Simbole të komunizmit mbi “Dimrin e madh” të Kadaresë
Bienalja Ndërkombëtare e Artit të Torinos vjen në Tiranë/ Helidon Haliti, dy vepra homazh për gjininë e harruar të akuarelit, ndërsa Ardian Isufi evokon të shkuarën përmes gjuhës së simboleve….Mes artistëve shqiptarë do të prezantohen dhe emra të njohur të artit italian më 8 prill në Muzeun Historik Kombëtar
Helidon Haliti i kthehet shpesh akuarelit. Është si t’i kthehesh gjuhës së gjenezës dhe të marrësh që aty forcën për të përshkruar rrugë të tjera. Lugina e Rugovës, një tablo e realizuar prej tij në këtë teknikë, shpalos para teje një shkrirje të natyrës me qiellin. Kufiri mes të gjelbrës së maleve duket sikur ka humbur mes grisë që lundron në të kaltër. Dhe pse e realizuar me një teknikë pothuajse në “zhdukje” kjo tablo ka kaq shumë jetë. Gati një muaj më parë, Haliti e prezantoi këtë vepër bashkë me një pikturë tjetër të realizuar në të njëjtën teknikë në Bienalen Ndërkombëtare të Artit “Stemperando” që u mbajt në Torino më 6 shkurt – 8 mars. Ishin 18 artistë shqiptarë që iu bashkuan emrave të njohur të artit italian në një ekspozitë që kërkonte t’u jepte jetë pikërisht teknikave që vijnë nga letra. Nën kurimin e artistit Alfred Mirashi pavijoni shqiptar arriti të tërhiqte vëmendjen për konceptet që mbartte. Transformimet e letrës në forma të ndryshme arti, u jepnin ndjesi ideve të ndryshme, që rreknin shqetësime të realiteteve që artistët përfaqësonin. Më 8 prill, Bienalja do të zhvendoset në Tiranë, në Muzeun Historik Kombëtar, për të bërë stacionin e dytë të një udhëtimi që do të përfundojë në Romë. Haliti e quan ngjarje ardhjen e kësaj Bienaleje me të njëjtat punë në Tiranë, për vetë konceptin që mbart. Vladimir Llakaj, Agron Rushiti, Adrian Isufi, Fatos Lubonja, Ormira Lulani, Armand Xhomo, Beskida Kraja, Joni Kraja, Helidon Xhixha, Admir Përvathi, Parlind Prelashi, etj., janë disa nga artistët që do prezantojnë punët e tyre në këtë bienale. Tablotë e Halitit kërkojnë të kthejnë vëmendjen jo vetëm te ndjeshmëria që të jep gjithnjë përballja me natyrën, por dhe te një formë e rëndësishme e artit e cila duket sikur është zhdukur. “Janë dy akuarele (bojëra uji mbi letër) një teknikë nga më të vështirat në botë e cila është një teknikë pothuajse në zhdukje në Shqipëri. Shumë pak artistë e aplikojnë. Tashmë dhe në shkollat e artit, sidomos në Akademinë e Arteve nuk e aplikojnë më, edhe pse ajo është nëna e teknikave, pasi ai që njeh mirë akuarelin zotëron më pas të gjitha format e tjera të artit”, thotë Haliti. Kjo teknikë ka qenë shumë e përdorur nga piktorët e traditës në vend dhe ka qenë pjesë e shumë ekspozitave të realizuara ndër vite. “Kjo teknikë ka qenë pjesë e të gjitha ekspozitave kombëtare dhe e përdorur me shumë sukses nga “Shkolla e Vlorës” nga autorë si Skënder Kamberi, Nestor Jonuzi, Agron Dine, në Tiranë nga Qamil Prizreni, apo Sadik Kaceli etj”., thotë Haliti. Dy peizazhet që prezanton në këtë Bienale i ka realizuar gjatë një turi udhëtimi në jug të vendit dy vite më parë, ku krijoi rreth 150 peizazhe në akuarel në mbi 20 qytete. Në botë kjo është një teknikë e cila vazhdon të ketë sukses, sidomos nga piacat e artistëve. Haliti tregon se në korrik do të jetë në Francë pjesëmarrës në një Bienale të akuarelit, ndërsa shpreson të zhvillojë në nëntor në Tiranë Festivalin e Akuarelit me artistë të ftuar nga vendi dhe bota. Ardian Isufi, pjesëmarrës në këtë Bienale pëlqen të provokojë përmes gjuhës së simboleve. Ai ka marrë kopertinën e librit “Dimri i madh” të shkrimtarit të njohur, Ismail Kadare, duke i dhënë një tjetër koncept, i cili mbart brenda gjithë tensionin e një krijimtarie apo jete të bënë nën realizmin socialist. “Krijimtaria ime e viteve të fundit është refleksion mbi simbole dhe mite që u përdorën përgjatë regjimit komunist në Shqipëri në dialog me të tashmen postkomuniste! Hijet e kësaj kohe totalitare vazhdojnë të zgjatohen edhe pas rënies së Murit të Berlinit duke na mbajtur peng në psikikën tonë kolektive. Pra, në këtë kontekst për të “çmitizuar” paradoksin e qëndrimit tonë ironizoj me shenja apo simbole komuniste duke i zhveshur nga përmbajtja apo rëndësia e tyre për të kuptuar forma të reja alternative të mendimit dhe për t’i hequr përfundimisht peshën nga absurdi i kohës së tyre”, thotë Isufi. Interesante është dhe puna tjetër e Isufit “Pa titull” e cila në hartën e një mendjeje vizaton një figurë të brishtë femërore. Mes veprave që do të ekspozohen në Muzeun Historik Kombëtar do të jenë dhe vepra të artistëve të njohur si Schifano e Mastroianni. Bienalja ka dhe një sesion historik, i cili është kuruar nga prof. Anselmo Villata, ku ekspozohen veprat më të njohura të artit të shekullit të XX. Ardhja e kësaj Bienaleje në Tiranë është një mundësi e mirë komunikimi me forma dhe teknika të artit, por dhe njohjen e një pjese të rëndësishme të historisë së shekullit të kaluar që shtrihet në të. Punët e artistëve shqiptarë që prezantohen në këtë Bienale janë pritur mirë nga kritika italiane, e cila ka nxjerrë në pah forcën e tyre për të mos e parë artin të shkëputur nga realiteti.