Takimi me kryeministrin, mungojnë kryebashkiakët e djathtë. Rama: Mbështesim pa rezerva çdo bashki
Kryeministri Edi Rama ka pritur këtë të hënë në zyrën e tij krerët e bashkive të dalë nga zgjedhjet e 21 Qershorit. Pasi u ka uruar të gjithëve “suksese dhe punë të mbarë”, Rama ka shprehur keqardhjen për mungesën e kryebashkiakëve të djathtë, përveç atyre të Përmetit dhe Dropullit.
Ndër të tjera, takimi ka në qendër të diskutimeve, edhe koordinimin e fazës së tranzicionit në 61 bashki, në kuadër të reformës së re territoriale.
“Ky është një dëm direkt për punën e tyre, sepse puna fillon me harmonizimin e hapave në funksion të kalimit në 61 njësitë e reja. Për kryebashkiakët është përgatitur një material nga ministri i Pushtetit Vendor, që është një manual praktik për ato që duhen mbajtur parasysh në këtë proces tranzicioni. Pra, në kalimin në ndarjen e re territoriale”, ka thënë Rama.
Ai është shprehur se, kjo është një sfidë që e përbashkët mes qeverisë qendrore dhe atyre vendore. “Kjo është një sfidë edhe e jona si qeveri, për t’u përballur bashkë me ju, me problematikat që kërkojnë zgjidhje”, ka vijuar kryeministri.
Ai ka shtuar më tej se “qeveria do të mbështesë pa rezerva të gjitha bashkitë e vendit dhe gjithë kryetarët që do të kenë vullnetin dhe dëshirën që të bashkëpunojnë me qeverinë”.
Duke renditur prioritetet e këtij bashkëpunimi të ri, kryeministri e ka vënë fillimisht theksin tek ndërtimi apo riparimi i ujësjellësve dhe kanalizimeve të ujërave të zeza, për të vijuar më pas me problemet e mbeturinave, që sipas, duhen zgjidhur sa më parë.
Rama ka bërë thirrje edhe për një angazhim më serioz në aspektin e rendit publik, duke folur për shkrirjen e policisë bashkiake dhe pajisjen e kryetarëve të bashkisë me kompetenca për të dhënë direktiva në Policinë e Shtetit, “me qëllim ruajtjen e rendit dhe qetësisë”.
“Do të diskutojmë në vijim edhe për mënyrën se si do të shohim gjithë sistemin tonë fiskal, si një sistem të përbashkët dhe do shohim mundësinë e fillimit të praktikës së taksave të ndara, në mënyrë që edhe bashkitë të kenë akses tek taksat e mbledhura”, ka shtuar Rama