Kosova

Takohet historia në Prekaz, Isa Boletini te kulla e Adem Jasharit

Eshtrat e Heroit Kombëtar, Isa Boletini, pas Vlorës, Prizrenit dhe Isniqit, kanë qëndruar në Prekaz, të kulla e Adem Jasharit, ku shumë qytetarë në mënyrë të organizuar dhe individuale kanë bërë homazhe, një ditë para se ai të rivarroset në fshatin e tij të lindjes, në Boletin të Mitrovicës.

Qëndrimi i Isa Boletinit në Prekaz, bëri bashkë dy figurat me të mëdha të kombit, të cilët luftuan për lirinë dhe pavarësinë e gjithë shqiptarëve.

Me këtë rast, përfaqësuesi i familjes Jashari, Rifat Jashari, tha se ndihen krenar për Heroin e Kombit Isa Boletini, i cili po i viziton të gjithë ata që ranë për lirinë dhe pavarësinë të cilën po e gëzojnë sot.

“E ndjejmë veten krenarë dhe të kënaqur që Isa Boletini po i viziton të gjithë ata bij dhe bija që ranë dhe derdhën gjakun për këtë liri që po e gëzojmë ne sot. Lavdi Isë Boletinit dhe gjithë atyre bijve dhe bijave që ranë për këtë ditë që e gëzojmë ne sot”, tha Jashari.

Ndërsa , stërnipi i Isa Boletinit, Gazmend Boletini tha se sot është ditë e veçantë, pasi Isa Boletini po qëndron në një vend unikal, siç është Prekazi. Por, shtoi se kënaqësia është edhe më e madhe pasi u bënë bashkë dy heronj në një vend.

“Për neve është një ditë me kënaqësi, një ditë shumë e veçantë i sakrificës, unikat mund të them, një vend i cili do të thotë frymëzimin e ka marrë ndoshta nga Isa Boletini. Sot dy heronj në një vend është kënaqësi që kombi shqiptar ka mundësi të shohë këtu në Prekaz,vendi që ka dhënë aq shumë për shqiptarinë”, tha Boletini.

Edhe nënkryetari i Skenderajt, Fadil Nura, ka vlerësuar ditë të jashtëzakonshme për Skenderajn dhe qytetarët e saj, meqë u takua historia një shekullore, Isa Boletini dhe legjenda e UÇK-së, Adem Jashari.

Pas qëndrimit në Prekaz, eshtrat e Heroit Kombëtar, Isa Boletini, kanë udhëtuar për në kryeqytetin e Kosovës, ku do t’i bëhen homazhe në ambientet e Kuvendit e Kosovës.

Kuvendi i Kosovës tashmë ka filluar senacën kushtuar figurës së Isa Boletinit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button