SPAK dërgon për gjykim 4 të pandehurit për rrëmbimin dhe vrasje, si u ndoq dhe u mor peng
SPAK ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë katër persona, të akuzuar për rrëmbimin dhe vrasjen e shtetasit me inicialet R.D., ngjarje e regjistruar më 8 korrik 2025.
Të pandehurit janë Fation Bushgjokaj, Petrit Hoxha (Çakraj), Kristë Bushgjokaj dhe Aleksandër Bushgjokaj.
Sipas SPAK, ndaj tyre janë ngritur akuzat për “Rrëmbim ose mbajtje peng e personit”, në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.
Nga hetimet rezulton se katër të pandehurit kanë vepruar në mënyrë të koordinuar për të lokalizuar, rrëmbyer dhe mbajtur peng R.D.
SPAK thotë se, përmes pamjeve të kamerave të sigurisë, të dhënave GPS të automjeteve të marra me qira, tabulateve telefonike dhe provave të tjera, është rindërtuar lëvizja e autorëve në zonën e Burrelit dhe në aksin Klos–Zenisht.
Sipas hetimit, pranë “Urës së Matit”, R.D. është pikasur duke udhëtuar me automjetin e tij tip Benz. Ai është ndjekur nga një Hyundai Santa Fe, ku ndodheshin Petrit Hoxha dhe Kristë Bushgjokaj. Këta, sipas SPAK, kanë sinjalizuar Fation dhe Aleksandër Bushgjokajn, të cilët ndodheshin në një automjet tjetër, tip Range Rover.
Ndjekja ka vijuar deri te “Kroi i Suçit”, ku rreth orës 21:58, Range Rover-i i ka bllokuar rrugën automjetit të R.D. Sipas organit të akuzës, viktima është nxjerrë me forcë nga makina e tij dhe është futur në Range Rover.
Më pas, tre automjetet kanë vijuar lëvizjen në drejtim të Ulzës dhe Shkopetit. SPAK pretendon se gjatë kësaj faze R.D. është dhunuar dhe më pas i është shkaktuar vdekja. Këto rrethana, sipas prokurorisë, mbështeten edhe në aktin e ekspertimit mjeko-ligjor.
Në vijim, automjeti i viktimës, së bashku me trupin e tij, është hedhur në drejtim të ujërave të liqenit të Ulzës, me qëllim fshehjen dhe zhdukjen e gjurmëve.
SPAK thekson se analiza e lëvizjeve të automjeteve, pamjeve filmike, të dhënave GPS, komunikimeve telefonike dhe të dhënave të nxjerra nga pajisjet telefonike ka çuar në përfundimin se rrëmbimi dhe vrasja kanë qenë pjesë e një plani të strukturuar dhe të koordinuar.
Me dërgimin e dosjes në gjykatë, tashmë do të jetë Gjykata e Posaçme ajo që do të vlerësojë provat e administruara dhe përgjegjësinë penale të katër të pandehurve.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.