Stavileci-Kuçi: Bashkëpunimi Kosovë-Maqedoni duhet të ngritet në një nivel më të lartë
Ministri i Ekonomisë së Maqedonisë, Driton Kuçi, u prit sot në takim në Kosovë nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ku diskuan për vazhdimin e bashkëpunimin në sferën e ekonomisë, projektet në fushën e energjetikës, shkëmbimin tregtar mes dy vendeve, heqjen eventuale të barrierave etj.
Në takim u theksua se bashkëpunimi Kosovë-Maqedoni duhet të ngrihet në një nivel më të lartë.
Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë duhet të intensifikojnë bashkëpunimin në fushat e interesit të përbashkët si energjia, infrastruktura dhe fusha tjera që hynë në kuadër të bashkëpunimit rajonal. Kështu u tha nga ministri i Zhvillimit Ekonomik i Kosovës, Blerand Stavileci dhe ministri i Ekonomisë i Maqedonisë, Driton Kuçi, pas takimit, gjatë një konference të përbashkët për media në Prishtinë.
Ministri Stavileci tha se me homologun e tij nga Maqedonia janë pajtuar se niveli i bashkëpunimit që kemi pasur në të kaluarën, patjetër duhet të ngrihet në një nivel tjetër, nisur nga fakti që ne kemi pasur disa marrëveshje të nënshkruara mes shteteve tona.
Sipas tij, duke e ditur që të dyja shtetet janë bashkëpjesëmarrëse në të gjithat iniciativat rajonale, përfshi edhe ato që rrjedhin nga procesi i Berlinit në kuadër të të cilit janë axhenda e rrjetit të transportit në shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe interkonektiviteti në fushën e energjisë, ky bashkëpunim duhet çuar më tej.
“Në këtë kuadër është shumë e rëndësishme që shtetet e Evropës Juglindore, sidomos këto që jemi fqinj të kemi projekte me të cilat do të lidheshim edhe më mirë me njeri-tjetrin, pastaj do të lidheshim edhe në platformat tjera sidomos në aspektin e tregut rajonal”, tha Stavileci, duke marrë si referencë pozitive bashkëpunimin Kosovë-Shqipëri në këto fusha.
Kreu i MZHE-së, tha se praktika e bashkëpunimit me Shqipërinë ku hyn autostrada energjetike – 400 kV dhe projektet që do të kenë impakt edhe në zhvillimet e ardhshme në tregjet e përbashkëta, mund të ndiqen edhe me Republikën e Maqedonisë, me qëllim të krijimit të një tregut të integruar rajonal.
“Delegacionet përkatëse u zotuan që do t’i rinisim këto ide të mëparshme dhe të shohim si t’i avancojmë ato në mënyrë që shtetet tona të lidhen në kuptimin e infrastrukturës fizike por edhe në kuptimin e ndërtimit të kapaciteteve energjetike, me të cilat mund të komplementarizohemi, me çka ndikojmë edhe në sigurinë e furnizimit, jo vetëm për Kosovën dhe Maqedoninë, por edhe me shtete tjera”, tha Stavileci, duke shtuar se kjo do t’i japë një frymëmarrje tjetër të dyja vendeve.
Ministri i Ekonomisë i Maqedonisë, Driton Kuçi tha se dy vendet kanë vendosur bazë solide për themelimin e bashkëpunimit me projekte të reja në interes të qytetarëve të dy vendeve.
“Gjatë takimit u bisedua rreth projekteve energjetike aktuale të përbashkëta sikurse është interkonektimi i dytë Maqedoni -Kosovë prej 400 kV, në të cilën tani më marrin pjesë dy vendet në pranimin e studimeve për vërtetësi, ndërsa është nënshkruar edhe Marrëveshja Operative mes MEPSO dhe KOSTT me të cilën rregullohet bashkëpunimi i sistemeve interkonektive mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Kosovës”, tha ai.
Kuçi më tutje tha se me kolegun Stavileci u pajtuam rreth rëndësisë së zhvillimit të sistemeve gazpërçues të dy vendeve, sepse në pajtim me studimet e fizibilitetit për sistemin gazpërçues në Maqedoni, në mesin e 6 interkonektimeve potenciale shtesë të parashikuara është edhe interkonektimi me Kosovën me të cilën do të shtohet sigurimi i furnizimit me energji.
Sipas tij, bashkëpunimi realizohet në bazë të 28 marrëveshjeve të nënshkruara midis dy vendeve, por ky bashkëpunim pritet të konkretizohet edhe më tutje nga grupet punuese të dy ministrive.