Surroi: Shkruaj të largoj demonët
Veton Surroi, në një bashkëbisedim mbi kulturën dhe mendimin në hapësirat shqiptare
“Në letërsi shkruaj të largoj demonët e brendshëm. Ndërsa në publicistikë për të larguar demonët e jashtëm”. Duke e parë shkrimin si një përballje me demonët në një takim mes tij dhe vetmisë, Veton Surroi do t’i përgjigjej kështu pyetjes se përse shkruan letërsi, në një takim që pati me lexuesit, organizuar nga revista letrare ‘Saras’, në instalacionin Reja (vepër e Sou Fujimoto) pranë Galerisë Kombëtare të Arteve të mërkurën në Tiranë. “Demonët ende komunikojnë me mua, kërkojnë të dalin në sipërfaqe; kërkojnë zërin e vet”, u shpreh Surroi, i cili duke huazuar Borghesin vijoi se shkrimi nuk mund të shkojë pa vetminë. Personazhe të njohur të kulturës, botës akademike, apo sociale u bënë pjesë e një bashkëbisedimi, i cili do të prekte tema të ndjeshme të shoqërive shqiptare sot. Mungesa e komunikimit mes kulturave të vendeve që ndajnë të njëjtën gjuhë, dikur për shkak të historisë (komunizmit në Shqipëri dhe asaj çfarë ndodhi me ish-Jugosllavinë) bën që ende të mos e njohim mirë njëri-tjetrin. Qëllimi i këtij takimi organizuar nga një revistë letrare, e cila në një vit të ekzistencës së saj ka mundur ta bëjë bashkë mendimin shqip në këto hapësira, përmes recensioneve apo prezantimit të autorëve të rinj në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, ishte të hapte një dritë në domosdoshmërinë e komunikimit dhe njohjes më së miri të njëri-tjetrit. Dorian Koçi, nëndrejtori i Muzeut Historik Kombëtar, bëri një analizë të romanit më të ri të Surroit “Përcaktimi i dashurisë së Marie Gjonit” nga i cili mori shkas dhe ky takim. Gazetari Ben Andoni foli për publicistikën plot sqimë të Surroit si një personazh që ka arritur përmes eseistikës të ruajë kujtesën e shqiptarëve dhe t’i paraprijë ngjarjeve të rëndësishme të saj. Më pas, Surroi iu përgjigj pyetjeve të të pranishmëve, të cilët prekën jo vetëm letërsinë, por dhe historinë dhe politikën. I angazhuar herët në politikë, dhe si një nga protagonistët kryesorë të saj, sidomos në procesin që do të çonte në njohjen e pavarësisë së Kosovës, politika ndihet dhe në letërsinë e Surroit. Konteksti i romanit “Përcaktimi i dashurisë së Marie Gjonit” prek momente kyçe të historisë politike të Kosovës, duke sjellë për herë të parë në një gjini fiction rrugëtimin e personazheve para njohjes së pavarësisë. Personazhi kryesor në këtë roman është një ish- informator, dhe i zgjedhur jo pa qëllim nga Surroi, i cili duke e zhveshur jetën e tij, sjell para lexuesve një tablo reale të asaj çfarë ka ndodhur në Kosovë. Marie Gjoni është ndoshta personazhi më interesant në historinë e letrave të këtyre viteve të fundit. Një grua me një jetë të fshehtë, por që tashmë s’e ka më të tillë, pasi gjithçka ajo përjetoi mund të lexohet në një libër. Katër vepra të Surroit mund të gjenden në të gjitha libraritë nga botimet Saras: “Libri i fluturave”, “Këmbët e gjarprit”, “Miliarderi” dhe “Ambasadori i Melkezidekut”. Dhe pse ka vendosur të qëndrojë te letërsia, kjo e fundit tregon se politika vazhdon të jetë ende brenda Surroit.
Flutura Açka: Skenar për të mbetur të ndarë
Veton Surroi erdhi dhe foli për letërsinë shqipe si një e tërë, si shkrimtar shqiptar, jo shkrimtar kosovar. Por mes referuesve të tjerë, të k’tuhit, dëgjova shprehje të çuditshme: situatë kosovare, letërsi kosovare, politikë kosovare. A jeni në vete njerëz! Është njëlloj si të thuash: situatë lushnjare, letërsi gramshiote, politikë tropojane, situatë llapiane, letërsi ferizajse, politikë dukagjinase. Shprehje që i shqyejnë gazit edhe qentë e rrugës. Por kjo nuk mjafton: Shkon në kufi për të hyrë në Kosovë me 50 libra të tu personalë (ngaqë janë disa tituj, duken shumë) dhe çantat të kontrollohen dhe duhet të justifikohesh. Këtë bënte maqedonasi në fillim të ’90-s në kufirin me të, e jo dogana e Kosovës e vitit 2016 për autorët shqiptarë apo dogana shqiptare e vitit 2016 për autorët shqiptarë. Libri është kulturë dhe duhet të shtegtojë falas, sikurse teatri, sikurse muzika. Ne kemi probleme të integrimit mes vedi, dhe kjo fillon nga libri, nga gjuha, për të zhbërë humbjen e njëqind viteve ndarje. Por seç ka një shkujdesje, a mbase është një skenar i mirëhartuar, që të mbetemi të ndarë.”