Studimi 30-vjeçar: Vetmia kronike rrit me 38% rrezikun për demencë
Vetmia e vazhdueshme mund të rrisë me 38% rrezikun për të zhvilluar demencë, krahasuar me personat që nuk përjetojnë këtë ndjesi. Ky është përfundimi i një studimi të ri të kryer nga studiues të Universitetit të Bordosë në Francë, i cili ka ndjekur procesin e plakjes së mijëra personave përgjatë 30 viteve.
Në studim u analizuan të dhënat e 3 777 personave të moshuar, gjatë periudhës 1988–2018. Rezultatet treguan se rreth 49% e personave që përjetonin vazhdimisht vetmi zhvilluan demencë, ndërsa te ata që nuk ndiheshin të vetmuar ose e përjetonin këtë ndjesi vetëm herë pas here, përqindja ishte rreth një në tre.
Sipas studiuesve, rreziku më i lartë nuk lidhet me episode të izoluara të vetmisë, por me ndjenjën e vazhdueshme të izolimit emocional.
Ekspertët bëjnë dallimin mes vetmisë dhe izolimit social, duke theksuar se këto dy dukuri nuk janë domosdoshmërisht të njëjta. Një person mund të jetojë me familjen, të ketë kontakte të rregullta me të tjerët dhe përsëri të përjetojë ndjenjën e vetmisë.
Studiuesit shpjegojnë se mungesa e ndërveprimit shoqëror mund të kufizojë stimulimin e trurit, ndërsa stresi i vazhdueshëm mund të ndikojë negativisht në shëndetin e tij.
Për këtë arsye, ata rekomandojnë nxitjen e aktiviteteve sociale dhe identifikimin në kohë të personave që përjetojnë vetmi kronike.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.