Europa

Strasburgu vendos: Ndalimi i burkës në Europë, i drejtë!

Sipas një vendimi të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, vendimi i mëparshëm i një gjykate franceze për ndalimin e mbajtjes së burkës, nuk i shkel të drejtat themelore të njeriut. Është “legjitime”, nëse shteti me të tilla masa dëshiron të arrijë kushtet për mbrojtjen e bashkëjetesës në një shoqëri. “Ndalimi nuk përbën një diskriminim dhe nuk shkel atë që njihet si mbrojtja e jetës private”, u shpreh gjykata. Me këtë vendim, shteteve në Europë u lejohet të nxjerrin vendime që ndalojnë mbulimin tërësor të trupit. Një myslimane franceze ishte ankuar kundër vendimit për ndalimin e mbulimit, pasi ajo ndihej e diskriminuar prej tij. Gruaja në fjalë, së cilës i bëhen të ditura vetëm inicialet S.A.S. nëpërmjet këtij vendimi, sheh shkeljen e një sërë të drejtash themelore – ndër të tjera edhe atë të ushtrimit të lirë të fesë, të lirisë së mendimit dhe respektin ndaj jetës private dhe asaj familjare. Gruaja e re theksoi se askush nuk e detyronte dot atë të vishej në këtë mënyrë. “Të mbash veshur një burkë, nuk është shenjë e ekstremizimit, por i përket sferës private”, tha një ndër avokatët gjatë seancës në Strasburg. Gjykatësit, sidoqoftë deklaruan se burka krijonte një barrierë mes mbajtëses së saj dhe mjedisit që e rrethonte, dhe kësisoj e varroste ndjenjën e bashkëjetesës në një shoqëri. Ndalimi në këtë kontekst është vendim i justifikuar. Nuk i shkel as pjesërisht këto themele, ngaqë vetëm fakti i mbulimit të fytyrës synohet dhe kjo, jo nisur nga arsyet religjioze. Ndonjë rrezik për sigurinë publike, mbulesa e fytyrës përkundrazi, në kushte të tjera nuk paraqet, sipas pikëpamjes së trupës gjykuese, pasi ajo mund të hiqet gjatë çdo kontrolli rutinë nga fytyra.

Nga 2011-a, Franca aplikon ndalimin

FRANCE FORBIDDING THE VEILNë Francë, çdo grua që mban një burkë që mbulon gjithë trupin, apo një mbulesë të fytyrës në formë ferexheje NIKAB, në mjedise e sheshe publike, rrezikon që nga viti 2011 të marrë një gjobë prej 150 eurosh. Përveç saj, ajo i nënshtrohet edhe një kursi të detyrueshëm mbi të drejtat dhe detyrimet qytetare. Nga masat janë prekur rreth 2000 gra, vlerëson Ministria e Brendshme franceze. Në dymbëdhjetë muajt pas hyrjes në fuqi të ligjit në fjalë, në Francë janë bërë objekt i tij së paku rreth 300 gra. Në fakt, në ligjin që u shpall në vitin 2010 në kohën e ish-presidentit konservator Nicolas Sarkozy dhe që hyri në fuqi më 11 prill 2011, mbulimi islamik i mbarë trupit nuk përmendet në mënyrë eksplicite. Ai e ndalon mbajtjen e veshjes mbuluese tërësore, apo të atyre që pengojnë tërësisht shquarjen e fytyrës në rrugë e sheshe publike.

Para një viti, në një provincë të Parisit pati përleshje e trazira, pas kontrollit të një gruaje të mbuluar nga policët, ku bashkëshorti i saj u arrestua më pas, pas sulmit dhe fyerjeve që u kishte bërë autoriteteve në vend.

Pasojat, në mbarë Europën

Vendimi i gjykatësve të Strasburgut ka pasoja në Francë e më gjerë, në mbarë Europën. Në vendin e saj fqinjë, Belgjikë, qysh prej vitit 2011 ka hyrë në fuqi gjithashtu një ligj i ngjashëm. Kush e mbulon fytyrën në jetën publike në atë mënyrë që nuk arrin të identifikohet dot më, duhet të paguajë një gjobë që shkon mes 15 dhe 25 eurove, ose të kalojë deri në shtatë ditë në burg. Në Zvicër, në kantonin Tessin, popullsia në një referendum vendosi me shumicë që të ndalohet mbajtja e burkës. Në Gjermani, landi i Hessen-it renditet ndër landet e para në vend që qysh nga shkurti 2011 ka aplikuar një ndalim të mbajtjes së burkës në shërbimin publik. Ca përjashtime bëhen në këtë rast për persona të veçantë të pajisur me leje e që mbajnë poste religjioze. Landi tjetër, ai Zaarës, i detyron nëpunësit madje edhe në raste private, të tregojnë “njëfarë tërheqje” të detyrueshme. Sidoqoftë, në deklaratë thuhet se kundër këtij vendimi, mund të ngrihet padi e çështja të shkojë kësisoj në Gjykatë të Apelit.

Rasti i nxënëses myslimane bavareze

Në landin e Bavarisë, pak kohë më parë, një gjykatë vendosi se NIKAB-i, d.m.th. shamia islame që mbulon tërësisht fytyrën nuk mund të lejohet në mësimdhëniet publike në mbarë territorin e landit. “E drejta për ushtrimin e religjionit në këtë mënyrë nuk shkelet në mënyrë masive”, thuhej në arsyetimin e vendimit me këtë rast. Gjykatësit, me vendimin e tyre, refuzuan ligjin e derivonshëm në fuqi, mbi mbrojtjen e së drejtës private për një nxënëse myslimane. Myslimania e re në moshë, gjatë vitit shkollor 2013-2014, kishte bërë kërkesë për t’u regjistruar në një shkollë profesionale shtetërore. Të tilla shkolla në Bavari ofrojnë një mënyrë alternative shkollimi, për t’u pajisur me diplomën e pjekurisë. Ankimuesja këmbëngulte se gjatë mësimdhënies, ajo duhej të lejohej ta mbante të mbuluar fytyrën. Si rrjedhojë, asaj iu pengua nga drejtoria e shkollës frekuentimi i shkollës dhe si rrjedhojë regjistrimi në shkollë. Nxënësja në fjalë kishte argumentuar para gjykatës se e drejta e saj themelore për ushtrimin e religjionit, ishte cenuar në disa aspekte. Por para gjykatës, e reja myslimane nuk pati sukses. Sigurisht se gjykatësit si zakonisht theksojnë se e drejta e ushtrimit të fesë është e siguruar pa ekuivokë në Kushtetutë. Por, nëse disa rrethana të caktuara do të cenonin disa të drejta themelore, atëherë liria e besimit mund të kufizohej. Të drejtës për liri të ushtrimit të besimit fetar, autonomia që kanë landet gjermane në sistemin shkollor, në ndonjë rast i bie ndesh në pikëpamje interpretative duke u nisur strikt nga ajo çka frymëzon Kushtetuta, por çështjet në fjalë pastaj duhen marrë rast pas rasti në konsideratë me shpjegime e referenca ligjore. Në rastin konkret, shamia e fytyrës pengonte sipas gjykatës, komunikimin e hapur, “i cili nuk zhvillohet vetëm me fjalë të shprehura verbalisht, por edhe me elementë joverbalë si: mimika, gjestet dhe lëvizjet e shprehjet trupore”, u shprehën gjykatësit. Në rastin e nxënëses myslimane bavareze, sjellja e saj e motivuar në mënyrë religjioze, e pengon shtetin në kryerjen e misionit të tij mësimor dhe në synimin dhe nevojën e komunikimit mes nxënësve dhe mësuesve. Nëse mësuesit e nxënësit nuk arrijnë të shihen në fytyrë, gjykata e sheh “komunikimin e hapur, si një kërkesë e domosdoshme në sistemin shkollor, praktikisht të cenuar”. Në këtë mënyrë, nuk mund të ngrihet dot asnjë pretendim për t’u pranuar në shkollë dhe të marrësh pjesë e mbuluar me shami në procesin e mësimdhënies.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button