Teknologji

Syzet njëdollarëshe që do u ndryshojnë jetën 150 milionë njerëzve

Ata që nuk arrijnë dot t’i kenë, nuk mund të shkojnë dot në shkollë, s’mund të lexojnë dhe mësojnë shkrim e këndim, e më vonë as të punojnë dot në mënyrë të pavarur e të kujdesen për familjet e tyre. Ekzistenca e tyre varet nga ky handikap, i cili është aq i lehtë për t’u tejkaluar për disa të tjerë. E tashmë për ta duket se është gjetur një zgjidhje

150 milionë njerëz në mbarë botën ndajnë të njëjtin fat. Shikimi i tyre është në gjendje të keqe, ndryshe nga ajo që të ofron një jetë pa ankesa. Duket paradoksale për shumëkënd në botën e civilizuar, por një palë syze për shumëkënd në vende të botës së tretë ku bëhet fjalë për nivel të ardhurash fare modeste apo madje ku nuk mund të flitet fare për to, ato janë “lehtësisht” të paarritshme.

Ata që nuk arrijnë dot t’i kenë, nuk mund të shkojnë dot në shkollë, s’mund të lexojnë dhe mësojnë shkrim e këndim, e më vonë as të punojnë dot në mënyrë të pavarur e të kujdesen për familjet e tyre. Ekzistenca e tyre varet nga ky handikap trupor, i cili është aq i lehtë për t’u tejkaluar për disa të tjerë.

Pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se janë rreth 120 miliardë dollarë amerikanë çdo vit që humben në nivel të ardhurash për t’u ardhur në ndihmë këtyre njerëzve e shpesh objektivi nuk arrihet, pasi paratë nuk shkojnë domosdoshmërish në destinacion. Kjo i përgjigjet pak a shumë shumës që investohet çdo vit në mbarë botën si ndihmë për zhvillim.

Një zgjidhje e thjeshtë për një problem madhor

Deri më tani, qeveritë dhe organizatat e ndihmave nuk kanë ndërmarrë shumë hapa për t’u ardhur në ndihmë këtyre njerëzve. Por duket se Martin Aufmuth, sidoqoftë, e ka njohur me kohë këtë problem dhe ka gjetur si pasojë një zgjidhje shumë të thjeshtë, pa kosto e kësisoj më pranë njerëzve në nevojë.

Me ekipin e tij, gjermani me prirje drejt angazhimit social, ka ndërtuar një palë syze, të cilat nuk kushtojnë më shumë se një dollar. “Syze për një dollar” njerëzit mund t’i prodhojnë atje ku ndodhen, s’ka rëndësi në shtëpi apo gjetkë, në Gjermani apo Shqipëri, në Tanzani apo Burundi, në mbarë botën le të themi.

Pasi prodhimi i tyre nuk ka nevojë për gjë tjetër veç një kutie optike dhe një freze. Kjo e fundit mund të lidhet edhe me një bateri, shpjegon Aufmuth gjatë një dokumentari për kanalin e parë televiziv publik gjerman, ARD, rreth projektit të tij. “Pasi shumë vende, në të cilat ne udhëtojmë me projektin ‘syze për një dollar’, nuk kanë rrymë elektrike.”

Syzet në fjalë janë shumë të forta. Ato mund t’i përthyesh, pa ia thyer apo këputur skeletin. Ato përbëhen nga një skelet hekuri i bobinizuar, pra prej një suste dhe prej xhamave të parapërgatitur me polikarbonat. Megjithëse materiali është shumë i lirë, ai nuk ndryshket.

Sipërmarrësit socialë nga nevoja kanë krijuar kësisoj edhe ekipe, që e dinë se si funksionon prodhimi i syzeve. Ato vijnë me kutinë në fjalë në duar e shkojnë nëpër fshatra dhe ua vendosin njerëzve syzet direkt në fytyrë. Veç kësaj, ata i transmetojnë edhe më tej dijet e tyre për të tjerët. Në dy javët e para pas nisjes së projektit, ata mundën të furnizonin plot 500 vetë me këto syze.

Fëmijët mund të shkojnë në shkollë e mijëra njerëz mund të punojnë

Në tetë vende të botës këta djem e vajza janë përfaqësuar tashmë me syzet e tyre njëdollarëshe, e ndër to edhe në Etiopi dhe Ruandë. Falë angazhimit të tyre, fëmijët me vështirësi në shikim në ato rajone tashmë kanë shanse të njëjta me shokët e shoqet e tyre në shkollë për të çarë përpara në jetë.

Njerëzit që shikimin e kanë pasur problem, për të vijuar të ndjekin ëndrrat e tyre në jetë, nisin një punë e tashmë nuk duhet as të shqetësohen më për mirëqenien e familjeve të tyre nisur nga ky aspekt, pasi ky handikap tashmë tejkalohet thuajse pa kosto.

Projekti e bën më se të qartë se: një ide fare e thjeshtë inovative, e shoqëruar me pak angazhim social, bën të mundur që mijëra jetë njerëzore të përmirësohen me një goditje të vetme.

“Po më kujtohet kjo grua. Ajo ishte rrobaqepëse dhe nuk mund t’i dallonte dot më as fijet e perit, ndërsa duhet të qepte për të mbajtur familjen. Ajo u shfaq aq mirënjohëse kur ne shkuam e ia prezantuam prodhimin tonë dhe pagoi me kënaqësi”, tregon Aufmuth në intervistën e tij për emisionin e ARD-së.

Në vitin 2013, ekipi rreth tij arriti të marrë për idenë e vënë në jetë në të mirë të njerëzimit edhe Çmimin e Parë të Fondacionit “Siemens” të ashtuquajtur “Empowering People Award”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button