Kosova

Tahiri në Tetovë: Partitë politike shqiptare të kenë unitet

Ministrja për Dialogun e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Edita Tahiri ka vizituar Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL) në Tetovë me ftesë të dekanes së Fakultetit të Administrimit Publik dhe Shkencave Politike, Elena Andreevska, me ç’ rast ka mbajtur një ligjëratë para studentëve të këtij universiteti, si dhe për rrjedhat aktuale politike në Kosovë dhe rajon.

Ministrja Edita Tahiri në ligjëratën e saj foli për progresin dhe sfidat në shtetndërtimin e Kosovës, për marrëdhëniet e mira mes Kosovës dhe Maqedonisë, për nevojën e avancimit të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, si dhe për perspektivën euroatlantike të vendeve të rajonit.

Ajo tha se Kosova udhëhiqet nga vizioni euro-atlantik dhe ka bërë përparime shumë të rëndësishme në procesin e ndërtimit të një shteti demokratik dhe funksional, duke ndërmarrë reforma të gjithanshme evropiane me synim që të bëhet sa më shpejtë anëtare e BE-së, NATO-së, OKB-së dhe organizatave tjera relevante.

“Duke marrë parasysh se liria dhe pavarësia e Kosovës kanë rezultuar nga njëqind vjet luftë e sakrificash të popullit shqiptar, jemi të përkushtuar që të forcojmë shtetin në të gjitha planet dhe me prioritet për sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik si dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor, me një arsimim modern për të siguruar mirëqenie dhe punësim për të gjithë qytetarët dhe veçmas për rininë”, ka theksuar ministrja Tahiri.

Në vazhdim ajo foli për marrëdhëniet bilaterale mes Kosovës dhe Maqedonisë, duke i vlerësuar si marrëdhënie të mira fqinjësore, ku potencoi se avancimi i pozitës së shqiptarëve në Maqedoni duhet të ngritët në status shtetformues, si dhe kërkoi përshpejtimin e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Ajo theksoi se partitë politike shqiptare të Maqedonisë duhet të kenë unitet rreth çështjes nacionale, respektivisht për çështjet që kanë të bëjnë me të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, ndërsa mund kenë pluralizëm qëndrimesh në çështjet e qeverisjes në Maqedoni.

Në kuadër të politikave rajonale, ministrja Tahiri tha se të gjitha vendet e rajonit e kanë vendin në familjen euro-atlantike dhe kërkoi përshpejtimin e reformave dhe integrimin sa më të shpejtë të Kosovës dhe gjithë vendeve të rajonit në BE dhe NATO, si një rrugë e vetme për të krijuar paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon dhe si një mundësi për të parandaluar ndikimet negative të dinamikave të reja gjeopolitike që vijnë nga vende joperëndimore.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button