Spanjë-Argjentinë vendos rekorde dhe jashtë fushës së blertë, miliona dollarë për një biletë
Finalja e Kupës së Botës në New York ka vendosur një rekord të ri për çmimet e biletave, pasi në platformën zyrtare të rishitjes së FIFA-s çmimi i disa biletave shkoi deri në 2.3 milionë dollarë, më pak se 24 orë para fillimit të ndeshjes.
Përballja mes Argjentinës së Lionel Messit dhe Spanjës së udhëhequr nga talenti 18-vjeçar Lamine Yamal ka bërë që kërkesa për bileta të jetë e jashtëzakonshme, duke e shndërruar finalen në një nga ngjarjet sportive më të shtrenjta të zhvilluara ndonjëherë në Shtetet e Bashkuara.
Vetëm pak orë para finales, biletat e fundit në platformën e FIFA-s shiteshin për rreth 32 mijë dollarë secila, ndërsa të shtunën ofertat varionin nga afro 10 mijë dollarë deri në 2.3 milionë dollarë. Kjo rritje e jashtëzakonshme e çmimeve pasqyron interesin rekord të tifozëve, të cilët kanë qenë të gatshëm të paguajnë shuma shumë të larta për të ndjekur nga afër turneun më prestigjioz të futbollit.

Ekspertët e industrisë së biletave vlerësojnë se FIFA ka arritur të parashikojë me sukses kërkesën e tregut. Sipas specialistit Scott Friedman, organizatorët vendosën çmime të larta që në fillim dhe përdorën një strategji të njohur si “slou ticketing”, duke nxjerrë biletat në shitje në mënyrë graduale për të krijuar ndjesinë e mungesës së tyre dhe për të nxitur blerjet.
Ai theksoi se, pavarësisht shqetësimeve për kufizimet e vizave apo klimën politike në SHBA, interesi global për Kupën e Botës mbeti jashtëzakonisht i lartë. Turneu i këtij viti shënoi për herë të parë përdorimin e sistemit të çmimeve dinamike, ku vlera e biletave ndryshon në kohë reale sipas kërkesës së tregut.
Ky model ka sjellë fitime të mëdha për FIFA-n, por edhe kritika, pasi shumë tifozë kanë kërkuar më shumë transparencë për mënyrën sesi përcaktohen çmimet. Sipas profesorit Adam Elmachtoub, publiku e pranon çmimin dinamik në sektorë si udhëtimet ajrore, por në një ngjarje kaq të rëndësishme sportive, mungesa e transparencës ka shkaktuar pakënaqësi.
Të dhënat e pjesëmarrjes tregojnë se interesi për Kupën e Botës ishte rekord. Rreth 99.7 për qind e vendeve të disponueshme në ndeshjet e fazës së grupeve u mbushën, ndërsa mbi gjysma e tyre u zhvilluan me stadiume plotësisht të mbushura. Edhe pse në fillim pati shqetësime për çmimet e larta dhe disa vende bosh në ndeshjet e para, turneu me 48 kombëtare rezultoi një sukses i madh sa i përket pjesëmarrjes së tifozëve.

Ndërkohë, tregu i rishitjes në SHBA, ku rregullat janë më të lehta krahasuar me vende të tjera, ka ndikuar në rritjen e mëtejshme të çmimeve. Në platforma të ndryshme, çmimi mesatar për një biletë të finales kaloi 11 mijë dollarët, duke i bërë sfidat më të shtrenjta ndonjëherë, madje edhe më të kushtueshme se finalja e Super Boul-it të vitit 2024.

Megjithatë, organizatat për të drejtat e tifozëve dhe të drejtat e njeriut kanë kritikuar ashpër situatën, duke argumentuar se Kupa e Botës është bërë një aktivitet i rezervuar kryesisht për njerëzit me të ardhura shumë të larta. Sipas tyre, çmimet e larta të biletave, kostot e udhëtimit dhe vështirësitë me vizat kanë bërë që shumë tifozë të zakonshëm të mos kenë mundësi të ndjekin nga afër turneun, pavarësisht premtimeve për një Kupë Bote më gjithëpërfshirëse.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.