Sot Kuvend/ ‘Breshëri’ interpelancash, pritet të miratohen ndryshimet në rregullore
Seanca plenare e kësaj të enjteje, 21 maj pritet të dominohet nga debatet politike, pasi në agjendë janë përfshirë 9 interpelanca dhe një seancë pyetje-përgjigjesh me anëtarë të kabinetit qeveritar.
Opozita, njësoj si në mbledhjet e mëparshme parlamentare, këmbëngul që në sallë të jetë i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, ndaj të cilit janë depozituar dy kërkesa për interpelancë.
Partia Demokratike kërkon sqarime nga kreu i qeverisë lidhur me zhvillimet demografike në vend dhe fenomenin e largimit të shqiptarëve, bazuar në statistikat që disponojnë institucionet shtetërore. Nga ana tjetër, Partia Mundësia kërkon transparencë për ndryshimet që prekin funksionimin e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, veçanërisht për kompetencat e reja që i lejojnë institucionit të negociojë marrëveshje me kompani fluturimesh, hotele dhe agjenci turistike përmes kontratave me elementë konfidencialiteti.
Në fokus të diskutimeve do të jetë edhe ministrja e Shëndetësisë Evis Sala, ndaj së cilës janë paraqitur dy interpelanca nga deputetët Sajmir Korreshi dhe Erisa Xhixho, si edhe një seancë pyetje-përgjigjesh e kërkuar nga deputeti Erald Kapri.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Enea Karakaçi do të përballet me dy interpelanca të iniciuara nga deputeti socialist Erion Braçe. Njëra lidhet me standardet dhe cilësinë e materialeve të përdorura në ndërtimet e banimit, kryesisht për fasadat dhe instalimet e brendshme, ndërsa tjetra ka të bëjë me ecurinë e projektit për përmirësimin e kanalizimeve të Tiranës së Madhe, financuar nga Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA).
Një tjetër përballje parlamentare është kërkuar nga Erald Kapri dhe Agron Shehaj me ministrin e Bujqësisë Andis Salla. Po ashtu, deputetja Ina Zhupa ka kërkuar interpelancë me ministren e Arsimit Mirela Kumbaro.
Ndërkohë, Kuvendi pritet të shqyrtojë edhe ndryshimet në rregulloren parlamentare, një çështje për të cilën mazhoranca dhe opozita duket se kanë arritur kompromis dhe kanë rënë dakord ta miratojnë me votë.
Rendi i ditës
I. Mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 21.5.2026, ora 10:00.
II. Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:
1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 14.5.2026.
2. Njoftime.
3. Interpelancë urgjente me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
4. Interpelancë urgjente me Ministrin e Punëve të Brendshme, z. Besfort Lamallari, kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
5. Interpelancë me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, kërkuar nga deputetët Agron Shehaj dhe Erald Kapri.
6. Interpelancë me Ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, znj. Evis Sala, kërkuar nga deputeti Saimir Korreshi.
7. Interpelancë me Ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, znj. Evis Sala, kërkuar nga deputetja Erisa Xhixho.
8. Seancë pyetje – përgjigje me Ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, znj. Evis Sala, kërkuar nga deputeti Erald Kapri.
9. Interpelancë me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi, kërkuar nga deputeti Erion Braçe.
10. Interpelancë me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi, kërkuar nga deputeti Erion Braçe.
11. Interpelancë me Ministren e Arsimit, znj. Mirela Kumbaro, kërkuar nga deputetja Ina Zhupa.
12. Interpelacë me Ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Andis Salla, kërkuar nga deputetët Agron Shehaj dhe Erald Kapri.
13. Projektligj “Për ratifikimin e kontratës financiare, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve, për punimet e infrastrukturës bashkiake për projektin “Porta e Alpeve”””.
14. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 72/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.
15. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 29/2024, “Për burimet ujore”, të ndryshuar”.
16. Projektvendim “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 166, datë 16.12.2004, “Rregullorja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”.
17. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.