TAIPEI – Udhëtim në metropolin e “Kullës 101”
Këtu puqen së bashku kultura aziatike me elegancën e stilit të jetesës perëndimore. Por ndryshimet e mëdha që vihen re mes dy kulturave, bëjnë që shumëkush nga europianët të mahnitet me “Kinën tjetër”.
Në këtë qytet çdo gjë ecën shpejt. Në vetëm 40 sekonda, ashensori të çon lart në platformën më të lartë në botë. Kur stomaku të shkon në këmbë, atëherë udhëtimi ndërpritet me finesë. Rreth 40 sekonda ka nevojë aty një kuzhinier për të të sjellë në tavolinë pjatat me oriz, erëza dhe perimet të prera hollë, të cilat në fakt mbulohen me elegancë me letër algash, për të formuar një mbështjellë fantastike Sushi.
Në po të njëjtat 40 sekonda, një vajzë e re duket se po kryen ritin e saj fetar budist, ndërsa dëgjohet të pëshpëritë diçka me zë shumë të ulët në një tempull. Me tre shkopinj të hollë të ndezur në dorë, ajo lutet për provimet e saj të maturës. Dhe nuk zgjat as 40 sekonda derisa njerëzit që presin në radhë në metronë e Taipeit, të vendosur në radhë të rregullt pas njëri-tjetrit, hyjnë një e nga një në tren.
Në tregun javor që zhvillohet në “Minzu East Road”, klientët vërtiten rreth bostaneve, frutave të dragoit dhe karotave të trasha sa një grusht. Një grua rri përballë një kutie me karkaleca deti, ashtu gjysmë të gjalla, e i fut kafshët në një qese plastike.
Në kuzhinat e vogla në treg, shitësit nxjerrin copëzat e peshkut ose petullat e tyre tradicionale dhe ëmbëlsirat. Thonë se turistët nga Japonia e Hong-Kongu madje, vijnë këtu pikërisht për të ngrënë, pasi nami i kuzhinierëve e i kuzhinës tajvaneze, është shumë i madh.
Njerëzit nxitojnë për në punë ose sërish nxitojnë, por për të kryer ritin e blerjes në qendrat e mëdha tregtare. Kinezët tajvanezë në përgjithësi nxitojnë shumë. Këtë e kanë edhe si një bindje e respekt ndaj punës. Një urdhëresë kjo e shenjtëruar në besimet e tyre.
Fast-food-i amerikan dhe kuzhina tradicionale
Kush dëshiron të përjetojë Azinë pa pasur nevojë për shumë ndihmë e këshilla, le të vijë në Taipei. Metropoli me 2,8 milionë banorë në veri të ishullit, formon zemrën moderne të Tajvanit. Këtu lidhet e bëhet një kultura aziatike e jetesës me stilin e standardeve perëndimore.
Netëve, në tregje dëgjohen të buçasin tingujt e muzikës amerikane. Kush pret që në brendësi të qytetit të shohë kapele tradicionale me kashtë e veshje të lirshme me ngjyra të forta, do të zhgënjehet, sepse në vend të tyre do të hasë me të parën të rinj me xhinse dhe këmisha të modës.
Në kinema shfaqen sigurisht filmat e fundit të Hollivudit, ndërsa lokalet e fast-food-eve i bëjnë konkurrencë kuzhinës tradicionale kinezojugore.
Ndikimi i fortë perëndimor ka pasur edhe ai arsyet e veta historike, të cilat ashtu sikurse dhe më parë, kanë përcaktuar mënyrën e jetesës dhe atë politike. Pasi Tajvani është një pjesë e Kinës, por siç dihet nga të gjithë, thuajse, është ndier gjithmonë i lidhur më shumë me Perëndimin.
Kur komunistët morën pushtetin në fund të viteve ’40 të shekullit të shkuar, qeveria nacionaliste kineze e asaj kohe, nën udhëheqjen e Presidentit Chiang Kai-shek (ose në shqip i njohur më shumë si Çan Kai-Shi), ndjekur nga rreth 1,5 milionë civilë dhe mijëra ushtarë, shkoi në ekzil, në ishullin e Tajvanit – e në bagazhe, ata kishin marrë me vete rezerva të mëdha në para dhe gjithashtu edhe shumë thesare kulturore të vendit, që ishin të detyruar të linin pas.
Megjithëse komunistët shpallën në Kinën kontinentale Republikën Popullore, qeveria në Tajvan e shihte veten si përfaqësuesja legjitime e Republikës së Kinës. Ky qëndrim u ruajt prej saj me fanatizëm deri në fund të viteve ’90.
Dihet se mbështetje Tajvani ka pasur gjatë gjithë kohës nga SHBA-ja. Sa herë që bëhej fjalë për tension e përplasje me Kinën Popullore, luftanijet amerikane dukeshin menjëherë në atë rajon.
Investimet e mëdha dhe rezervat e arit ndihmuan në shndërrimin e këtij vendi nga agrar, në një metropol të industrisë së teknologjisë së lartë. Sot Tajvani është dhe prodhuesi kryesor në rang botëror i kompjuterëve dhe sidomos i laptopëve.
E ardhmja e paqartë
E ardhmja e Tajvanit, megjithatë duket se është ende e paqartë. Vendi sigurisht që zhvillon e mbron një sistem politik të vetin dhe bën tregti me mbarë botën, por ka një handikap të rrezikshëm: njihet nga shumë pak vende zyrtarisht. Kina e trajton ishullin si një provincë të sajën, ndërsa tajvanezët vetë thonë me krenari se janë të pavarur. Një ide e vakët për kuptimit që përçon në vetvete republika e themeluar nga Chiang Kai-shek, të jep edhe vizita në Sallën e Madhe Monumentale të Kujtesës, në qendër të qytetit.
Hyrja e saj përbëhet nga një portë e madhe me lartësi 30 metra. “Porta e mesit të madh dhe qëndrimit perfekt”, me pesë harqet e saj të mëdha në formë të rrumbullakët. Në brendësi të qytetit të Taipeit, takohet me elegancë tradita me modernen: “Taipeh 101” nuk ndodhet shumë larg lagjes tradicionale “Wanhua”.
Ajo të çon në një shesh pa fund, që rrethohet në të dyja anët nga Salla e Koncerteve Kombëtare dhe Teatri Kombëtar. Mbi “rrugën e tolerancës” shkohet më tej në një vend ku haset një ndërtim i shkëlqyer me mermer të bardhë e çati blu të thellë. Çatia blu, muret e bardha dhe lulet e kuqe që rrethojnë parkun, formojnë dhe ngjyrat e simbolet e flamurit kombëtar tajvanez.
Në katet e poshtme të Memorialit të Kujtesës mund të dëgjohen vetëm zëra të mbytur. Duke pëshpëritur, turistët dhe nxënësit e shkollave vizitojnë me kureshtje orenditë, medaljet dhe urdhrat, si dhe fotot e ish-presidentit të vdekur në vitin 1975, që themeloi “Kinën tjetër”. Një orë në mur tregon saktësisht dhe kohën kur ai vdiq. 89 shkallë (kaq është dhe numri i viteve që jetoi Chiang Kai-shek) është numri i tyre që të çon në katin e sipërm, ku has menjëherë një statujë të madhe 16 metra të lartë, punuar në bronz për nder të kujtimit të liderit proamerikan.
Ajo qëndron ditë e natë e rrethuar nga rojat e nderit, që ndërrohen në shërbim çdo orë nga kolegët e tyre që vijnë me bajonetat ngritura e hapa ushtarakë. Jo më pak mbresëlënës është dhe pallati i Muzeut Kombëtar, i ndërtuar në stilin klasik kinez, në veri të lumit Keelung. Ai renditet pas muzeut të Luvrit në Paris dhe atij të Arteve Moderne në Nju Jork, ndër muzetë më të vizituara në botë.
Ai u krijua në vitin 1925 në qytetin e ndaluar, në Pekin e më vonë qeveria i dërgoi thesaret e tij në Shangai. Kur anëtarët e kësaj të fundit shkuan në ekzil në Tajvan, ata morën me vete dhe pjesët më të çmuara të thesarit në fjalë, ngarkuar në 3000 arka të mëdha. Por sot mund të shihet e shijohet vetëm një pjesë e vogël e më shumë se 650000 ekzemplarëve që përmban ky thesar: ato janë statuja e punime mijëravjeçare në bronz, porcelane të shtrenjta e gjithashtu libra të vjetër, me shumë vlera historike e studimore.
Dragonjtë sjellin fat
Tajvanin modern e simbolizon as më shumë e as më pak grataçiela e famshme, e projektuar sipas modelit të një bime bambu që ngrihet lart me forcë e krenari: është kulla “Taipei 101”. Ndërtesa më e lartë aktualisht në botë, me 509 metrat e saj është quajtur me këtë emër pikërisht për shkak të numrit të kateve që mbart në vetvete. Ngaqë Tajvani thuajse çdo vit tronditet nga tërmete me fuqi mesatare e gjithashtu edhe nga tajfune (që e prekin atë zakonisht gjatë muajve të verës), në mes të kullës qëndron varur një sferë hekuri 660 tonëshe. Ajo është ngritur aty për të balancuar stuhitë, tajfunet e tërmetet. Nga 382 metra lartësi, vizitorët shohin taksi të verdha me madhësinë e veturave sportive, që sillen vërdallë në rrugët e qytetit. Në katet e poshtme gjendet edhe një qendër e madhe tregtare e shumë moderne: moda franceze gjendet aty po aq lehtësisht, si dhe eleganca italiane.
Forma e bambusë simbolizon jetëgjatësinë dhe në fasadën e saj janë modeluar me finesë simbolet e dragoit me luspa të arta, që sipas traditës kineze kujdeset të sjellë sa më shumë fat. Dragoi dhe tigri janë kafshët simbol të tempullit daoistik dhe zbukurojnë kësisoj edhe shumë ndërtesa të tjera në vend. Daoizmi, pas budizmit, është religjioni i dytë më i ndjekur në Tajvan. Por në shumë tempuj, kufijtë mes tyre humbasin dhe kështu gjenden të ndërthurura elemente e simbole të të dyja besimeve.
Tradita e gjallë: Udhëtim në Kinën e vjetër
Nëse sëmundjet kurohen me ilaçe popullore ose me pilula moderne, në Tajvan është çështje besimi dhe shpesh moshe. Pasi janë para së gjithash, të moshuarit që betohen për efektet shumë pozitive të mjekësisë popullore kineze.
Por të huajt dhe madje shumë të rinj, ndërkohë, frekuentojnë shpesh dhomat e masazhit kinez. Procedura për shembull këtu fillon në mënyrë fare të thjeshtë: lahen këmbët e më pas ulesh në kolltuk dhe aty ia nis punës masazhatori (ose masazhatorja). Me lëvizje të forta ai prek këmbën – shputën, me synimin për të shkaktuar çlodhje në kurriz, pastaj gjunjët, për të ngacmuar funksionet jetësore.
Një rënkim i vogël shpërhapet në dhomë, pasi kapjet e masazhatorit (masazhatores) janë shumë të efektshme e prekin pikat vitale. Por kjo nuk është se ka të bëjë shumë me masazhet që tradicionalisht në Europë jemi mësuar të shohim: ato janë diçka e veçantë, teknika që vërtet të bëjnë të mendosh se aty fshihet art e studim i thellë i anatomisë së njeriut.
Përgatiti: Armand Plaka