Sylvinho: Mes Botërorit me Brazilin dhe Europianit me Shqipërinë zgjedh të dytin!
Në intervistën e tij më të fundit ish-komisari teknik i Shqipërisë, Sylvinho, është pyetur për eksperiencën e tij më të mirë si trajner të bërë deri më tani. Përgjigja e 52-vjeçarit ka habitur jo pak për faktin se përpara se të merrte kombëtaren kuqezi ka qenë pjesë edhe e stafit teknik të Brazilit në Botërorin e 2022-it.
“Kam punuar me Brazilin në Kupën e Botës, por isha ndihmës. Ishte një përvojë shumë e mirë, por sigurisht që nuk i kisha të gjitha në dorën time. Në Shqipëri, i gjithë projekti dhe e gjithë përgjegjësia ishin të miat. Dhe kualifikimi ishte i veçantë. Debutova me humbje përballë Polonisë, por më pas nuk humbëm më”, tha Sylvinho.
Mes të tjerash ai përshkruan ekipin që ndërtoi si një formacion të organizuar, përballë të cilit asnjë kundërshtare nuk pëlqente të luante. “Ishim shumë të fortë. Në fakt, skuadrave që duhej të luanin kundër nesh nuk u pëlqente aspak kjo gjë. Na shihnin si një ekip shumë të organizuar, shumë të mirë dhe shumë të vështirë për t’u përballuar. E dinim saktësisht se çfarë duhej të bënim në fushë. Dhe në Evropë, pas Kupës së Botës, mendoj se Kampionati Evropian është skena më e madhe. Aty është vendi ku dëshiron të jesh”, argumentoi Sylvinho.
I pyetur se përse kishte vendosur që të largohej nga Shqipëria, Sylvinho tha se gjithçka kishte ardhur në mënyrë natyrale. “Mendoj se ai bashkëpunim rriti si Federatën e Futbollit dhe ne si staf teknik. Mendoj se momenti kur u vendos që raporti të ndërpritej ishte vendimi më i miri për të gjitha palët pasi kishte ardhur fundi i një cikli”, tha Sylvinho. A.V.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.