajturë  “Platforma shqiptare” – një grup kushtesh të partive shqiptare për pjesëmarrjen e tyre në çdo qeveri të re në Maqedoni.

Dy nga pikat kryesore të shqetësimeve janë zgjerimi i përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe dhe kërkesa e platformës që Parlamenti i Maqedonisë të dënojë “gjenocidin kundër shqiptarëve në Maqedoni”, nga viti 1912 në 1956, kohë kur Serbia e mori Maqedoninë nga Perandoria Osmane.

“Shqiptarët planifikojnë përplasje të përgjakshme”, “Terroristët Shiptarë (shqiptarë pa “q” konsiderohet një fjalë fyese) dhe “Mercenarët e Sorosit”, janë vetëm disa nga titujt e gazetave dhe portaleve serbe që kanë mbuluar ngjarjet në Maqedoni së fundmi, – raporton portali ‘Kallzo’.

“Vecernje Novosti”, që zotërohet nga shteti, të dielën akuzoi partinë kryesore shqiptare në Maqedoni, Bashkimin Demokratik për Integrim, BDI, se ka futur “një platformë tiranike” në negociatat për t’iu bashkuar një qeverie të re.

“Platforma Shqiptare”, sipas “V. Novosti”, mund të çojë “në një seri lëvizjesh që do të përçajnë Maqedoninë në linja etnike, në kantone ose njësi federale”.

Kriza politike e Maqedonisë ka përshkallëzuar që nga zgjedhjet e dhjetorit që dështuan në nxjerrjen e një fituesi të qartë.

Zoran Zaev, lideri socialdemokratëve të opozitës, LSDM, po këmbëngul për një mandat për të formuar qeverinë pasi ka një shumicë në Parlament.

Por presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, ka refuzuar t’ia japë atij mandatin, duke pretenduar se pranimi i Platformës shqiptare rrezikon “ekzistencën e Maqedonisë”.

Mbështetës të LSDM-së dhe OBRM-PDUKM-së kanë organizuar protesta pothuajse të përditshme në rrugë duke e akuzuar njëri-tjetrin për tensione.

Në komentin e publikuar të hënën në të përditshmen serbe “Politika”, një deputet nga Partia Progresive Serbe, Miroslav Lazanski fajësoi shqiptarët për kërkesa të ekzagjeruara.

Ai tha se pranimi i Platformës Shqiptare do të ishte njëlloj sikur “Maqedonia të kapitullonte” dhe e akuzoi Perëndimin për hipokrizi në lidhje me mbështetjen ndaj LDSM-së për të formuar një qeveri në koalicion me partitë shqiptare.

Versioni serb i Sputnikut rus të dielën citoi akademikun Kaplan Buroviq ndërsa thoshte se shqiptarët “duan të gjithë Ballkanin dhe Evropën”.

E përditshmja “Blic”, e konsideruar si e afërt me Partinë Progresive në Serbi, të premten publikoi një deklaratë nga ish-presidenti maqedonas Kiro Gligorov që thoshte se “do të ishte naive të besohej se shqiptarët e bënë këtë plan që nga zgjedhjet”.

“Është një strategji më e gjerë politike, e bërë në Tiranë dhe e vulosur në Prishtinë. Krijuesit e saj ishin (kryeministri shqiptar) Edi Rama dhe (presidenti i Kosovës) Hashim Thaçi”, tha Gligorov.

Gazeta proqeveritare “Informer” ndërkohë shkroi në mënyrë më agresive “Shiptarët po kërcënojnë me luftë”.

“Informer” të shtunën publikoi një foto të Zaevit krah atij që e quajti “terrorist shiptar” Bekim Aliut, i cili dyshohet se qëlloi ndaj policisë gjatë një përleshjeje të armatosur në Kumanovë të Maqedonisë.

“Informer” të dielën shkroi në një opinion të kryeredaktorit se Serbia duhet të mësojë “nga pësimet e Maqedonisë” dhe të mos e lejojë NATO-n të komandojë Serbinë, që sipas tij kërkon “të shkaktojë një revolucion shumëngjyrësh” me ndihmën e “ambasadorëve perëndimorë”.

Termi “revolucion shumëngjyrësh” i referohet revolucionit “portokalli” në Ukrainë dhe atij “rozë” në Gjeorgji.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button