Sipas ‘GlobalPetrolium’: Shqipëria e 134-ta në listën e cmimeve të ulëta të naftës
Në një renditje e 181 vendeve nga çmimi më i ulët naftës tek ai më i larti që afrohet aktualisht në rang global, Shqipëria renditet e 134 –ta nga një vëzhgim që ka bërë faqja online http://www.globalpetrolprices.com/.
Përllogaritjet e Global Petrol Price tregojnë se, aktualisht çmimi mestar i naftës në rang global është 0.97 USD për litër, ndërsa në Shqipëri e njëjta sasi kushton 1.32 USD.
Një litër naftë në Shqipëri aktualisht shitet 36 për qind më shumë se mesatarja globale, teksa vërehen ndryshime substanciale të diferencave të çmimeve që vende të ndryshme ofrojnë, raporton revista Monitor.
Në një vështrim të përgjithshëm, çmimet më të shtrenjta të naftës i kanë vendet tejet të zhvilluara, ndërsa vendet prodhuese dhe ato tipikisht të varfra kanë çmimet të ulta.
Por Shqipëria bën përjashtim nga këto karakteristika. Ofron çmimet më të larta në nivel evropian duke u krahasuar vetëm me vendet nordike dhe nga ana tjetër renditet ndër vendet e para në Europë për të ardhurat e ulta për frymë dhe nivelin e varfërisë.
Por sipas Global Price diferencën më të madhe të çmimeve ndërmjet shteteve e bën sistemi i taksimit. Kjo duket se, shpjegon pjesërisht pse çmimi i naftës në Shqipëri është ndër më të lartit edhe në rang global, veçse në Rajon.
Global Petrol Price thotë se, pothuajse të gjitha vendet paguajnë çmime të njëjta nga furnizimet globale, por politikat lokale të brendshme të shteteve përcaktojnë ndryshimet.