SOCAR: Deri në fund të vitit studimi i fizibilitetit për gazifikimin e Shqipërisë
Kompania energjetike azere SOCAR planifikon të shpallë një tender për të gjetur një kompani që të kryejë një studim paraprak mbi planin e infrastrukturës së gazit në Shqipëri, si pjesë e përpjekjeve të Evropës për të reduktuar varësinë nga gazi nga Rusia. Shqipëria dhe Azerbajxhani nënshkruan një marrëveshje paraprake në dhjetor për të bashkëpunuar në zhvillimin e një rrjetit të gazit në Shqipëri , ku vendi ynë do të kryesojë në ndërtimin e seksionit evropian të projektit, për të sjellë gazin azerbajxhanas në Europë, nga fusha e Shah Deniz II në Detin Kaspik. I ashtuquajturi “Korridori jugor” do të sjellë gazin në Turqi dhe Greqi, si edhe në Itali nëpërmjet Shqipërisë dhe detit Adriatik.
“SOCAR do të njoftojë këtë tender në tre muajt e ardhshëm,” tha Murad Heydarov, këshilltar i presidentit të SOCAR-së për Reuters. “Ne duhet të hartojmë studimin e fizibilitetit para fundit të 2015, e në qoftë se ky projekt konsiderohet efektiv, projekti i gazifikimit të Shqipërisë do të fillojë në mars të vitit të ardhshëm.” Heydarov ka vlerësuar koston e projektit në “disa qindra milionë dollarë”. Gazi azer do të mund të arrijë Evropën jugore deri në fund të kësaj dekade, përmes Trans Adriatik Pipeline dhe tubacionit Trans Anatolian. Këto tubacione do të transportojnë miliarda metra kub gaz në vit, nga Shah Deniz II, një nga fushat më të mëdha botërore të gazit, e cila është zhvilluar nga një konsorcium të udhëhequr nga BP.