Ekonomia

SKANDALI/ Biznesi paguan energjinë 27% më shtrenjtë

Faturat e energjisë janë kthyer në një makth për shumë biznese, që po detyrohen ta paguajnë energjinë 27% më shtrenjtë se tarifa zyrtare, si rrjedhojë e një konflikti me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) për burimin e furnizimit (tension i mesëm apo i ulët).

OSHEE ka kategorizuar në 2015-n shumë biznese si klientë që furnizohen nga Tensioni i Ulët (TU) pika e matjes, ndërkohë që faktikisht furnizohet nga Tensioni i Mesëm (TM) pika e lidhjes.

Bizneset pohojnë se me këtë veprim ata po detyrohen të paguajnë energjinë me 14 lekë për kWh (tensioni i ulët, aq sa e kanë dhe konsumatorët familjarë), nga 11 lekë/kWh që e kanë tarifën bizneset që klasifikohen në tensionin e mesëm, çka çon në një shtrenjtim me 27% të tarifave të energjisë.

Ky është një shtrenjtim i dytë, përveç rritjes zyrtare të çmimit në fillim të vitit 2015, kur energjia nga 9 lekë/kWh u bë 11 lekë/kWh. Në raport me fundin e 2014-s, rritja reale e kostos së energjisë është rreth 50% (nga 9 në 14 lekë/kWh) për shumë biznese.

Nga llogaritjet e Entit Rregullator të Energjisë (ERE), ndërmarrjet kanë paguar tepër si rrjedhojë e mbi faturimit rreth 11 milionë euro në vetëm tre muaj (shkurt prill 2015), si rrjedhojë e krijimit të një grupi të ri konsumatorësh dhe rritjes së çmimit mesatar të shitjes së energjisë (shiko më poshtë detajet e shkresës dhe llogaritjeve të mbifaturimit).

Nëse situata nuk zgjidhet (disa sipërmarrës konfirmuan për Monitor se ata vijojnë të tarifohen në tension të ulët), atëhere kosto nga mbifaturimi mund të arrijë deri në 40 milionë euro në vit, sa rreth 10% e totalit të të ardhurave vjetore të OSHEE.

Enti Rregullator i Energjisë (ERE) i ka dhënë të drejtë bizneseve dhe pretendon se operatori OSHEE duhet të bëjë faturimet sipas Tensionit të Mesëm, dhe më pas të kompensohen humbjet që do të rezultojnë nga përllogaritjet përkatëse.

Shumë biznese po sorollaten me muaj sa tek OSHEE, ERE, Autoriteti i Konkurrencës dhe Ministria e Industrisë dhe Energjisë dhe nuk po gjejnë zgjidhje.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button