Spanja s’e heq autonominë e Katalonjës, vetëm do të shkarkojë zyrtarët rajonalë
Kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoy, pas seancës së jashtëzakonshme të kabinetit të tij qeveritar deklaroi se Qeveria e Spanjës nuk do të heq autonominë e Katalonjës, dhe se vetëm do të shkarkojë zyrtarët rajonalë të cilët kanë shkelur ligjin.
Rajoy fajësoi separatistët se kanë detyruar Qeverinë e Spanjës që të ndërmarrë masa të paprecedent kundër Katalonjës. Ai i kërkoi një pëlqim Senatit që të shkarkojë qeverinë e Katalonjës dhe të shpall zgjedhje të jashtëzakonshme në atë rajon.
Ndër masat e propozuara është që ministrat e qeverisë qendrore të marrin kompetencat e zyrtarëve rajonalë.
Kabineti i kryeministrit Rajoy u mblodh sot për të sqaruar kornizën kohore të masave të cilat do ti ndërmarrë qeveria në përputhje me nenin 155 të kushtetutës. Neni i mundëson qeverisë të intervenojë nëse njëra nga 17 rajonet autonome në Spanjë nuk respekton ligjin.
Partitë opozitare më parë kanë rënë dakord të mbështesin kryeministrin në heqjen e autonomisë së Katalonjës.
Presidenti katalanas, Carles Puigdemon, ka kërcënuar të thërrasë Parlamentin rajonal për të votuar shpalljen e pavarësisë nga Spanja.