Standardi i qëndrimeve të dyfishta të Kryeministrit për njohjen e Kosovës
DR. ENVER BYTYÇI
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë vizitës së tij të para disa ditëve në Izrael u përpoq të justifikojë Tel Avivin për mosnjohjen e Kosovës si shtet. Ai, në një intervistë televizive u shpreh se mosnjohja e Kosovës nga Izraeli nuk lidhet me qëndrimin e këtij vendi ndaj shqiptarëve, por me njohjen e Palestinës. Kjo deklaratë e lexuar direkt duket si një përpjekje e Kryeministrit tonë për të përligjur një veprim të një vendi, i cili dëmton interesat kombëtare të shqiptarëve. Mirëpo, duke njohur faktin se zoti Rama nuk shquhet për kompromise të tilla, kur është fjala për qëndrimin e BE-së p.sh. ndaj Shqipërisë dhe Kosovës, atëherë vetiu lind një pikëpyetje e madhe: Pse për Izraelin është i pranueshëm, në mos i ligjshëm, një qëndrim i tij në dëm të interesave të shqiptarëve, ndërkohë që për Europën thuhet e kundërta?!
Për hir të së vërtetës duhet thënë se para dhjetë vitesh ish-Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, pati deklaruar të njëjtën gjë në rastin e një takimi që ai pati me Presidentin rus, Vladimir Putin, gjatë një samiti në Zagreb. Ai u shpreh asokohe se “Presidenti Putin më tha se ne nuk e njohim Kosovën, por kjo nuk do të thotë se kemi ndonjë gjë me ju shqiptarët”. Ish-presidenti ynë dukej i entuziazmuar nga ky përcaktim i Kremlinit, së paku në deklaratën e tij. Për zotin Rama nuk mund të përcaktoj, nëse ai është ose jo i entuziazmuar nga fakti që Izraeli nuk e njeh Kosovën për arsye të brendshme dhe jo për shkak të ndonjë kompleksi të tij ndaj shqiptarëve.
Por diskutimi i këtij lloj qëndrimi të zotit Rama nuk ka të bëjë thjesht me paralelizmin midis dy deklaratave të sipërcituara. Diskutimi më i rëndësishëm është te standardi i gjykimit për qëndrimet që shtete të ndryshme mbajnë ndaj pavarësisë së Kosovës. Pavarësia e Kosovës e njohja e saj janë e duhet të jenë vijë ndarjeje në qëndrimet politike dhe diplomatike të shtetit shqiptar në marrëdhëniet e tij me shtetet e tjera. Deklarata e zotit Rama e përjashton Izraelin nga kjo hartë qëndrimesh, madje e justifikon atë për qëndrimin e pakuptimtë sa i përket njohjes së shtetit të Kosovës. Shprehem me termin e pakuptimtë, sepse Izraeli duhet të jetë mirënjohës ndaj shqiptarëve më shumë se ndaj çdo kombi tjetër në botë, pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për arsyen e thjeshtë se ata mbrojtën me besnikëri jetën e të gjithë judëve të strehuar në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pra, ka një arsye më shumë pse nuk duhet marrë në konsideratë konflikti i brendshëm në rastin e Izraelit.
Ndërkohë, Kryeministri ynë për vende të tjera, si Greqia, Spanja, Rumania, Sllovakia, Qipro, për të mos përmendur Rusinë, e ndonjë vend tjetër, së paku në aparencë shpreh një lloj pakënaqësie pse këto vende nuk e njohin ende shtetin e Kosovës. Të gjitha këto vende, përjashto Greqinë dhe Rusinë, kanë probleme me pakicat e tyre, u druhen lëvizjeve separatiste. Por unë nuk besoj se ato qëndrojnë në pozitat e antishqiptarizmit për shkak të këtyre tendencave në marrëdhëniet e brendshme etnike. Në më të shumtën e rasteve problemi qëndron gjetkë. Le të marrim Spanjën: Kur NATO sulmoi pozicionet serbe për çlirimin e Kosovës nga dhuna e terrori i Beogradit, Spanja e drejtuar nga konservatorët ishte pro sulmeve ajrore të NATO-s. Madje fushatën e bombardimeve e urdhëruan dy persona, Bill Klinton në Uashington dhe spanjolli Javer Solana në Bruksel. Ishte e ditur se këto sulme do të çonin në krijimin e një shteti të ri në Europë. Megjithatë, udhëheqësit spanjollë u bënë bashkë me NATO-n dhe BE-në. Pse ndryshoi ky qëndrim më 2008-n? Të jenë vërtet Katalanja dhe baskët shkaku i këtij qëndrimi? Ata aty ishin edhe në rastin e bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë. Shpjegimi është i thjeshtë: Qeveria e majtë spanjolle e 2008-s ishte një qeveri pak a shumë antiamerikane dhe proruse. Prandaj dhe u pozicionua ashpër kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës, madje duke lobuar fort në vendet e Amerikës Latine spanjishtfolëse.
Pra, lidhjet me Serbinë dhe Rusinë janë element i padiskutueshëm, të cilat ndikojnë në qëndrimin e këtyre vendeve ndaj shtetit të Kosovës. Kjo është e vërtetë edhe sa i përket Izraelit. Diplomatët izraelitë, përfshirë dhe ministrin e Jashtëm të këtij vendi, kanë deklaruar disa herë në Beograd, se “nuk do ta njohin pavarësinë e Kosovës”. Deklarata të tilla në kryeqytetin e Serbisë nuk kanë lidhje me krijimin e shtetit palestinez. Ato janë deklarata në mbështetje të politikave serbe ndaj Kosovës dhe shqiptarëve. Të njëjtën gjë kanë bërë thuajse të gjithë politikanët dhe diplomatët e vendeve që përmenda më sipër, kur ata kanë vizituar Beogradin. Dëshmia e solidaritetit të këtyre vendeve, përfshirë dhe Tel Avivin, më Serbinë nuk ka lidhje me zhvillimet e brendshme, por me një qëndrim të hapur së paku kundër shqiptarëve të Kosovës.
Në këto kushte, deklarata e Kryeministrit në Izrael është e pavërtetë. Por ajo është e pasaktë edhe në aspektin e një të vërtete tjetër. Pavarësia e Kosovës ishte një proces i gjatë, i shoqëruar me dhunë, terror, vrasje, shpërngulje, burgosje, ishte proces i zhvilluar në ballafaqim me përpjekjet e shtetit serb për shkolonizimin e kolonizimin e saj. Nëse kjo e vërtetë shpjegohet qartë te partnerët tanë, për më tepër te miqtë tanë, si Izraeli, atëherë ngërçi i mosnjohjes kapërcehet lehtë. Së paku në intervistën televizive, zoti Rama nuk tha se kishte bërë përpjekje të mjaftueshme për ta bindur Tel Avivin me këto të dhëna të pakundërshtueshme. Edhe ky është një problem i madh sa u përket përpjekjeve të diplomacisë sonë në funksion të argumentit për njohjen e domosdoshme të shtetit të Kosovës.
Ballafaquar me realitetin, zoti Rama nuk kishte pse e justifikonte qëndrimin e qeverisë së Tel Avivit sa i përket njohjes së shtetit të Kosovës. Madje, ky justifikim duket se do të ketë pasoja të rrezikshme në të ardhmen, pasi vendet me të cilat Kryeministri, politika dhe diplomacia jonë shprehen kritike, do të thonë: “Ne kemi të njëjtin problem, si edhe Izraeli, prandaj na mirëkuptoni pse ne nuk do e njohim shtetin e Kosovës. Vetë Kryeministri juaj e ka thënë se problemet e brendshme mund të jenë mjet justifikues për mosnjohjen e shtetit të Kosovës”. Në këtë rast çdo diplomat dhe politikan shqiptar do të jetë i çarmatosur në argumentet e tij për të mbrojtur një të vërtetë tjetër të pakundërshtueshme: Se pavarësia e Kosovës ishte një akt i drejtë, i mbështetur në të drejtën ndërkombëtare dhe me impakt pozitiv në stabilitetin, sigurinë dhe paqen rajonale e të përgjithshme.
Nuk e di nëse Kryeministri i vendit tim këshillohet ose jo me dikë kur bën deklarata të tilla, por ato më së paku mund të konsiderohen si deklarata të papërgjegjshme dhe me pasoja të rënda për ardhmërinë e Kosovës. Nuk besoj gjithashtu që zoti Rama mund të ngushëllohet me faktin se të njëjtën gjë ka përsëritur para tij një ish-president i vendit tonë! Dhe së fundi një këshillë për kreun e ekzekutivit: Politika e jashtme e vendit nuk mund të zhvillohet sipas shijeve të Edi Ramës si individ, ajo zhvillohet, elaborohet dhe zbatohet sipas një platforme të caktuar, madje të pandryshueshme e të pandikuara nga ngjyrat e partive dhe shijeve të individëve që udhëheqin këto parti. Së paku sa i përket politikës së jashtme, këtë duhet ta mësoni dhe fiksoni mirë në kokë, i nderuar zoti Kryeministër.