Tahiri prezanton makinën elektronike: Mbron mjedisin dhe kursen në buxhet
Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri prezantoi sot në ambientet e institucionit që ai drejton, makinën elektronike të Policisë, e cila do të sjell një kursim të ndjeshëm në buxhetin e shtetit, por edhe në mjedis.
Ministri Tahiri e cilësoi këtë një risi mjaft të rëndësishme për buxhetin e shtetit dhe për infrastrukturën.
Sipas tij, ky mjet i ri është mjaft i rëndësishëm për çështjen e buxhetit. “Makina elektrike furnizohet me energji përmes korentit të shtëpisë dhe kushton për transport më pak se një kafe në ditë tek blloku”, tha Tahiri.
Ministri i Punëve të Brendshme u shpreh kjo makinë jo vetëm kursen, por dhe mbron mjedisin. Ministri i Brendshëm shtoi se ndotja e makinës në këtë rast është 0.
“Në mes të një debati kaq të madh për ndotjen mjedisore, policia dhe qeveria tregon se garanton mjedisin dhe ky është një investim i tillë. Duhet bërë një dallim mes të shkuarës dhe të ardhmes. Kush e imagjinon se Flamur Noka çonte në mend makinat elektrike. Kush e imagjinon se qeveria e shkuar të investohej në makinat e policisë”, shtoi Tahiri.
“Kjo është vetëm faqja e parë e një kapitulli që duhet çuar përpara”, tha Tahiri.
“Kjo makinë karikohet 6 orë, shpenzon 1 200 lekë të vjetra në 100 km dhe shpëton mjedisin. Detyra jonë të japim këtë shembull për të gjitha institucionet e vendit për ta parë Shqipërinë shumë më të pastër dhe të shëndetshme”, vijoi Tahiri. Ai tha se duhet ndahemi nga e shkuara dhe makineria e përbaltjes së policisë, që bënë SHQUP-i dhe që transferohet në media të ndryshme.
Ndërsa Ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri u shpreh se këto mjete do i kushtojnë më pak buxhetit të shtetit dhe do ndikojnë pozitivisht në mjedis.