Spajić në Budva: Suksesi i reformave matet me ndryshimet reale që i ndiejnë qytetarët
Bashkëpunimi rajonal, dialogu i hapur dhe komunikimi cilësor publik janë kyç për forcimin e besimit të qytetarëve dhe për një kuptim më të mirë të integrimeve evropiane dhe të proceseve reformuese, u theksua në forumin “Glas javnosti” (Public Voices Forum), i mbajtur dje dhe sot në Budva, siç njofton CdM. Forumi dyditor, i organizuar nga Ministria e Çështjeve Evropiane në partneritet me Bashkimin Evropian dhe Qeverinë e Gjermanisë, u organizua për herë të parë në kuadër të Procesit të Berlinit, pikërisht gjatë kryesimit malazez të kësaj nisme.
Në kuadër të forumit u zhvillua një bisedë me kryeministrin Milojko Spajić, me temën “Nga qytetarët te politikat: të mendojmë së bashku — si ta komunikojmë zgjerimin evropian”, të cilën e moderoi ekspertja për Ballkanin Perëndimor dhe zgjerimin e BE-së, Valeska Eš. Siç raporton CdM, Spajić foli për rëndësinë e marrjes së përgjegjësisë për ndryshimet, të përshtatjes së komunikimit me brezat e rinj dhe të komunikimit dykahësh, që nënkupton dialog aktiv me qytetarët dhe përfshirjen e tyre në vendimmarrje. Ai theksoi se suksesi i reformave nuk matet vetëm me ligjet e miratuara dhe detyrimet e përmbushura, por edhe me ndryshimet reale që qytetarët i ndiejnë në jetën e tyre të përditshme.
Ministrja e Çështjeve Evropiane, Maida Gorčević, e cila e hapi forumin, tha se Procesi i Berlinit e ka lidhur edhe më shumë rajonin, por arritjet e tij — ashtu si ato të integrimeve evropiane — nuk duhet të mbeten të kuptueshme vetëm për njerëzit që ulen në tryezat e negociatave. “Ndërsa Mali i Zi i afrohet fazës përfundimtare të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duam që përparimi ynë ta nxisë gjithë Ballkanin Perëndimor”, porositi Gorčević, sipas CdM-së.
Në panelin “Nga politika te qytetarët: komunikimi i integrimeve evropiane dhe roli i Procesit të Berlinit” morën pjesë ministrja Gorčević, sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Amer Kapetanović, dhe përfaqësuesi i GIZ-it, Filip Radunović. Këshilltarja e kryeministrit për punë të jashtme, Milica Perišić, njoftoi se gjatë kryesimit malazez të Procesit të Berlinit janë organizuar 25 ngjarje, nga takimet ministrore te Forumi i Rinisë dhe Samiti Dixhital, ndërsa ambasadori i Gjermanisë në Mal të Zi, Edgar Alfred Gansen, tha se forumi është një platformë dialogu për ta paraqitur idenë evropiane në mënyrë të qartë, të besueshme dhe relevante për qytetarët.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.