Suljoti Napoleon Zerva dhe kosovari Xhaferr Deva
Nga Fatbardh Amursi
Një deklaratë e komunitetit çam drejtuar presidentit grek, që fajsonte çamët si bashkëpunëtorë të italo-gjermanëve u pasua me provokimin e fotos së Zervës së ekspozuar në Galerinë e Artit në Derviçan, ndërkohë, si për karshillëk, u shfaqën shkrime me lavde për Xhaferr Devën i deklaruar ky si bashkëpunëtor i nazi-fashistëve?! Një paradoks grotesk, që mund të ndodhë vetëm në Shqipërinë me kinsepatriotë. Një ithtar shkruante se Xhaferr Deva urrehet nga komunistët shqiptarë si dhe ata serbo-sllavë, sepse ai na qënkish betuar për të mbrojtur me çdo çmim interesat shqiptare dhe për të luftuar komunizmin. Sipas kinses, interesat shqiptare na u mbrokan duke i shërbyer pushtuesi, gjë për të cilën u akuzuan, u dënuan dhe e u dëbuan çamët?! Duket sikur u trimërohen grekërve: hë ua mban ta dënoni këtë babaxhanin?! (Xhaferr Deva njihej si njeri i afërt me të plotfuqishmin e Hitlerit në Europën Juglindore, Hermann Neubacher. Fillimisht punoi përshërbimin informativ ushtarak gjerman dhe më pas për CIA-n amerikane. Punë hafijesh.) “100 komunistë lule” ishin në kohën, kur ky kinsepatrioti u shpalli luftë dhe asnjë prej dhjetra të vrarëve s`rezultoi komunist, veçse qytetarë të pafajshëm. Ç`punë kishte ky nga Mitrovica, që u bë ministër i brendshëm në qeverinë kuislige të Rexhep Mitrovicës në Shqipëri, me komunistët shqiptarë, kur mund të merrej me ata serbë e kosovarë? Meqë komunizmi ra, qesharake të thuash se i doli fjala. Më largpamës dhe më antikomunist nga Ruzvelti dhe Çërçilli, që luftuan në krah tëStalinit, na doli Xhafa që humbi simiten?!) Shqiptarët urryen dhe kryeministrit e tyre, Mehmet Shehu, i cili vrau të pafajshëm në Lushnje e jo më një SS me qeleshe.
Ministri kukull i Hitlerit i mburrur si patriot është një variant lokal i ministrit grek të renit, Napoleon Zerva, edhe ky me origjinë shqiptare, me prejardhje nga suliotët. Mos vallë urrejtja ndaj çamëve myslimanë është një hakmarrje e mbartur ndaj mizorive të Ali Pashë Tepelenës? Zerva: “Myslimanëve nuk do u lë as macet të marrin frymë.” Piktori francez Luis Dypre e pikturoi fshehurazi Aliun hipur në një varkë, ngaqë tirani ia refuzoi portretin. Më shumë se sa feja që ia ndalonte imazhin, shkak u bë vetë piktori, i cili i kishte treguar më parë disa portrete suljotësh bërë në Korfuz. Sytë e pashait qendruan gjatë mbi figurën e një prej suljotëve të pikturuar. “Këtë këtu e njoh është një nga armiqtë e mi.” Suljoti i krishter, Zerva, urrejtjen ndaj Ali Pashë Tepelenës ia kaloi çamëve myslimanë. Edhe Xhaferr Devës u hakmorr për nipin e vrarë nga guerilasit, duke e motivuar si shfarrosje kundër komunistëve, sikurse ishte dhe Tito.) Napoleoni i grekëve formoi EDES për të luftuar nazi-fashistët, ndërsa Xhafa iu bashkua sëpatës së Liktorit dhe kryqit të thyer duke udhëhequr batalionin SS “Skënderbeu”. Zerva u përfshi në beteja të përgjakshëm me krahun e majtë të rezistencës greke, të udhëhequr nga ushtria ELAS, sikurse dhe ministri kuisling nga Kosova.) Napoleon Zerva luftonte për Vorioepirin, ndërsa Xhafa gjoja për “Shqipërinë e madhe”, që do ia jepnin pushtuesit, të cilëve të shiturit si ai u kishin dhuruar kurorën e mbretit të Shqiptarëve?
Greqia mban ligjin e luftës me Shqipërinë për shkak të përdorimit të territorit shqiptar nga Italia fashiste, ndërsa Xhafa e përdori territorin shqiptar si ta kishte çiflik të babait. Greqia u sulmua dhe nga territori jugosllav dhe ai bullgar, por Greqia s`u shpalli gjendjen e luftës, sepse: Kurora Mbretërore shqiptare i kishte kaluar mbretit të Italisë, Viktor Emanuelit III dhe juridikisht Shqipëria dhe Italia formonin një njësi të vetme sovrane në marrëdhëniet ndërkombëtare. Greqia përdori si argument dhe ekzistencën e qeverisë kolaboracioniste të Shefqet Vërlacit në Tiranë, dorëzuesit të kurorës dhe pjesëmarrjen formale të dy batalioneve me ushtarë shqiptarë (edhe pse ata dezertuan masivisht në front, sikurse dezertuan dhe kosovarët nga batalioni famëkeq i Xhaferr Devës), por me praninë e batalioneve që u hoqën shulin armëve më 7 prill, Shqipëria u cilësua “de jure” si palë në agresion.Për shkak të zellit për t`i shërbyer armikut morëm dhe namin si agresor?! Këto fatura i lënë vendi tipa si Shefqet Vërlaci e Xhaferr Deva, që damkën e kuislingut duan t`ia kthejnë në një tatuazh patriotik. Është absurditet: të dënosh krimet e komunizmit dhe t`i bësh elozhe një katili, që, si të gjithë horrat: fshihet në strofkën e patriotizmit. Shqiptarët duhet të kuptojnë, se si në Shqipëri dhe në Kosovë po përdhosen çlirimtarët dhe kjo: gjoja se po luftohet komunizmi, që na e sollën Stalini me të dërguarit e Titos. Përdhosen çlirintarët për t`na thënë se nuk e meritojmë lirinë. Nëse u ka marr malli për komunistët i keni në Greqinë e Napoleon Zervës, madje dhe në parlament. Ne, edhe një që kishim sa për farë, Sali Berishën, na u bë i djathtë. Nëse Xhaferr Devën e vëmë përballë Napoleon Zervës, është një zgjatim i tij, nëse e vëmë përballë Ali bej Këcyrës del më i zi nga një balil: “Përpara se të fillonte Lufta Italo-Greke, italianët e thirrën babanë (Ali bej Këlcyrën) dhe i propozuan bashkëpunim për të luftuar kundër Greqisë. Babai refuzoi dhe kërkoi t’i bindte italianët të mos e hapnin këtë luftë, pasi kishte frikën e përsëritjes së Luftës së Parë Botërore.
-Nëse përsëritet, kjo është për Shqipërinë një plagë që do t’i dhembë gjatë, do të jetë zor ta mbyllë. Ata i thanë jo, sepse Italia ishte e përgatitur, se kishte blerë shumë komandantë grekë që do të vepronin sapo të niste sulmi. Ata mendonin se brenda tri javëve do të fitonin.
-Ke rast të marrësh hak për Sarajet që të kanë djegur.-deshën ta nxisnin në sedër. Babai refuzoi dhe iu tha:
-Kjo është një arsye edhe më e fortë që të mos marr pjesë, nuk jam mësuar të marr hak personal me jetën e të tjerëve. Edhe nëse keni paguar grekët mos mbani shpresë. Unë i njoh, janë patriotë, edhe nëse ua kanë marrë paratë, do të luftojnë. Ata gratë i shesin, por Greqinë kurrë!”-kujton e bija e Ali bej Këlcyrës, Hana. (Nga libri i Mero Bazes “Oxhaku i Këlcyrës”) Për kinse patriotët e tipit të Xhaferr Devës ngjajnë me personazhët e romanit “Harku i triunfit të Remarkut, i cili shkruan: “Ata e shisnin atdheun në mënyrë të tillë, që t`ua merrnin për patriotizëm.” Grekët, sikurse na përdorën heronjtë duke e fituar pavarësinë para nesh si: Marko Boçarin, Kollokotronin, etj, na përdorën dhe bastardët, sikurse Napoleon Zervën, etj. Serbët me sa duket preferojnë këta të dytët…



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.