Sulmi në KZAZ Dibër, Lleshaj: Molotov policëve, do veprojë ligji, forcat operacionale drejt Dibrës
Ministri ka paralajmëruar se do të përballen me ligjin të gjithë ata që kanë sulmuar KZAZ-në dhe policinë, duke theksuar prerë se “Ligji do të veprojë pa asnjë mëdyshje ndaj çdo forme të krimit”.
“Verbëria e dhunës politike po sulmon sot me molotov KZAZ e vendosur në shkollën “Nazmi Rushiti” dhe Policinë në Dibër, nën drejtimin e përfaqësuesve të lartë të opozitës. Ligji do të veprojë pa asnjë mëdyshje ndaj çdo forme të krimit!”, shkruan Lleshaj.
Policia e Shtetit ka reaguar lidhur me tensionet e forta, që po ndodhin në KZAZ nr. 19 në Dibër mes protestuesve dhe uniformave blu. Policia thekson se protestuesit kanë goditur me sende të forta, kapsolla dhe bomba molotov efektivët, duke tentuar të hyjnë brenda ambienteve të KZAZ, dhe për të qetësuar situatën janë nisur drejt Dibrës edhe Forcat e Lëvizshme Operacionale.
Lidhur me këtë, Policia iu bën thirrje organizatorëve të protestës të distancohen menjëherë dhe të ndalojnë sulmin mbi forcat e rendit, ndërsa shton se do t’i përgjigjet me ashpërsinë e ligjit çdo sulmi.
“Nisur nga situata e krijuar në KZAZ-n Nr. 19 në Dibër, ku rreth 250 – 300 persona po vijojnë të sulmojnë punonjësit e policisë me sende të forta, kapsolla dhe bomba molotov, me qëllim depërtimin brenda ambjenteve të KZAZ-s, Policia e Shtetit iu bën thirrje organizatorëve që të distancohen menjëherë dhe të ndalojnë sulmin mbi forcat e rendit, pasi po rrezikojnë jetën e punonjësve të policisë.
Në ndihmë të Policisë së Dibrës janë nisur Forcat e Lëvizshme Operacionale, të cilat do të bëjnë ndalimin e personave përgjegjës me qëllim përballen e tyre me ligjin.
Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për të mbrojtur objektet zgjedhore dhe do t’i përgjigjet me ashpërsinë e ligjit çdo sulmi ndaj punonjësve të Policisë dhe objekteve zgjedhore”, thuhet në reagimin e Policisë.