Studenti “shpikës” që solli dritë në fshatin indian
Për banorët e fshatit të vogël indian, Naro ka Kheda, në shtetin federal të Rajasthan-it ishte më se normale që çdo javë të udhëtonin shtatë kilometra për të karikuar bateritë e celularëve të tyre.
Fshati në fjalë nuk e ka njohur kurrë më parë furnizimin me rrymë elektrike. Kjo zgjati deri në fund të korrikut 2015 – kur në atë fshat u realizua dhe lidhja e parë e një shtëpie me prizën e rrymës elektrike. Këtë e mundësoi një student. Ideja e tij mund të bëhej një shembull për fshatrat në mbarë botën – dhe jeta e miliona njerëzve të përmirësohej.
Prabh Singh, i cili sot jeton në Britani, por që origjinën e ka nga Delhi në Indi, në vitet e rinisë së hershme kishte ëndërruar gjithmonë të mbante veshur një kostum e të punonte si bankier apo menaxher për investimet.
Në vend të saj, ai ka vënë në jetë një plan për të furnizuar me energji elektrike fshatrat e izoluar e ato më të prapambeturit në vendlindjen e tij. Frymëzimin për këtë ai e ka marrë prej kohësh nga panelet diellore, që ofroheshin në platformën e shitjeve online, Ebay.
“Unë fola me tre kolegë të mitë studentë mbi panelet diellore që bliheshin në Ebay dhe mbi atë se sa shumë britanikë në ekskursionet e tyre ndërsa shkonin për peshkim, jetonin me ditë të tëra nga energjia e prodhuar nga dielli”, thotë ai. E kjo i dha atij shtysën fillestare për të vënë në jetë idenë e tij me sens human.
Ajo përbëhet nga një konstruksion i thjeshtë për t’u instaluar, që në fund prodhon energji elektrike. Ajo përmban një panel diellor, tri llamba, një tub llambe neoni dhe një prizë karikimi për telefona mobilë.
Prej saj, në fund përftohet një lloj centrali që mund të instalohet ngado, e që padyshim se mund të instalohet edhe në një vend të izoluar, duke prodhuar energji për të karikuar të paktën celularët e tyre. Sidoqoftë, ajo mjafton gjithashtu edhe për të mbajtur ndezur llambat për ndriçim, duke mos pretenduar të bëjë më shumë. Projekti quhet “Kiran”, e i përkthyer do të thotë pak a shumë, “rreze ndriçuese”.
“Unë mendova se përderisa njerëzit në Perëndim po e përdorkan energjinë diellore si një burim luksi, atëherë përse njerëzit në vendlindjen time të mos e përdorin atë si diçka e domosdoshme, jetike?”, thotë Prabh.
Ajo që u ndodh banorëve të Naro ka Kheda-s, në fakt u ndodh 1,3 miliardë njerëzve të tjerë në mbarë rruzullin – të cilët nuk kanë fare akses në rrymën elektrike, duke e parë atë si një mollë e ndaluar.
Pasojat e mungesës së saj, dihen, sigurisht se janë katastrofale. Fëmijët minimalisht nuk mund të bëjnë dot detyrat në mbrëmje në shtëpi. Arsimimi i tyre çalon radikalisht. Spitalet, pa rrymë nuk mund të funksionojnë e shërbimet për banorët në ato zona, merret me mend se janë minimale. Por edhe gratë nuk mund të lëvizin dot lirshëm në fshat kur bie drita e diellit.
Por Prabh duket se nuk është vetëm në përpjekjen e tij, për të furnizuar rajonet më të varfra të botës me rrymë elektrike për të përmbushur ca synime minimale, por shumë të vlefshme e humane.
Kështu mori rrugë sipërmarrja “Liter for Light” që tashmë ka instaluar 100.000 llamba në mbarë botën që furnizohen me energji diellore në një vlerë të përballueshme. Ideja është shumë e ngjashme me atë të Prabh: llambat e lira në çmim të prodhuara nga themeluesi i sipërmarrjes, Illac Diaz, të cilat më pas montohen në vendet përkatëse.
Me karikuesit e baterive të celularëve, teknika është thuajse e njëjtë me atë të ndriçimit. Fshatarët në vendet në zhvillim i përdorin celularët për të kryer shumë veprime që tashmë nuk janë domen vetëm i pak njerëzve, duke bërë edhe transferta bankare e madje edhe të shohin parashikimin e motit, aq i vlefshëm për punët e tyre në bujqësi.
Në këtë mënyrë, ata mund t’i planifikojnë më mirë të korrat e tyre dhe duke shënuar më pak humbje në to, të shmangin urinë. Kur rryma për të karikuar telefonat është e disponueshme, kjo ndihmon gjithashtu edhe në komunikim e në reduktim të kohës së humbur. Për të vënë në jetë projektin e tij, Prabh duhej të mblidhte rreth 9.500 euro.
Ai e financoi atë nëpërmjet një fushate për mbledhje fondesh nga ana e banorëve të fshatit dhe Qendrës Verilindore për Aplikimin e Teknologjisë (North East Centre for Technology Application) – NECTAR, një organizatë autonome qeveritare në Indi, që e ka miratuar vizionin e tij për solarët.
Tashmë Prabh Singh po kërkon ta sjellë “rrezen e tij të dritës” në më shumë fshatra. Ai shpreson që projekti i tij të kthehet në një biznes me përfitime, që do të ngjallë sidomos shpirtin sipërmarrës në zonat rurale.
“Projekti do të vihet në zbatim në 50 fshatra të tjerë indianë, duke u bazuar në të njëjtin mekanizëm shërbime – të ardhura. Nëse do të funksionojë, mund të përmirësonte jetën e miliona njerëzve”.
“Gëzimi dhe habia që pashë në sytë e banorëve të fshatit, pasi ata panë për herë të parë rrymë në shtëpitë e tyre, nuk krahasohet me asnjë sukses tjetër që unë kam njohur deri më tani në jetën time”, përmbyll Prabh.
Burimi: Huffington Post