63 minatorët mbetën për orë të tëra nën tokë, ngrihet alarmimi për sigurinë e punëtorëve në Trepçë
Një avari në sistemin elektrik la 63 minatorë të ndërrimit të dytë pa furnizim me energji, ndërsa nëntë prej tyre mbetën në minierë deri në orët e para të mëngjesit. Sindikata kërkon hetim dhe investime urgjente, duke paralajmëruar se siguria e punëtorëve nuk mund të trajtohet vetëm pas incidenteve.
Një defekt në sistemin elektrik i ktheu orët e fundit të ndërrimit të dytë në një situatë alarmante për 63 minatorët e Trepçës në Stantërg.
Ndërprerja e energjisë elektrike i detyroi punëtorët të kërkonin rrugëdalje emergjente nga miniera, ndërsa nëntë prej tyre mbetën nën tokë deri pas mesnatës.
Rasti ka rikthyer në vëmendje shqetësimet për pajisjet, infrastrukturën dhe kushtet e sigurisë në njërën prej ndërmarrjeve më të rëndësishme të Kosovës.
Avaria ndodhi të mërkurën, më 7 tetor, në orët e mbrëmjes, në trafon e Tunelit, përkatësisht në sistemin 35 kV, duke ndërprerë furnizimin me energji elektrike për Minierën me Flotacion Trepça në Stantërg dhe Njësinë e Flotacionit.
Në momentin e incidentit, në minierë ndodheshin 63 minatorë të ndërrimit të dytë, të cilët sipas planifikimit duhej ta përfundonin punën në orën 23:00.
Sipas njoftimit të Trepçës, 54 minatorë arritën të dilnin në sipërfaqe përmes shkallëve emergjente, ndërsa nëntë të tjerë mbetën në minierë për disa orë.
Furnizimi me energji elektrike për minierën u rikthye në orën 02:30 të mëngjesit, ndërsa nëntë minatorët e fundit dolën në sipërfaqe në orën 02:50.
Trepça njoftoi gjithashtu se Njësia e Flotacionit mbeti jashtë funksionit për shkak të dëmtimeve të shkaktuara nga avaria në trafon 35 kV.
Ekipet teknike kanë nisur punën për sanimin e dëmeve, përfshirë kontrollimin dhe zëvendësimin e pesë siguresave mbrojtëse 6.3 kV, si dhe të elementeve të tjera të instalimit elektrik.
Megjithatë, procesi i riparimit është vështirësuar nga mungesa e pjesëve rezervë në magazinë. Sipas ndërmarrjes, pjesët e nevojshme nuk ishin aktualisht në stok, duke e komplikuar ndërhyrjen teknike.
Trepça ka bërë të ditur se pas përfundimit të riparimeve dhe verifikimeve teknike e të sigurisë, do të bëhet rikthimi i plotë i furnizimit me energji elektrike dhe vënia në funksion e Njësisë së Flotacionit.
Sindikata: Nuk duhet pritur që incidenti të kthehet në tragjedi
Pas incidentit, ka reaguar Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës, e cila ka shprehur shqetësim të thellë për situatën e krijuar dhe ka kërkuar që rasti të mos kalojë pa hetim e përgjegjësi.
Sipas Sindikatës, bllokimi i minatorëve nën tokë përbën një alarm serioz për gjendjen e sigurisë në ndërmarrje, ndërsa shqetësimet për kushtet e punës, pajisjet e vjetruara dhe mungesën e investimeve janë ngritur vazhdimisht.
“Ne si Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës shprehim shqetësimin tonë të thellë për situatën e krijuar në minierë, ku minatorët mbetën të bllokuar në thellësi të nëntokës. Ky rast është një alarm serioz për gjendjen e sigurisë në Trepçë dhe nuk guxon të kalojë në heshtje”, thuhet në reagimin e Sindikatës.
Ajo thekson se ndër shqetësimet e ngritura vazhdimisht janë kushtet e punës, pajisjet e vjetruara, rrugët emergjente, rreziqet profesionale dhe mungesa e investimeve për sigurinë dhe shëndetin e minatorëve.
Sindikata kërkon nga institucionet përgjegjëse një hetim të plotë dhe transparent të rastit, përcaktimin e përgjegjësive dhe vlerësimin urgjent të pajisjeve, infrastrukturës, rrugëve emergjente dhe sistemeve të sigurisë në minierë.
Po ashtu, kërkohet që shteti të ndërmarrë investime urgjente për përmirësimin e sigurisë në vendin e punës.
“Minatorët nuk mund të vazhdojnë të punojnë çdo ditë me frikën se një defekt teknik mund t’u rrezikojë jetën”, thekson Sindikata.
Në reagim thuhet se deklaratat dhe reagimet pas incidenteve nuk janë të mjaftueshme dhe se institucionet duhet të veprojnë për të parandaluar situata të ngjashme.
“Mediat po e pasqyrojnë me përgjegjësi zërin e minatorëve, por nuk mund të jetë vetëm media ajo që reagon. Institucionet duhet të veprojnë”, thuhet më tej në reagim.
Sindikata rikujton se Trepça përbën një pasuri strategjike për Kosovën, por thekson se jeta dhe shëndeti i punëtorëve duhet të kenë përparësi.
“Mos të presim që një incident i radhës të kthehet në tragjedi. Tani është momenti për veprim!”, përfundon reagimi.
Për rastin ka reaguar edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila ka njoftuar se të gjithë minatorët kanë dalë në sipërfaqe dhe se ndërrimi i parë e ka nisur punën normalisht.
Në reagimin e saj në Facebook, ministrja është përqendruar te përfundimi i situatës dhe puna e ekipeve që kontribuuan në rikthimin e furnizimit me energji elektrike.
“Të gjithë minatorët kanë dalë në sipërfaqe, të fundit në orën 02:50 të mëngjesit, pas rikthimit të furnizimit me energji në minierë. Ndërrimi i parë ka nisur punën normalisht.
Falënderoj ekipet e Trepçës, KOSTT-it dhe të gjithë ata që kontribuuan për përballimin e situatës”, ka shkruar Rizvanolli.
Në këtë reagim të shkurtër, ministrja nuk është ndalur te kërkesat e Sindikatës për hetimin e rastit, vlerësimin e pajisjeve dhe nevojën për investime në sigurinë e minatorëve.
IHDNj kërkon sqarimin e rrethanave dhe vlerësimin e sigurisë
Shqetësim për situatën në minierën e Stantërgut ka shprehur edhe Instituti për Hulumtime dhe të Drejtat e Njeriut (IHDNj), duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së jetës dhe shëndetit të minatorëve.
Sipas institutit, minatorët ndodheshin në horizontet 11, 10, 9 dhe 8 të minierës, në thellësi që arrijnë deri në rreth 645 metra.
Në reagimin e tij, IHDNj kishte kërkuar që operacioni i shpëtimit të zhvillohej me urgjencë, profesionalizëm dhe koordinim të plotë, duke vënë në pah rrezikun që paraqet qëndrimi i punëtorëve të bllokuar në thellësi të nëntokës.
“Jeta dhe siguria e tyre duhet të jenë prioriteti absolut. Çdo minutë është e rëndësishme dhe operacioni i shpëtimit duhet të zhvillohet me urgjencë, profesionalizëm dhe koordinim të plotë”, thuhet në reagim.
Pas përfundimit të operacionit, instituti ka kërkuar sqarimin e plotë të rrethanave të incidentit, përfshirë shkaqet e avarisë dhe funksionimin e mekanizmave, pajisjeve dhe procedurave të sigurisë.
IHDNj rikujton se puna në miniera shoqërohet me rreziqe të shumta profesionale, përfshirë ekspozimin ndaj pluhurit dhe gazrave, ngarkesat e rënda fizike dhe faktorë të tjerë që mund të ndikojnë në shëndetin e punëtorëve.
“Siguria e minatorëve nuk mund të bëhet temë vetëm kur ndodh një incident. Ajo duhet të garantohet çdo ditë, në çdo ndërrim dhe në çdo metër nën tokë”, thekson instituti.
IHDNj kërkon gjithashtu një vlerësim të plotë të gjendjes së minierës, pajisjeve, infrastrukturës, rrugëve emergjente dhe procedurave të sigurisë, si dhe transparencë për gjetjet dhe marrjen e masave konkrete për parandalimin e rasteve të ngjashme.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.