Svevo hodhi pikëpyetje mbi psikanalizën e Frojdit
Enela Hila/ Përkthyesja e Italo Svevos, tregon filozofinë e këtij shkrimtari për shoqërinë e sotme. Kohët kur përkthente “Ndërgjegjen e Zenos” dhe zbulimi i fatalitetit njerëzor, që Svevo e ka parashikuar herët
“Jeta aktuale është e ndotur që në rrënjë…çfarëdolloj përpjekjeje për të na sjellë shëndet, është e zbrazët. Ai i përket vetëm kafshës që njeh vetëm një progres, atë të organizmit të saj…”. Zeno Kazini, personazhi kryesor i një prej romaneve përfaqësuese të letërsisë italiane “Ndërgjegjja e Zenos” duket se e parashikon herët brerjen e shoqërisë. Duke zbuluar sëmundjet e tij të brendshme, ai zbulon shqetësimet e shoqërisë italiane të pas viteve 1900, por dhe parashikon një kufi gjithnjë e më të brishtë mes shoqërisë dhe moralit. Enela Hila shqipëruesja e këtij libri të ardhur në shqip nga shtëpia botuese “Saras” e sheh Svevon një autor që përmes meditimeve të tij të çon drejt një filozofie më të thellë, që është ajo çfarë ndodh sot me njeriun…Kur ende studente la Shqipërinë për të mbërritur përmes detit në vendin fqinj, Hila nuk mund ta mendonte se njohja e saj me këtë vend, do të kalonte në të tilla dimensione. Të përkthesh një autor si Svevo, ke hyrë në një terren të identitetit të kësaj gjuhe, e cila të lidh pashmangshmërisht. Këtë ndjesi ndien tani Hila, teksa duket që ende s’është larguar nga “efekti” Svevo, dëshirën për t’u ndalur te një tjetër autor dhe një tjetër libër…
“Ndërgjegjja e Zenos” konsiderohet si romani i parë psikanalitik i letërsisë italiane. I shkruar në formën e një komunikimi mes pacientit dhe psikanalistit, ky libër bën një hulumtim të gjatë në subkoshiencën njerëzore. Por sipas përkthyeses dhe pse libri është tërësisht psikanalitik, personazhi kryesor i tij dhe vetë shkrimtari janë mosbesues ndaj psikanalizës dhe kritikë ndaj saj.
Cili qe kontakti juaj i parë me Italo Svevon. Kur e lexove për herë të parë këtë autor, për të mbërritur më pas te vendimi për të sjellë në shqip një nga librat më të mirë të tij “Ndërgjegjja e Zenos”?
Svevon dhe pikërisht “Ndërgjegjja e Zenos”, e kam lexuar për herë të parë në fillimet e qëndrimit tim në Firence, andej nga vitet ’90 e më pas lexova librat “Një jetë”, “Pleqëri” etj. Por iu riktheva veprës së Svevos në 2009-n. Ndoshta, këndvështrimi i një tjetër moshe, privilegji i dyzet e kusur viteve jetë dhe ritmi i tyre më i zbutur, më bëri ta vlerësoja dhe shijoja shumë më tepër. E thjesht për kënaqësinë time zura ta përshtatja në shqip këtë roman argëtues e njëkohësisht mjaft të thellë e inteligjent, që shpresoj të lexohet e rilexohet, sepse çdo herë është e pamundur të mos zbulohet diçka e re për t’u nënvizuar.
Si ka qenë ky proces përkthimi. A pati Svevo te ty atë ndjesinë që të japin autorë të tillë, ndryshimin?
Të përkthesh Svevon, nuk është e thjeshtë, jo vetëm në sajë të stilit të tij origjinal, por edhe të gjuhës që shpesh e enkas, përdor të pastruar rrënjësisht nga dialekti triestin dhe hera-herës të influencuar nga gjermanishtja. Dikush e ka quajtur librin e mirë një “pasaportë jete”. Te një personazh i caktuar mund të gjesh vetveten dhe të personifikohesh aty për aty, në një moment të caktuar mund të kujtosh arsyetimin apo mënyrën se si e ka përballuar ai një aksh problem. Një libër i mirë pasuron të shprehurin, hap mendjen…por nuk di nëse e gjitha kjo mund të quhet “ndryshim”. Di që kur njihesh me personazhin e Zenos, batutat e tij mbeten në kujtesë, ndaj jo rrallë e gjej veten, për shembull, duke vënë buzën në gaz me: “Më duket më e lehtë të mos ushqehem ato tri herë në ditë, sesa të mos pi të panumërtat cigare, për të cilat lipset këmbëngulje e mundimshme dhe e njëpasnjëshme. Duke pasur orë e minutë në mendje një qëndresë të tillë, nuk del koha për asgjë, sepse vetëm Jul Çezari ishte në gjendje të bënte shumë punë njëkohësisht”. Dhe jam e sigurt që çdo lexues, për një kohë mjaft të gjatë, shpesh e vetvetiu do të përsërisë, në mënyrë argëtuese, me miq e shokë, dhjetëra e dhjetëra fraza nga autoironia dhe sarkazma e Zenos.
Është i sëmurë Zeno Kozini, apo shoqëria?
Zeno Kozini “pandehet” një i sëmurë që kalon herë në vetëmbrojtje, si një viktimë i ndodhive, herë në justifikim me anë të gënjeshtrës, por gjithmonë “në përpjekje për të ndryshuar” ekzistencën e tij. Të gjithë personazhet që e qarkojnë, janë të ashtuquajturit “të shëndetshëm”, të vetëdijshëm për këtë “normalitet”, pra përherë të pandryshueshëm derisa ai zbulon se ajo “sëmundje e brendshme”, nga e cila më në fund shërohet, është një gjendje e zakontë e gjithë shoqërisë dhe përkon me progresin: “Jeta aktuale është e ndotur që në rrënjë…çfarëdolloj përpjekje për të na sjellë shëndet, është e zbrazët. Ai i përket vetëm kafshës që njeh vetëm një progres, atë të organizmit të saj…”.
Një përkthyes e njeh mirë një shkrimtar, ndodh që zbulon dhe gjëra që ai ka frikë t’ia pohojë vetes. Ju çfarë keni zbuluar te Svevo?
Shkrimtari është quajtur “bashkëshort i një vepre”, ndërsa përkthyesi i mirë “i dashuri”. Ndaj si një e dashur (shpresoj besnike), mund të them se Svevo, ishte shumë i thellë, por dhe shumë kontradiktor, pra mund t’ia mohonte ose pohonte vetes gjithçka në një çast të vetëm. Pas personazhit të Zenos, (edhe pse në një letër drejtuar Montales, ai nuk e pranon romanin si një autobiografi), jeta e tij të bën ta mendosh diçka të këtillë. Zeno është i varur nga vesi i duhanpirjes, Svevo gjithashtu, për tërë jetën. Zeno është mosbesues ndaj psikanalizës, Svevo ishte një kritik i fortë i saj. Nga një korrespondencë private, zbulohet se Svevo e ka pranuar psikanalizën, por vetëm si teknikë hetimi të ndërgjegjes dhe jo si një terapi. “Njeri i madh ky Frojdi ynë – shkruan Svevo – por më shumë për romancierët sesa për të sëmurët”. Në roman, lexuesi do të gjejë: “Shëndeti, nuk analizon vetveten…” duke e quajtur kështu sëmundjen, një kusht të domosdoshëm dhe të mjaftueshëm për krijimin artistik, një filtër që pengon të shikosh realitetin nga këndvështrimi i rëndomtë prej të cilit jemi mësuar ta shikojmë. Pikërisht nga ky këndvështrim, njeriu i zakontë do të kuptojë se ç’vend zë sëmundja në gjithë të tjerët: në borgjezët e kamur e në burrat e ashtuquajtur të lartë. Me gjithë kontradiktat e tij, me gjysmë të vërtetat e përziera, Svevo ia lë lexuesit deshifrimin e vështirë aq sa dhe qartësinë për të perceptuar meditimin i tij, jo fort te problemet sociale apo politike, por te Njeriu, te vendi që ai zë në Univers, si fryt i seleksionimit natyror, rrjedhimisht i aftë të adoptohet në çfarëdolloj situate e ndryshimi.
Ju ka shtyrë ky libër të udhëtoni në Trieste(vendi ku jetoi Svevo)?
Simpatike kjo pyetje. Vërtet që e kam menduar shumë herë udhëtimin në Trieste. Sapo të piqet, do ta bëj. Është e pamundur të mos nxitesh për të shëtitur në të mizërishmen rrugë “Kavana”, në lagjen e pallateve të reja, “sepse ashtu e kishin quajtur edhe prindërit…”, në Korsia Stadio, ku “do të kish qenë turp i madh ta vriste rrufeja mu aty, por për fat gruaja e njihte për njeri me shije të çuditshme…” dhe me kënaqësi të madhe do të pija “një cigare rrugëve të Triestes” ashtu siç shkruani në artikullin tuaj.
Burrat e përshkruar nga Svevo duken kaq të ndjeshëm dhe në një luftë të vazhdueshme me moralin… Sa ka ndryshuar kjo gjini nga koha kur Svevo shkruante letërsinë e tij?
Libri është botuar në 1923-in dhe lexuesi do të shikojë i mahnitur burrin, por edhe gruan, njeriun bashkëkohor, brendësinë, ndërgjegjen e tij në raport me botën përreth. Zeno shpalos fantazitë, mendimet, por ne kuptojmë se ato nuk përputhen me realitetin. Jeta është krejt ndryshe nga ajo që imagjinon, është më e ftohtë, më e pamëshirshme. Krizë, ndjeshmëri, brejtje ndërgjegjeje, pasion, në tjetrin kah konformizëm, hipokrizi, ves, tradhti, janë të gjitha tipare që shoqërojnë njeriun e sotëm njëlloj si njëqind vite më parë.
Është folur shumë për marrëdhënien e tij me Xhejms Xhojs. Si përkthyese sa ka ndikuar kjo marrëdhënie në letërsinë e dy miqve?
Kur Svevo njihet me Xheims Xhojs, autori italian dukej i mbuluar nga indiferenca. Qe pikërisht Xhojs që vlerëson dhe lartëson stilin e Svevos. Megjithatë, nuk mund të quajmë Svevon një Xhojs italian në teknikën letrare. Për shembull, Xhojsi eksperimenton e luan me fjalën, ndërsa Svevo, përdor fjalorin e borgjezisë triestine, gjithsesi që të dy, paraqesin të njëjtën klimë kulturore të fillimviteve ‘900 që braktis vështrimin pozitivist. Ata hetojnë psikikën njerëzore deri në thellësi dhe revolucionojnë letërsinë dhe interpretimin e saj.
Cila është për ty pjesa më e bukur te “Ndërgjegjja e Zenos”?
Vërtet s’di cilin kapitull të zgjedh për të parapëlqyerin. “Duhani” më prek më nga afër, ndërsa ai që më ka goditur më shumë, është “Vdekja e babait” dhe padyshim “Psikanaliza”. Këtu Zeno ka fituar mbi “sëmundjen”, ka dalë nga plogështia dhe jo falë psikanalizës dhe doktor S (igmund?), të cilin e vë në lojë, por falë tregtisë. “Të them të drejtën, duke më ndihmuar në studimin e shpirtit tim, ai ka zhytur brenda sëmundje të reja”, thotë Zeno. “…në qoftë se nuk dua të përfundoj në çmendinë, mjaft me këto lodra!”. Megjithatë, Zeno pohon të jetë shëruar, ama vetëm në atë pak që është e mundur të shërohesh nga sëmundja që quhet Jetë. Ndryshe nga sëmundjet e tjera, jeta është gjithmonë vdekjeprurëse. Asnjë përpjekje (as psikanaliza, as tregtia, asgjë prej gjëje), nuk arrin të shërojë jetën. Ajo duhet marrë ashtu siç vjen. Dhe nëse Zeno ia doli të fitonte, e bëri në kurriz të më të dobëtit, të atij që humbi e që mbeti i sëmurë. Shoqëria njerëzore ka falimentuar. Pajisjet e ndërlikuara, pra armët, te njeriu kanë zënë vendin e pasurisë natyrore të organizmit të tij dhe “nëse ekzistonte shëndeti apo fisnikëria tek ai që i shpiku, pothuajse gjithmonë mungon tek ai që i përdor”. (Duket se Svevo parashikon bombën atomike, tridhjetë vjet përpara se të shpikej). “Njeriu bëhet gjithnjë e më dinak, gjithnjë e më i dobët”. Lufta e Parë Botërore, ka nxjerrë në pah tërë potencialin e dhunshëm që struket në shpirtin njerëzor. Mbyllja e romanit është një shpërthim: e vetmja shpresë është asgjësimi universal! Kjo është ironia e fundit. Paradoksi i fundit gjenial i Svevos.
Do vazhdoni të përktheni nga ky autor?
Tani kam në dorë një tjetër shkrimtar, por po, Svevos do t’i kthehesha me kënaqësi.
Jeta njerezore dhe vete njeriu jane gjerat me te vyera te universit. Vetem fakti qe ti si qenje njerezore ekziston ne kete univers pa fund eshte nje mrekulli. Arritjet e shoqerise njerezore jane te fuqishme mjafton te hedhesh syte rreth e rrotull por kur mendja jote eshte e semure edhe kendveshtrim do te jete i shtrember e do te pershtatet me mendjen e semure. Neese je i bindur se “e vetmja shprese eshte asgjesimi universal” atehere mendja jote eshte universalisht e asgjesuar dhe nuk ja vlen te perkthesh nje shkrimtar te tille vetem nese edhe mendja jote eshte e tille