Tahiri takon homologun Toskas: Bashkëpunim për krizën e refugjatëve
Gjatë vizitës së tij në Greqi, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është takuar edhe me homologun e tij, Nikolaos Toskas. Të dy ministrat vunë theksin në bashkëpunimin mes shteteve për të përballuar krizën e refugjatëve.
“Ne e dimë shumë mirë që asnjë vend nuk e përballon dot vetëm. Ashtu siç e dimë shumë mirë se kemi nevojë për një plan të përbashkët, në një axhendë të përbashkët europiane. Shqipëria është në rrugën e integrimit europian. Por këto kriza na ndihmojnë për të kuptuar se bashkëpunimi është i domosdoshëm për të zgjidhur sfida të përbashkëta.
Kemi kuptuar bashkërisht se nevojitet një bashkëpunimin në kuadër të Bashkimit Europian. Dhe për Shqipërinë është i domosdoshëm një bashkëpunim akoma më i ngushtë me partnerët edhe fqinjët tanë Greqinë dhe Italinë. Dhe shpresoj shumë se do jemi në gjendje për të përpunuar mekanizma të përbashkëta që bashkëpunimi ynë të jetë efektiv dhe me rezultate konkrete”, tha Tahiri.
Tahiri theksoi se shtetet duhet të sigurohen që elementë terroristë të mos kërcënojë shoqëritë tona.
“Ne duhet të sigurohemi që, nëpërmjet krizës së refugjatëve, elementë terroristë të mos kërcënojnë shoqëritë tona. Duke ndërtuar siguri këtu, kemi garantuar siguri shumë më gjerë”, u shpreh Tahiri.