Sondazhi në Gjermani: Rusia më e besuar se SHBA
Brexit, populistë të djathtë – gjithnjë e më shumë gjermanë duan një BE të fortë, sipas një sondazhi. Në të njëjtën kohë rritet shqetësimi për sigurinë në Europë e Rusia shihet nga gjermanët si më e besueshme se SHBA.
Prej kohësh nuk flitet kaq shumë për Europën. Shqetësimi është shumë i madh. Nuk kalon asnjë ditë pa i hedhur sytë me shqetësim nga Londra. Loja e tejzgjatur për daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian trazon ndjenjat e europianëve. Do të kemi një Brexit të pakontrolluar, pra pa marrëveshje, apo një marrëveshje me Britaninë e Madhe. Le të bëjnë si të fortë politikanët në Hungari, Austri, Itali…frika për një lamtumirë pa fjalë të mira po shtohet.
Pak dritë për miqtë e Europës
Në këtë situatë të turbullt ka një rreze shprese për ata që duan BE. Sepse në shtetin më të madh të BE, në Gjermani projekti “Europë” gëzon një mbështetje gjithnjë e më të madhe. Sipas një sondazhi të fundit të studiuesve të opinionit të “infratest dimap” me porosi të televizionit ARD dhe gazetës “Die Welt”, që vlerëson trendin në Gjermani, gjysma e të anketuarve shikon në një anëtarësi të Gjermanisë në BE “më shumë avantazhe”. Një rritje me 11% krahasuar me majin 2018, sondazhi i fundit i kryer. Në të njëjtën kohë numri i euroskeptikëve mbetet i palëvizur, 14%. Ata shohin “më shumë disavantazhe” nga qëndrimi i Gjermanisë në BE.
Duket se debati i lodhshëm për Brexit ka dhënë efektin e tij duke e rritur pranueshmërinë e BE mes gjermanëve. Kjo duket edhe në qëndrimin e gjermanëve për të ardhmen e BE. Një bashkëpunim të thelluar mes vendeve europiane e dëshirojnë 57% e të anketuarve.
Nëse do të pyeteshin gjermanët, shumica do të donte që britanikët të mbeteshin në BE. 79% e të pyeturve janë pro qëndrimit të Britanisë së Madhe në BE. Dhimbja e ndarjes është me sa duket e madhe, si në vitin 2016, kur vetëm 17% e gjermanëve e përshëndetën votën pro Brexit.
Rusia gëzon më shumë besueshmëri se SHBA
Analistët e infratest dimap konstatojnë se gjendja globale ka ndryshuar dhe se konfliktet në rritje mes SHBA e Kinës, perëndimit dhe Rusisë i shqetësojnë edhe gjermanët. Asnjëra nga tre fuqitë kryesore, SHBA, Kinë, Rusi nuk shihet si partner shumë i besueshëm për Gjermaninë. Megjithatë Rusia merr pikët më të larta mes gjermanëve në drejtim të besueshmërisë, krahasuar me dy fuqitë e tjera. Rusia gëzon 35% të besueshmërisë mes të anketuarve, pastaj renditet Kina, me 28% e në fund SHBA, ndaj këtij vendi është rritur skepticizimi, vetëm 24% e gjermanëve të anketuar e mbajnë atë për partnerin më të besueshëm të Gjermanisë.
Nga ana tjetër 39% e gjermanëve e cilësojnë si mjaft të rrezikuar paqen dhe sigurinë në Europë aktualisht, 59% pak të rrezikuar ose aspak.