Synohet bashkimi i opozitës, publikohet programi dhe anëtarët e Forumit të Dialogut Politik
Forumi i Dialogut Politik ka publikuar dokumentin “Një vizion politik dhe institucional për një Shqipëri normale”, i cili përmban propozime për një program të përbashkët opozitar dhe ndryshime në ekonomi, drejtësi, institucione, siguri dhe zhvillimin territorial.
Në dokumentin 13 faqesh, i cili mban datën e sotme, theksohen dy parime kryesore: Çlirimi i shtetit nga partia dhe çlirimi i ekonomisë nga politika. Programi propozon masa për uljen e kostos së jetesës, uljen e taksave, luftën kundër monopoleve, forcimin e arsimit dhe shëndetësisë, si dhe rritjen e pavarësisë së sistemit të drejtësisë.
Në aspektin institucional, Forumi propozon një kod të ri zgjedhor me sistem proporcional kombëtar, koalicione parazgjedhore dhe një Kuvend me 140 deputetë. Për zgjedhjet vendore kërkohet balotazh dhe kandidatë të përbashkët opozitarë për bashkitë.
Dokumenti kërkon gjithashtu forcimin e rolit të opozitës në Kuvend, garantimin e komisioneve hetimore dhe interpelancave, si dhe më shumë autonomi për institucionet e pavarura.
Sa i përket sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme propozohet një sistem i integruar sigurie, rritje e kapaciteteve mbrojtëse dhe një mekanizëm i përhershëm konsultimi Shqipëri-Kosovë.
Në kapitullin për ndryshimin politik, Forumi bën thirrje për bashkimin e të gjitha forcave opozitare në një front të përbashkët dhe propozon një listë të përbashkët për zgjedhjet parlamentare.
Sipas dokumentit, Forumi i Dialogut përbëhet nga Altin Gjeta, Anita Doçi, Ardit Minarolli, Armando Mosho, Artan Gjergji, Dea Buza, Doriana Musai, Dritan Laci, Ejsi Berisha, Erjona Deshati, Ermal Hasimja, Ermelinda Hoxhaj, Fatjon Biba, Gertila Brahaj, Hektor Ruci, Imanuel Çaushi, Imeldi Sokoli, Juxhina Gjoni, Luis Nasi, Marios Prendi, Mentor Kikia dhe Redi Ramaj.
Anëtarët kanë profile të ndryshme në shkenca politike, drejtësi, ekonomi e financë, media, arsim, arkitekturë, urbanistikë, teknologji, siguri dhe mbrojtje. Përveç tyre, me Forumin angazhohen edhe ekspertë dhe aktivistë të tjerë për fusha specifike.
a2news.com



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.