Sulo Sejko, Alçide Çervi dhe “Të shtatë bijtë e tij”
Sulo Sejko letrën ia drejton Alçide Çervit, babait të shtatë djemve, me rastin e 13-vjetorit të rënies heroike të tyre. Por pinjolli i Sejkove të Çamërisë, të cilit regjimi komunist do t’i rezervonte një fund tragjik, është edhe përkthyesi i vërtetë i librit të Çervit
Nga Enver Kushi
Letra që botojmë në këtë numër të gazetës, publikohet për herë të parë. Ajo është shkruar nga Sulo Mehmet Sejko në dhjetor të vitit 1957. Sulo Sejko letrën ia drejton Alçide Çervit, babait të shtatë djemve, me rastin e 13-vjetorit të rënies heroike të tyre. Autorit të letrës duket se në vitin 1956, i ka rënë në dorë libri në origjinalin italisht “I miei sette figli”, me autor Alçide Çervi. Sulo Sejko, siç shkruan që në fillim të letrës, e ka “lexuar dhe rilexuar disa herë, i jam vënë ta përkthenj në shqip dhe shpresoj se pas disa kohësh, do të mund t’i vë në duar lexonjësit shqiptarë historinë e familjes suaj, historinë e shtatë luftëtarëve të rezistencës italiane, që për kauzën e shenjtë të lirisë sakrifikuan jetën”.
Po kush është autori i kësaj letre dhe përkthyesi i vërtetë i librit “Të shtatë bijtë e mi” të Alçide Çervit? Them përkthyesi i vërtetë, pasi në botimin në gjuhën shqipe të librit në fjalë në vitin 1961, nga NSh Botimeve “Naim Frashëri”, përkthyes është vënë Reshat Këlliçi e jo Sulo Sejko. Emri i Reshat Këlliçit del si korrektor letrar në librin e Xhovani Xhermanetos “Kujtime të një berberi”, përkthyer nga Sulo Sejko dhe botuar në vitin 1957, nga e njëjta shtëpi botuese. (Titulli i origjinalit: Giovanni Germanetto. Memoria di un barbiere” Prefazione di Palmiro Togliatti.)
Ata që e njohin historinë tragjike të familjes Sejko, në fillimvitet ’60 të shekullit që lamë pas dhe të ashtuquajturin “Grupi Çam”, goditjen fatale që diktatura komuniste u bëri disa personaliteteve të shquara me origjinë nga Çamëria, nuk e ka të vështirë të kuptojë se përse u hoq emri i Sulo Sejkos, si përkthyes i librit “Të shtatë bijë e mi”.
Sulo Sejko ka lindur më 29 nëntor 1917 në qytetin e Filatit në Çamëri. Babai i tij, Mehmet Sejko (1876 – 1935), njihet si një nga figurat e shquara të Çamërisë. Në vitin 1908, ai vihet në krye të shoqërisë “Vëllazëria” në Filat, ku sekretar është një emër tjetër, i njohur, Musa Demi. Sulo Sejko është vetëm tre vjeç, kur familja e tij shpërngulet nga Filati dhe vendoset në Konispol. Ai kreu shkollën e mesme teknike të Harry Fultzit në Tiranë. Me fillimin e rezistencës antifashiste në Shqipëri, Sulo Sejko, sikurse dhe dy vëllezërit e tjerë, Taho dhe Teme Sejko, u radhit në çetën partizane “Çamëria”, dhe më pas në formacione të tjera luftarake antifashiste.
Pas çlirimit të vendit, kreu disa detyra të rëndësishme në qytetin e Shkodrës. Njihte mirë anglishten, italishten dhe greqishten. Ishte shumë i kulturuar, njeri shembullor, i rregullt, i qetë e fjalëpakë, si dhe dallohej për humorin e tij brilant dhe batutat e shpejta e të goditura. Më 28 korrik të vitit 1960, arrestohen Teme Sejko, komandat i Flotës Detare dhe vëllai më i madh, Taho Sejko, një emër i nderuar në Jug të Shqipërisë, ku ai kishte punuar vitet e para të çlirimit, por edhe në Tiranë e më pas në Shkodër, ku ishte transferuar pas Konferencës së Tiranës së vitit 1956.
Pas arrestimit të vëllezërve, Sulo Sejko u përjashtua nga partia dhe u vu nën survejimin e Sigurimit të Shtetit. Thirrej disa herë në hetuesi. Pushkatimi i dy vëllezërve, por edhe trysnia që ushtronte ndaj tij Sigurimi i Shtetit, e goditën rëndë atë. Në dhjetor të vitit 1962, tentoi të vriste veten me prerjen e damarëve. Pasi doli nga spitali, hetuesia vazhdonte ta thërriste herë pas here dhe kjo e rëndoi më tej gjendjen shpirtërore, derisa u vetëflijua më 5 shkurt të vitit 1963, duke u mbytur në pus.
Ky është Sulo Sejko, autori i kësaj letre të ndier dhe përkthyesi i vërtetë i librit “Të shtatë bijtë e mi”. Duke publikuar këtë letër, u bëjmë homazh jo vetëm bijve dhe bijave më të shquar të rezistencës antifashiste në Itali, por edhe atyre në Shqipëri. Gjithashtu, sjellim në kujtesë kontributin e Çamërisë dhe bijve të saj gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Nga ana tjetër, kujtojmë me nderim vëllezërit Sejko: Taho, Sulo dhe Teme, kontributi i të cilëve për çlirimin dhe më pas përparimin e Shqipërisë, u shpërblye keq nga diktatura komuniste.
Në këtë letër, Sulo Sejko ka shumë nga shpirti i tij i madh dhe i lirë, ka shumë nga bota dhe rrënjët liridashëse të familjes së tij, por edhe nga bota liridashëse shkodrane, nga familja Gjylbegu dhe gjaku i derdhur në vitet e rezistencës antifashiste, me të cilën e lidhte bashkëshortja e tij, motra e Naim Gjylbegut. Kjo letër është ruajtur nga djali i Sulo Sejkos, Gëzimi, dhe me këtë rast, falënderoj zotin Hektor Taho Sejko që më ndihmoi me të dhëna për familjen Sejko.
***
I DASHUR BABË ÇERVI
Po bëhet më se një vit qysh kur më ra në dorë libri juaj të cilin e kam lexuar dhe rilexuar disa herë, i jam vënë ta përkthenj në shqip dhe shpresoj se pas disa kohësh do të mund ti ve në duar lexonjësit shqiptar historin e familjes s’uaj, historin e shtatë luftëtarëve të rezistencës italjane që për kauzën e shënjtë të lirisë sakrifikuan jetën. Kam besimin e pa përkulur se përkthimi në gjuhën time i këtij tregimi ngjethës do t’i shërbejë popullit shqiptar të mësojë historinë e familjes Çervi, që – sikurse thoni ju – është historija e popullit Italian trim e puntor, historija e gjithë familjeve italiane që kanë luftuar për të drejtat e tyre. Por unë do të shtonja, që kjo është edhe historija e të gjithë popujve që luftuan kundra fashizmit, e nazizmit, edhe historija e popullit shqiptar që për shekuj, me armë në dorë, u ka qëndruar shumë llojë okupatorëve të jashtëm e tradhëtarëve të mbrendshëm. Dëshira juaj është që çdo familje italiane, që mban mbi kurrizin e saj pasojat e hidhura të regjimit të egër fashist dhe të okupacionit gjakatar nazist, ta ndjejë të sajin këtë libër. Për mua që i lexova kujtimet tuaja, punova për të përkthyer ato në gjuhën time të dashur, kalova dhe rikalova mbi çdo kapitull, çdo faqe, frazë, fjalë e germë të këtij tregimit. Do të jet pak të thom se libri më bëri për vete, pse ai ka mbetur i skalitur thellë në kujtesën time, ka depërtuar mu mbrënda në ndërgjegjen time, është bërë i pa shkëputur në jetën time dhe sa here që e kaloj nëpër duar, ndjej më shumë se atje është treguar edhe historija e vendit tim. Shtatë vëllezërit Çervi janë shokët e mi bashkë-luftëtarë në luftën kundra fashizmit, familja Çervi është edhe familja ime, prandaj ju lutem, të gjithë juve, që ne të na konsideroni bashkë-luftëtarë, bashkë-familjarë, bij vllezër, motra, nipër e miq shumë të dashur e shumë të sinqertë me gjithëse të pa njohur. Ne mallkojmë fashizmin e nëmur që na solli në prak, luftën, urinë dhe mjerimin, që kushedi sa nëna e motra shqiptare e italiane i veshi në zi, duke bërë që dy familjeve tona tu trokasë vdekja në derë. Unë jam i martuar me motrën e një dëshmori, që vëllai i saj i vetëm, ra në luftën partizane, dhe nënës së dëshmorit – vjehrrës sime – i kam lexuar disa pjesë të librit tuaj. Ajo i ndëgjon me vëmendje dhe as për mjerimin e saj, as për tuajin nuk derdh pikën e lotit. Aty këtu pyet për këtë ose për atë çështje, interesohet për çdo gjë, aqë sa vetë unë ngashërehem më shumë se ajo. Gruaja ime tinëz saj më tërheq vëmëndjen që i lëndoj zëmrën plakës. Edhe unë e di se ajo ka të keq, por unë e bëj dhe do të vazhdoj ta bëj pse më duket sikur dhimbjen e saj dhe tuajën i ndaj për gjysëm. E kur përsëris fjalët tuaja për bijtë e tu më duket sikur jeni vetë ju që e ngushulloni atë, e kur ajo flet për ju e për vehten e saj, më bëhet se jeni vetë ju që e dëgjoni. Atëherë më duket sikur ju të dy jeni atje prezent, bisedoni bashkë, ngushëlloni njëri tjetrin. E këjo i përngjet shumë bisedimit tuaj në tren, kur shkonit në Kongresin e partizanëve në Gjenovë, me nënën që kish humbur fëmijën e saj në luftë. Atje një baba e një nënë italiane ngushullojnë njëri tjetrin për bijtë e tyre të rënë, kurse tek unë, një babë italian me një nënë shqiptare krejt të pa njohur, pa u parë dhe pa u dëgjuar, bisedojnë e ngushullohen bashkë. Ky takim, ky bisedim, ky ngushëllim është më i fortë se i pari. Ky takim i pa parë, ky bisedim i pa ndjerë nuk bëhet më ndërmjet dy individëve të vetëm, por lidh dy popuj në dejt e të cilëve vlon i nxehtë gjaku i lirisë, në ballin e të cilëve lexohet e kjartë ndjenja e krenaris, në zëmrën e të cilëve është i fortë dhe i papërkulshëm besimi në t’arthmen. Këtu qëndron fuqija e librit tuaj, kjo është lavdija e kauzës s’onë. Ahere edhe unë mbushem me fuqi të reja, ahere edhe mua më duket se bëj diçka të vlefëshme për shoqërinë, diçka të vogël në shërbim të njerëzimit, dhe më forcohet edhe më shumë besimi se kjo punë e varfër e imja do të shërbejë që historija e familjes Çervi të njihet nga lexonjësi Shqiptar, që historija e popullit italian të mësohet nga populli shqiptar dhe shëmbulli i vëllezërve Çervi do t’i vlejë rinis s’onë për forcimin e mëtejshëm të ndjenjës së punës, të patriotizmit, të drejtësisë dhe të vetmohimit. Kjo do të bëhet edhe një nyje tjetër lidhëse në historin e dy popujve tanë, faqet e saj më të ndritura u shkruan në Luftën Nacional Çlirimtare dhe në rezistencën kundra fashizmit e nazizmit. Vëndet tona i ndan vetëm një rryp i ngushtë deti, por ne nuk njihemi, dhe sot për sot i kemi të kufizuara mundësit që ti shtrëngojmë duart dhe të na rrahin bashkë gjokset e njëri tjetrit. Ti flasë drejt përsë drejti goja gojës dhe zemra zëmrës. Sot armiqt tanë të përbashkët krijojnë llojë llojë pengesash e përçarjesh për të ndarë e çkëputur dy popujt tanë. Por ne jemi të sigurtë se e ardhmja është e popujve dhe nuk ka për të qënë e largët dita kur edhe për ju do të linde dielli i lirisë, e kjo në sajë të luftës e sakrificave që ka bërë e po bën populli italian gjatë shekujve dhe sot, për hir të gjakut që është derdhur në truallin tuaj, në lumin e të cilit rrodhi i kulluar edhe ai i shtatë bijve të tu të dashur. Do të gdhihen për të mos perënduar më kurrë ditët e bardha të lirisë e të socializmit të cilat uroj që ti jetoni e gëzoni edhe ju. Uroj të jetoni edhe shumë vjet akoma, që me punën tuaj të frutëshme, me shembullin tuaj të gjallë të kontribuoni për çlirimin e popullit italian, të shikoni me syt tuaj të realizuar dëshirën e bijve të tu të dashur, idealin e Aldos, për të cilin, ata të shtatë, në gji të njëri-tjetrit, aqë dramatikisht, sakrifikuan jetën e tyre në lulen e djalëris. Me luftën tuaj për liri, me punën tuaj të frutëshme për gjithë brezat e ardhshëm të Italis, ju, keni fituar dashurin dhe respektin e thellë të gjithë njerëzve që kanë mësuar historin e jetës së thjeshtë të familjes suaj bujare paqe-dashëse dhe liridashëse. Ju keni fituar simpatin dhe respektin e popullit të madh të sovjetëve që vigjilon për paqen e njerëzimit, të gjithë popujve të tjerë edhe atë të popullit tonë trim e bujar, nga viktimat e para të okupacionit fashist italian, por që di shumë mirë të dallojë se fashizmi me Musolinin nuk kishin asgjë të përbashkët me popullin italian, që tek populli juaj sheh mikun e ngushtë dhe bashkë-luftëtarin besnik kundra fashizmit e nazizmit të djeshëm, popullin e përvujt që me punë e përpjekje nuk po kursen asgjë për fitoren e kauzës së paqes e të socializmit. Dhe miqësija jonë e farkëtuar me gjakun e derdhur nga bijët e Italisë, partizanët e batalionit që mbante emërin e Gramshit të pa vdekshëm, që luftuan në radhët e brigadave tona dhe ranë heroikisht krahë për krahë me vllezërit shqiptarë, është dhe mbetet e fortë, e pa thyeshme dhe e përjetëshme. Me këtë letër tani në 13 vjetorin e vrasjes tragjike të bijve tuaj të dashur vinj t’ju kujtoj të gjithë juve, ju uroj që këto vite të pleqërisë ti jetoni me një Itali të lirë si ajo që deshën bijt tuaj dhe për të cilën ata dhanë atë që kishin më të dashur e më të shtrënjtë: jetën dhe rininë e tyre.
Me respektimin më të thellë për ju dhe gjithë familjen tuaj.
Biri juaj
Sulo Sejko
Shkodër, Dhjetor 1957