Tahiri: Jemi në rrugën e duhur, për ta bërë këtë vend më të drejtë e më të sigurtë
Me moton “PS për Shqipërinë e gjeneratës tjetër”, kongresi i Partisë Socialiste vazhdon punimet në Pallatin e Kongreseve, ku marrin pjesë 1.460 delegatë, shumica e të cilëve për herë të parë në një kongres.
Kreu i Partisë Socialiste të Tiranës, njëherësh edhe ministër i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri gjatë fjalës së tij në Kongresin e PS-së tha se Policia e Shtetit është e tëra në detyrë, për ti shërbyer qytetarëve.
Tahiri theksoi se shifrat e kriminalitetit, t’i krahasosh me të kaluarën, por edhe me vendet e Evropës, flasin qartë për mundësitë që kemi përpara për të bërë ende më shumë.
“Kemi ndërmarrë reforma, nga ligjet, të universiteti i sigurisë e deri te komisariati dixhital e kamerat e trupit, që na bëjnë optimist se jemi në rrugën e duhur, për të ndërtuar policinë e gjeneratës së re, e për ta bërë këtë vend më të drejtë e më të sigurtë”, deklaroi ai.
Perceptimi se në këtë vend e ke jetën të pasigurtë, vjen tha ai, jo për shkak të krimit, por për shkak të mungesës së drejtësisë për qytetarin e për shoqërinë. “Kjo është detyra jonë më e madhe. Të bëjmë të mundur që në këtë vend të mos vuash koston e padrejtësisë e pasigurisë. Të kesh mundësi të shpresosh, e të shohësh që realizohen gjerat që ke parashikuar, e që të ndodhin këto, nuk ke nevojë të përplasesh pafund, por të marrësh atë që meriton”, nënvizoi ministri Tahiri, njëkohësisht kryetari i Partisë Socialiste të Tiranë.
Braçe: Po kthejmë ekonominë për shoqërinë, jo anasjelltas
Në Kongresin e Partisë Socialiste, nënkryetari i grupit parlamentar, Erion Braçe u shpreh se duhet çliruar vendimmarrja nga lotimet e ndryshme të cilat kanë ndikuar jo shumë pozitivisht në ekonominë e vendit.
“Të çlirojmë vendimmarrjet nga lotimet e ndryshme. Ky është dallimi mes asaj që trashëguam, me qeverinë tonë. Kosto zero për qytetarin dhe zero tarifa për shërbimin ndaj qytetarëve për partneritetin publik-privat”, u shpreh ai.
Braçe theksoi se duhet te krijojmë mundësi për konkurrimin në tregun e punës të qytetarëve. “Po kthejmë ekonominë për shoqërinë, jo anasjelltas. Ka kohë që vendimmarrja është në presionin e lobeve të ndryshme ekonomike të atyre që mundohen të ndikojnë mbi qeverinë. Vendimmarrja do të jetë e lirë. Janë bërë reforma të guximshme për vendin. Garantojmë vendimmarrje të lirë”, ka thënë Braçe.
Ai ka shtuar se, tashmë ka ardhur koha që të ndryshojmë qytetet tona, ndryshojmë hapësirat publike, transportin publik.