Sistemi Diellor mund të ketë edhe dy planetë të tjerë përveç Plutonit
Në bankat e shkollës kemi mësuar se Sistemi Diellor është i ndërtuar nga nëntë planetë: Marsi, Mërkuri, Toka, Venera, Jupiteri, Saturni, Urani, Neptuni dhe Plutoni. Por, tashmë, thuhet se ata mund të jenë jo nëntë, por njëmbëdhjetë ose dymbëdhjetë.
Këtë e provojnë të dhënat e përpunuara nga algoritmet e Universitetit Complutense të Madridit dhe Universitetit të Kembrixhit, të cilët kanë identifikuar, përtej orbitës së Neptunit (gjigantit të gazit, katër herë më të madh se planeti ynë dhe i vendosur në periferinë ekstreme të Sistemit tonë Diellor), edhe dy planetë të tjerë.
Bëhet fjalë për trupa të ngurtë, tërësisht të mbuluar me akull dhe kështu, fatkeqësisht për të pasionuarit e këtyre çështjeve, ata janë të privuar nga format e jetës. Dy planetët, gjithsesi, janë relativisht shumë të mëdhenj, ndoshta më shumë se sa dyfishi i Tokës, me një diametër dhjetë herë më të madh se sa ai i planetit tonë.
Zbulimi i papritur del nga analizat e orbitave të disa objekteve përtej Neptunit. Atje ndodhen planetë “xhuxhë” të panumërt me diametër mes 500-2000 kilometra, pra më të vegjël se Hëna; trupa mes të cilëve që nga viti 2006 gjendet edhe Plutoni, që gjerësisht konsiderohet ende planeti i nëntë i Sistemit Diellor, i cili ka pak vjet që është ridimensionuar.
Tashmë, këta planetë “xhuxhë”, teorikisht duhet të jenë të vendosur sipas orbitave të sheshta me një rreze prej jo më shumë se 150 njësish astronomike (një njësi astronomike është distanca mesatare ndërmjet Tokës dhe Diellit), por disa prej tyre mund të jenë edhe përtej, në 525 njësi astronomike.
Kjo u sugjeron shkencëtarëve praninë e një force “misterioze”, që vepron mbi ta dhe shpjegimi më i thjeshtë është pikërisht ai i prodhuar nga graviteti i dy planetëve të mëdhenj përtej Plutonit, të aftë për të ndërprerë orbitën e këtyre planetëve “xhuxhë”.
Këtë gjë e ka mbështetur veçanërisht Karlos de la Fuente Markos (Carlos de la Fuente Marcos), një hulumtues i Universitetit të Madridit, i cili, këtë tezë, e ka konfirmuar në artikuj të ndryshëm. Ndërkohë natyrshëm lind pyetja se përse këta dy planetë, me masë kaq të madhe, nuk janë dalluar deri më tani?
Përgjigjja mund të jetë më e thjeshtë nga sa mendohet: me distancë kaq të madhe, dhjetëra miliardë kilometra, Dielli është shumë larg për t’i ndriçuar këta dy planetë dhe për t’u dhënë atyre dritë reflektuese. Pra, dy gjigandët e panjohur të Sistemit Diellor, kanë mbetur deri më tani të fshehur në hije!
Rezultatet e këtij hulumtimi mund të vënë në dyshim edhe teoritë mbi formimin e Sistemit Diellor, sipas të cilave, planetët kaq shumë në distancë me Diellin nuk mund të ekzistojnë. Tezat e Fuente Markos dhe kolegëve të tij, tregojnë gjithsesi një riprovim të faktit se i njëjti mekanizëm që do ta rregullojë orbitën e planetëve duket se ndikon edhe te kometa 96P/Machholz1, subjekt i gravitetit të Jupiterit.
Ndërsa orbita e miniplanetit 2012 VP113 do të shkatërrohet nga prania e një gjiganti hapësinor, planeti i tretë hipotetik, 10 herë më i madh se sa Toka.
E hënë 26 janar, Toka “takim” shumë të afërt me një asteroid
Me një diametër 500 metra, asteroidi i quajtur 2004 BL86, do të jetë objekti më i madh i kohëve të fundit që do t’i afrohet Tokës pasditen e kësaj të hëne (rreth orës 17:30). Kjo ngjarje mendohet se nuk do të përsëritet të paktën deri në vitin 2027. Ai do të kalojë me një distancë prej 1.2 milionë kilometrash nga Toka, ose e thënë ndryshe tre herë më shumë larg sa është distanca aktuale mes Tokës dhe Hënës.
“Ndaj nuk paraqiten rreziqe të mundshme përplasjeje mes këtij asteroidi dhe planetit tonë”, bëjnë të ditur nga zyra Jpl (Near Earth Object Program Office del Jet Propulsion Laboratory)” e NASA-s, që mban nën vëzhgim objekte të tilla. Ky “takim” i Tokës me asteroidin mund të dallohet nga të gjithë, nëpërmjet dylbive dhe një teleskopi të vogël.