Sot, 102-vjetori i Forcave të Armatosura Shqiptare
Forcat e Armatosura të Shqipërisë festojnë sot 102 vjetorin e Krijimit të Ushtrisë së parë Shqiptare, si një komponent thelbësor në këtë shekull të parë të historisë së shtetit shqiptar.
Duke udhëtuar në korridoret e historisë mund të thuhet se ushtria shqiptare, nga një organizate për mbrojtjen e kufirit, sot është kthyer në një organizatë, pjesë e NATO-s dhe që është komponent i rëndësishëm i paqes në rajon dhe më gjerë.
Në 4 Dhjetor 1912, vetëm 6 ditë pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, u krijua Ushtria Kombëtare. Për herë të parë në historinë shekullore të vendit u krijua Ministria e Mbrojtjes Kombëtare, (Ministria e Luftës)ë e drejtuar nga Mehmet Dralla dhe Shtabi i Përgjithshëm i drejtuar nga Major Ali Shefqeti. Strukturat kryesore përbërëse të saj ishin forcat aktive, rezervë ato vullnetare si edhe Xhandarmëria me 12 000 personel gjithsej. Në tetor 1913, me vendim te Konferencës se ambasadoreve ne Londër, një grup ushtarakësh holandeze (oficerët holandez De Weer dhe Thomson si dhe 15 oficerë të tjerë) ndihmuan në ristrukturimin dhe përgatitjen e xhandarmërisë. Vitet që pasuan shënuan zhvillime të tjera të rëndësishme.
Kështu, për herë të parë Forcat e Armatosura u ndanë në Forca Tokësor, Forca Detare dhe Forca Ajrore. Pavarësisht ndarjes, ato nuk u organizuan në nivelin e dëshiruar. Gjate periudhes se sundimit monarkik kjo ndarje ekzistoi, por vet forcat kaluan ndryshime të brendëshme të vlerësuara pozitive për kohen. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe edhe rritja e buxhetit për ushtrinë ishte e konsiderueshme. Gjithçka shteti shqiptar dhe Forcat e tij të Armatosura kishin arritur deri në fillimin e Luftës së Dytë Botërore do të shuhej në ditën e agresionit fashist ndaj vendit tonë më 7 prill 1939. Shteti u bë inekzistent dhe për pasojë edhe Forcat e tij të Armatosura.
Në këto rrethana lindën forca të reja të armatosura që u përkisnin grupimeve të ndryshme politike të kohës dhe që u përballën me pushtuesit. Forca më e madhe me një skemë organizative të qëndrueshme dhe shumë eficente, me formacione sulmuese të disiplinuara, me një ngritje numerike progresive dhe me një Shtab te Përgjithshëm, ishte Ushtria Antifshiste Vullnetare Nacional Çlirimtare.
Kjo ushtri krijoi 24 Brigada, 8 divizione dhe 3 korparmata me afërsisht 45 000 luftëtarë dhe konsiderohet më e suksesëshmja e ushtrive të pas 1912. Në nëntor 1944 bashkë me forcat territoriale ajo arriti deri 70 000 vetë. Kjo shifër përfaqësonte 7% të popullsisë të Shqipërisë në atë periudhë. Pas çlirimit te vendit ajo ju nënshtrua një procesi reduktimi e riorganizimi. Më 9 korrik 1945 ajo mori emrin Ushtria Kombëtare dhe numri i saj u reduktua në 40 000, në dhjetor në 35 000 ndërsa në 1948 ky numër ra në 27 000 ushtarakë aktive.
Në të njëjtën kohë, ajo filloi transformimin në një ushtri të rregullt të kohës së paqes. Struktura organizative e saj përbëhej nga Ministria e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm, FT, FD, FA, FR dhe ato Territoriale. Në vitin 1951 Ushtria krijoi për herë të parë aviacionin ushtarak, në vitin 1953 Armën e Kimisë, Shërbimin e Komunikimit, Zbulimin etj. FD, tanket, artileria, transporti, logjistika dhe disa shërbime të tjera u riorganizuan. Shqipëria ishte anëtare e Traktatit te Varshavës nga vitet 1950 deri 1968. Ushtria shqiptare u pajis me armatim dhe teknikë nga ish-Bashkimi Sovjetik. Kjo periudhë shënoi fillimet e stërvitjeve të mëdha, si ishte ajo e vitit 1950.
Në vitin 1966, sipas udhëzimeve të PPSH, me qëllimin e bërjes së ushtrisë më pak të kushtueshme dhe të lidhur me popullin për mos lejimin e krijimit të Kastës Ushtarake, u realizua nxjerrja e ushtrisë nga kazermat, heqja e sistemit të gradave dhe shpërndarja e saj ne çdo pjesë të territorit të vendit. Komisari politik u vendos për të përfaqësuar vijën e partise në komandat e të gjitha niveleve të Forcave të Armatosura. Gjate periudhës së Luftës së Ftohtë, në vitet ’70 dhe ’80, Forcat e Armatosura patën një rritje të madhe numerike duke arritur shifrën 61 000 forca aktive, dhe 260,000 rezerviste dhe një numër i madh i Forcave Vullnetare.
Ato u riorganizuan disa herë në njësi të përmasave dhe formave joeficente. Në fund të viteve ’80 kishte 22 divizione që përbënin 3 fronte. Bazuar në konceptin e mbrojtjes pëllëmbë për pëllëmbë, Ushtria u shpërnda në 2200 pika në të gjithë vendin dhe fortifikimi u kthye në qëllim më vete. Për herë të parë në historinë ushtarake botërore Shkollat e Lira ushtarake filluan në Shqipëri.
Në vitet ’90 me ndryshimin e sistemit politik, edhe Ushtria u bë pjesë e këtyre ndryshimeve. Reforma në FA filloi me vendosjen e kontrollit civil në to, heqjen e simboleve komuniste nga uniformat ushtarake dhe zëvëndësimi e tyre me simbolet kombëtare, vendosjen e gradave dhe depolitizimin e departizimin. Në bazë të koncepteve të reja për përdorimin e FA u bë ristrukturimin e riorganizimi i tyre me tendencë kryesore zvogëlimin e sasisë dhe rritjen e cilësisë.
Hapja ndaj botës ishte një aspekt tjetër që i shërbeu modernizimit të FA dhe rritjes së shkallës së ndërveprueshmërisë së tyre me partnerët ndërkombëtare. Në vitin 1992 Shqipëria shpalli publikisht dëshirën e saj për t’u bërë anëtare e NATO-s, dëshirë qe u pasua me ndërmarrjen e hapave konkrete në këtë drejtim.
Kështu, në vitin 1999 u përgatit për herë të parë Plani i Veprimit për Anëtarësim (MAP). Megjithëse në vitin 1997, si pasojë e krizë, FA rezultuan më të dëmtuarat, në një kohë relativisht të shkurtër ato u ringritën dhe u bënë kontribuese të denja për sigurinë e paqen në rajon e më gjerë.
Gjeografia e kontributeve të FA në mbështetje të paqes e sigurisë i kaloi kufijtë e rajonit të Ballkanit për t’u shtrirë edhe përtej kontinentit. Proceset integruese të FA të nisura në vitin 1992 u ridimensionuan pas vitit 1997, në përputhje me realitetet e krijuara dhe arritën pikën e tyre kulmore me ftesën për antaresim në NATO që vendi ynë mori në Samitin e Bukureshit në Prill 2008. Nga ajo kohe Shqipëria ka marrë pjesë në disa misione të NATO-s, si ai në Irak etj. Tashmë ushtria shqiptare po përgatitet të zhvilloje trajnime të përbashkëta me NATO-n dhe në Konferencën e NATO-s të zhvilluar në Angli, Wells, në tetor, është radhitur mes vendeve të Aleancës së Atlantikut Verior për të luftuar krimin kibernetik, si një formë e re e krimit, si dhe në luftën anti-terrorizëm.