Steinbaum: Baza e përhershme në Bondsteel do të forconte ndikimin amerikan në rajon
Jason Steinbaum, ish Drejtori i Stafit pranë Komisionit për Punë të Jashtme në Kongresin amerikan, i cili për 30 vjet rresht ishte edhe shefi i stafit të Kongresmenit Eliot Engel, ka thënë se shndërrimi i kampit Bondsteel në një bazë të përhershme amerikane mund të kontribuojë në ruajtjen e ndikimit të SHBA-së në Kosovë dhe në rajon.
Ai gjithashtu thotë se kjo do të ndikonte në përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet Uashingtonit dhe Prishtinës, veçanërisht nëse Kosova do të mundësonte kushte të privilegjuara për shfrytëzimin e kësaj toke.
Steinbaum thotë se Bondsteel është i rëndësishëm për KFOR-in, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe rajonin, ndërsa roli kryesor i këtij kampi është të ofrojë mbështetje logjistike.
“Prania amerikane në Kosovë siguron informacione të inteligjencës, kapacitete komunikimi dhe forma të tjera të mbështetjes, rëndësia e të cilave shkon përtej numrit të ushtarëve amerikanë të dislokuar në këtë zonë. Kemi nga 500 deri në 600 ushtarë, nga gjithsej rreth 4.500 pjesëtarë të KFOR-it. Kjo përbën nga 10 deri në 15 për qind të forcave të përgjithshme. Nga këndvështrimi amerikan, kjo përfaqëson një ndarje të drejtë të barrës. Megjithatë, një bazë e përhershme në kampin Bondsteel mund të luajë një rol shumë të rëndësishëm në ruajtjen e ndikimit amerikan, si dhe të stabilitetit dhe sigurisë që synojmë të garantojmë në rajon, nëse kampi merr statusin e një objekti të përhershëm ushtarak”, ka thënë Steinbaum për portalin në gjuhën serbe “Kossev”.
Duke folur për ndryshimin në përbërjen e forcave amerikane në Kosovë, përkatësisht angazhimin e pjesëtarëve të forcave të rregullta në vend të pjesëtarëve të Gardës Kombëtare, Steinbaum thotë se bëhet fjalë për një përshtatje operacionale.
“Në të vërtetë, kjo nuk duhet ta ndryshojë mënyrën e funksionimit të forcave, gjë që është e rëndësishme për ruajtjen e sigurisë, stabilitetit dhe lirisë së lëvizjes së njerëzve në të gjithë Kosovën. Kjo gjithashtu nuk do ta ndryshojë situatën sa i përket Serbisë, e cila, siç e dimë të gjithë, ka planet e saj lidhur me Kosovën. Megjithatë, prania e KFOR-it shërben si faktor parandalues”, thotë eksperti amerikan.
Steinbaum konsideron se Beogradi nuk duhet të shqetësohet nëse Bondsteel shndërrohet në një bazë të përhershme amerikane.
“KFOR-i ka qenë i pranishëm në kampin Bondsteel për disa dekada, ndaj konsideroj se pretendimi se krijimi i një baze të përhershme mund të ndikojë në Serbi ose ta frikësojë atë në çfarëdo mënyre është një shqetësim i krijuar artificialisht. Megjithatë, prania jonë atje ka, po e përsëris, një ndikim jashtëzakonisht të madh në stabilitetin dhe sigurinë e rajonit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aktori më i rëndësishëm në Kosovë. Ne jemi aktori ndërkombëtar më i rëndësishëm dhe kemi ndikimin më të madh mbi qeverinë atje. Ky ndikim nuk është vetëm diplomatik, por shtrihet edhe në çështjet e sigurisë”, thotë Steinbaum.
Ai thekson se SHBA-ja ofron trajnime dhe siguron koordinim.
“Shërbimet e sigurisë së Kosovës madje kanë marrë pjesë së bashku me ne në misione ndërkombëtare paqeruajtëse. Kjo përbën një prani të rëndësishme në një vend që ofron mbështetje shumë të fuqishme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prandaj, ruajtja e kësaj baze është pozitive si për SHBA-në, ashtu edhe për rajonin”, deklaron Steinbaum.
I pyetur nëse kjo bazë potencialisht e përhershme do të mund të ndikonte në përmirësimin e marrëdhënieve Kosovë-SHBA pas pezullimit të dialogut strategjik, ai tha se megjtëse kjo masë s’do të duhej të ndodhte, një lëvizje e tillë do të ndikonte pozitivisht.
“Konsideroj se pezullimi i dialogut strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishte gabim. Nuk është dashur të ndodhte. Shpresoj që, me qeverinë e re në Prishtinë, ky dialog të marrë sërish hov dhe të rifillojë. Sinqerisht, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë vendosur kurrë kritere apo kushte lidhur me pezullimin e dialogut strategjik me Kosovën, ndërkohë që kanë vazhduar dialogun strategjik me Serbinë, e cila ngre shumë çështje strategjike dhe të sigurisë për shkak të marrëdhënieve të saj me Rusinë dhe Kinën. Për këtë arsye, kam disa rezerva lidhur me një politikë të tillë.
Megjithatë, thelbi i pyetjes suaj është nëse prania afatgjatë, përkatësisht stacionimi i forcave amerikane në kampin Bondsteel, mund të ndikojë në marrëdhëniet tona me Kosovën. Përgjigjja është po. Sigurisht që mund të ndikojë, veçanërisht nëse Kosova do t’u mundësonte Shteteve të Bashkuara të Amerikës kushte të privilegjuara për shfrytëzimin e kësaj toke”, thotë Steinbaum.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.