Tabaku: Ahmetaj, dështimin e mbulon me gënjeshtra ndaj opozitës
Deputetja Jorida Tabaku ka reaguar këtë të hënë ndaj deklaratës së ministrit të Financave, Arben Ahmetaj kundër programit të opozitës, duke e cilësuar atë një deklaratë nga dëshpërimi për shkak të krizës së thellë ekonomike ku e ka futur vendin.
“Të bësh propaganë është më e lehtë se të punosh. Në vitin e fundit të një mandati që ka prodhuar rënie ekonomike, qeveria në mungesë ideje, vizioni e mbi të gjitha rezultatesh ka vendosur që të baltosë edhe kundërshtarin. I gjendur përballë një krize të thellë konsumi që vendin e ka cuar në një deflacion dhe reçesion, qeveria ka vendosur që në vend të një pakete shpëtimi të merret me opozitën dhe ofertën e saj”, ka deklaruar Tabaku.
Sipas saj, ministrit Ahmetaj dhe qeverisë Rama në tërësi u duhet të gënjejnë sa më shumë në mënyrë që shqiptarët të harrojnë premtimin e 300 mijë vendeve të reja të punës.
“Duhet gënjyer që të harrohet premtimi i 160 mln USD investimeve në kanalet vaditëse, madje duhet ndërtuar një gënjeshtër sa më e madhe që fermerët të harrojnë përmbytjet e dy viteve rresht, ndërsa qeveria pasuronte veten dhe rriste luksin për zyrat e saj”, ka thënë Tabaku.
E në këtë drejtim, ka theksuar ajo, shifrat janë kokëforta. “Të dhënat e vetë qeverisë tregojnë se bujqësia pati një peshë të konsiderueshme në rënien e PBB-së në masën 1.94%. Duke ulur punësimin në sektorin bujqësor vetëm për vitin e shkuar me 3.5%, ndërsa subvencionet bujqësore shkojnë në xhepat e grosistëve që në shumicën dërrmuese të rasteve janë miqtë pranë qeverisë”, ka vijuar deputetja e PD.
Sipas saj, “sot Shqipëria ka nivelin më të ulët të eksporteve në rajon, duke rënë me 17%, me ekonominë më pak tërheqëse për investimet e hauja e ku investitorët e huaj si rezultat i taksave të larta, paparashikueshmërisë së ligjeve e korrupsionit preferojnë të investojnë në rajon”.
“Duke pasur parasysh këto tregues negativë, e duke apsur parasysh që bujqësia ka nevojë për një stimul të ri, oferta e re i garanton bujqësisë jo vetëm 150 milionë euro në buxhet, por edhe 100 milion euro subvencione që do të shkojnë në dorën e secilit fermer, sepse ne besojmë që fermeri e di më mirë se sa grosisti pranë qeverisë se ku duhen shpenzuar. Programi i Partisë Demokratike i ofron fermerit 50 milionë euro investime në infrastrukturën bujqësore, ndryshe nga kjo qeveri që ka investuar miliona euro në lluksin e zyrave apo luksin personal të ministrave”, ka thënë deputetja demokrate.
“Nuk ka asnjë arsye pse të sulmojë programin që premton uljen e taksave, rritjen e pagës minimale dhe nxitjen e rritjes së konsumit sepse në këto 3 vite kanë dëshmuar që nuk kanë asnjë vizion dhe një projekt për të ardhmen. Fermerët dhe shqiptarët sot janë në situatën më të vështirë, e nuk ka nevojë të leexojmë shifrat e qeverisë, por cdo ditë, në cdo takim, në cdo qytet shihet qartë që kanë nevojë për një alternativë që është një mundësi zhvillimi”, ka shtuar Tabaku.