Nga Frrok Bardhoku*
Paga vendoset nga disa faktorë ekonomikë, më kryesorët janë: rendimenti i punës, niveli i rritjes ekonomike, prodhimi i përgjithshëm bruto për frymë i popullsisë, bilanci i pagesave etj.
Institucionet në çdo vend llogarisin pagën mesatare të të punësuarve për efekt studimi, ndërsa paga minimale në vendin tonë është llogaritur 22.000 lek, kurse të krahasosh të ardhurat mujore të një deputeti (paga bazë plus beneficet që ai merr sot janë 378.000 ose 20 herë më shumë se paga minimale), ky raport nuk është në asnjë vend të botës. Sipas publikimeve në portalet online, kryeministri i Serbisë Vuçiç, merr një pagë 910 euro ose 4.5 herë më të lartë se paga minimale dhe ka në pronësi një apartament rreth 100 m2, në një kohë që Serbia është shteti më i madhi Ballkanit perëndimor.
Pra me të drejtë lind pyetja, kush është më social, politikanët tanë apo ai i Serbisë? Kush është më afër popullit për problemet që kanë? Kush është më patriot? Shifrat flasin vetë, ato janë kokëforta… le ta zgjerojmë edhe pak më tutje: Një deputet shqiptar paguhet 1.7 herë më shumë se presidenti i Kinës, ekonomisë së dytë të planetit. Guvernatori i Bankës Shqiptare paguhet 5 herë më shumë se kryeministri i Kinës. Në sistemin socialist raporti i pagës minimale me atë maksimale ishte 1 me 4 ose (400 me 1600 lek me shumë pak persona). Në atë kohë nuk bëhej fjalë për vjedhje, shpenzime të ndryshme të pakontrolluara. Kjo nuk tregon nostalgji për atë kohë, por drejtim të ekonomisë me efektivitet, me laps në dorë që për çdo lek të pajustifikuar, personi përgjegjës jepte llogari deri më një. Në fillimet e pluralizmit politik atyre ju vunë mjaft epitete, për shpenzime të ndryshme si kafe e duke i quajtur pashallarë të kuq. Po këta pas ’90-s që vetëm me “rroga” kanë bërë pasuri marramendëse që vlerësohet në miliona e dhjetra miliona euro, pa përmendur shpenzime të tjera duke shëtitur nëpër botë në një kohë që populli pjesa dërrmuese është e varfër, lind pyetja si t’i quajmë, pashallarë rozë, blu apo sheikë? Populli i varfër nuk ka mundësi të gjeje një vend pune në qytet, kur dikur para vitit ‘90 në rrethin e Mirditës kishte mbi 12.000 punëtorë ndërsa sot numërohen me gishta. Në fshat është shkatërruar pa përjashtim i gjithë sistemi vaditës, nuk bëhet fjalë për mjete pune, parmendën për të punuar një copë kopsht e tërheq burri ose gruaja.
Ndonëse bëhet be e rrufe për përkrahjen e shtresës së pensionistëve, ata mbeten përsëri të diskredituar sepse pensionisti i fshatit merr më pak se 10.000 lek ai i qytetit 12.000 lek minimali, pra as minimumin jetik që trajton me të drejtë Avokati i Popullit Z. Totozani, që duhet të jetë rreth 16.000 lek. Prandaj qeveria duhet të ndalet për ta studiuar e për të bërë një reformë të thellë, për të vlerësuar këtë shtresë që janë jo pak por rreth 600.000 vetë për t’u dhënë atë që meritojnë. Pensionistët në fshat marrin jo më pak se 15.000 lek, dhe ata në qytet jo më pak se 30.000 lek. Do të thotë ndonjëri, dhe ne kemi dëshirë por është e pa realizueshme se nuk kemi para, e gjetëm arkën bosh e të tjera. Unë po ju sygjeroj disa mendime që krahas reformave të tjera që janë bërë në energjitikë, atë territoriale, arsim, drejtësi të cilat janë me vlerë, të bëhet reforma e shpërblimit të merituar e cila realizohet;
- Evidentimi i punës informale në biznese (të mos tatohet por vetëm të sigurohet punonjësi duke paguar kontributet të sigurimeve shoqërore pasi është një burim të ardhurash).
- Të bëhet shkurtimi në administratën qëndrore dhe atë rajonale si hallka të tepërta dubluese, psh (qeveria 19 ministra e shumë zëvendësa që nuk janë duke drejtuar Kinën). Me punën që këta bëjnë në bazë reflektohet pak për të mos thënë hiç fare në shumë drejtime të ekonomisë.
- Bëni reformën që ju prek juve, atë të shpërblimit të merituar, jo të pasurimit tuaj! bëjeni këtë për të korrigjuar gabimet që janë bërë tash 26 vjet, pra këtu është banka e madhe që dalin të ardhurat për të realizuar atë që thamë më lart.
Ndonjë teknicien mund të thotë se e rivlerësuam një shtresë pensionistësh deri në vitin 1996, po ky rivlerësim mund të zërë vetëm 10%, se pjesa tjetër ka ndërruar jetë (pra kanë vdekur).
Ndoshta do t’u vijë çudi, zor për të prekur vetveten, por këtë e kanë bërë burra të mëdhenj, presidenti i Francës duke ulur pagën e tij 30% e të gjithë pagat e tjera të larta, Vuçiçi në Serbi, Tsipras në Greqi etj.
Bërja e kësaj reforme kërkon vullnet, shtrëngimin pak të rripit tek super struktura, për të rritur të ardhurat për shtresat në nevojë; sepse pagat e ulëta e të pensionistëve në fshat e qytet zënë rreth 85% të popullsisë.
*Ekonomist në pension